Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, tha se planet e Uashingtonit për t’u tërhequr nga një marrëveshje për armët bërthamore do të kenë “pasoja serioze” për Evropën.
Shoigu tha se Bashkimi Evropian dhe NATO duhet t’i peshojnë pasojat e largimit të SHBA-së nga Traktati për Forca Bërthamore me Rreze të Mesme.
Ky traktat është nënshkruar në vitin 1987 nga presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, dhe atëbotë lideri i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev.
“Ne kemi përshtypjen se jo secili në Evropë e kupton se ky vendim do të ketë pasoja serioze për Evropën”, tha Shoigu.
Deklaratat e tij vijnë pas paralajmërimeve të presidentit rus, Vladimir Putin, javën e kaluar, se Rusia do të shënjestrojë secilin vend të NATO-s, nëse SHBA tërhiqet nga traktati dhe vendos raketa aktualisht të ndaluara në ato vende.
Presidenti i Shtetetve të Bashkuara, Donald Trump, duke shpallur planet e tij për t’u tërhequr nga pakti, ka përmendur shkeljet e supozuara ruse që nga viti 2014.
Rusia mohon se shkel marrëveshjen.
Kjo marrëveshje, e cila e eliminoi një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyçe për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës.