Në kujtim të kolegut tonë gazetar Garip Troci (1949 – 2012)

Isha në Panairin e Librit Tiranë 2013, kur takova një dibran. E njihte miku im shkrimtar Pandeli Koçi që ma prezantoi. Dibrani më tha me të qeshur se emrin tënd nuk e harroj kurrë. Ngrita supet. Pse – i thashë. Sepse, ma ktheu dibrani, kur kam qënë nxënës në Durrës, Bardhyli, më duket e kish fjalën për Bardhyl Agasin, më dha një libër me tregime me kapak të verdhë “Petalet e bajames së hidhur”. Ka qënë libri yt i parë- më tha.
Më erdhi mirë që dikush edhe pse nuk më kishte takuar kurrë në jetë, veç sot, më kishte ruajtur në kujtesë. Natyrisht ky ishte një rast mbreslënës e, duke përfituar nga njohja e pyeta për një shokun tim të fakultetit.
Ai heshti pak e më tha se i vinte keq por, …shoku im i fakultetit nuk jetonte më. Kishte ndrruar jetë në Paris një vit më parë. Heshta e ai vazhdoi të më thoshte se kemi botuar diçka për të dhe mund ta gjesh shkrimin në internet. Po unë më shumë isha i zhytur në kujtime se në realitetin e botës së librave që më rrethonte. Më përfyroheshin sytë e qeshur të mikut tonë të studimeve në gazetari, por edhe vitet më vonë kur shkonim me shërbime nga Kinostudio në Peshkopi e ku Garip Troci, që punonte në gazeten lokale “Ushtima e maleve”, na priste e na shoqëronte. Pastaj erdhi ’90-ta kur u shpërndamë e u përhumbëm.
Garip Troci, shoku ynë i fakultetit, u bë një ky gazetar i palodhur, e nëpër vite mbeti e mbeti po ai njeriu i dashur e i qeshur, i sinqertë kush si ai. Stoik, miqësor, altruist, një prej atyre që kur i takon nuk i harron kurrë. Kishte një shpirt të butë poeti, shkruante poezi që i përmblodhi e botoi në një libër “Treni i Puthjeve” e disa libra publiçistikë.
Sa keq më vjen që kisha humbur lidhjet, sepse kam qënë në Greqi e Amerikë. Mësova se fundin e të jetës së tij i kaloi në Paris ku edhe mjekohej, sepse ishte i sëmurë, e siç e gjeta të shkruar në nekrologjinë për të, në asnjë rast nuk e pati lëshuar veten. Mos dija për fatin e shokëve e miqve gjithësesi e ka një shkak, por që nuk vlen si alibi për ndërgjegjen. Tashmë jeta jonë kështu është bërë, copa-copa e vende-vende. Vetë Garipi në një përshkrim udhëtimi që dërgonte për gazetën “Koha jonë” , botuar më 14 shkurt 2005 me titull “Një shqiptar në Paris” edhe pse ishim larg njëri-tjetrit na kujtonte gjithnjë ne bashkstudentëve të tij. Çfarë dhëmbje ndjej për shokun e mikun kur lexoj këto rrjeshta të shkruara prej tij, tanimë që ai nuk jeton më:
“Pasi dorëzuam pasaportën në hyrje të pallatit të xhamtë të Uneskos, me ashensor zbritëm drejt katit të nëndheshëm të tij, ose katin e parë siç quhet këtu. Në katin e parë do të na priste Luan Rama, me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, karakteristike, duke na shtrënguar dorën tepër miqësisht… I tillë ka qënë që në auditoret e gazetarisë ku dhe jemi njohur në leksionet e përbashkëta, në aksionet e zboret në Mamurras. Ai qe një vit para nesh në grup, por më vonë dolën dramaturgë të njohur si Bashkim Hoxha, drejtor tashmë i Tv Teutës, tregimtarë si Kolec Traboini ynë në Boston të Amerikës, folës e gazetarë të dëgjuar të TVSH-se si Virgjil Kule, tani drejtor i TVA-së, gazetar të radios si Zamira Koleci, Rudina Lohja etj.”
Eh, miku im Garip Troci, nuk e mora vesh ditën kur ti udhëtar i palodhur po ndërmerrje udhëtimin e fundit. Ndoshta do të mund të jepja ndonjë sinjal nga larg për të dhënë të kuptoje se anipse ti po ikën para nesh e para kohe, nuk do të harrojmë sa të kemi frymën sepse gjithëherë gjenden njerëz të mirë në këtë botë që ruhen në kujtesë përgjithmonë.

Kolec Traboini
14 nëntor 2013