Nga Namik SELMANI – Boston
Bora e bardhë bostoniane më zgjon vite fëmijërie
Të bën të marrësh një valle me fluturzat e bardha
Të nxjerr një lot në sy e të jep dritë nostalgjie
Të bën babagjysh që rizgjohet nëpër përralla.
Bora e parë qënka një dhëndërrim brenda vetes
Qënka çarçafi i bardhë i nënës, i mbetur nëpër tela
Të vjen Tomori, Korabi e pikëlat e strehëve
Të vjen trokëllima e serenatave nëpër zemra.
Të bën guximtar çapkën mes erës dhe rrugës me llohë .
Të bën pjesë të magjisë ku bëhesh Andersen i rilindur
Ooo, kjo borë bostoniane, të zbardh qerpikë dhe flokë ,
Të shkërmoqka vitet me një zjarr bubulak të pafikur.
Bora e parë paska përherë diçka të kadifenjtë, të butë .
Pak aromë nga magjja e gjyshes ku gatuhej mes këngësh brumi.
Ka ndjesinë e shamisë së dasmës a të ketrave në drurë ,
Të dallandysheve të largëta që vijnë dhe në orë gjumi.