Receta e ditës/ Brusketa me avokado

Përbërësit:

Për 2 persona nevojiten:

2 feta bukë

6 feta proshutë

1 avokado i pjekur mirë

pak gjethe sallate

½ limon

2 lugë majonezë

2 lugë panë

1 thelb hudhër e vogël

piper e kripë

 

Përgatitja:

Në një tigan skuqim fetat e proshutës për 5 minuta. Më pas i vëmë në një pjatë me letër kuzhine për t’u hequr yndyrën e tepërt. Avokadon e ndajmë në mes, i heqim bërthamën dhe pasi ta qërojmë e ndajmë në feta jo shumë të holla dhe i lyejmë me pak lëng limoni.

Sallatën e ndajmë me dorë në copa jo shumë të vogla. Përziejmë majonezën me panën, pak hudhër të shtypur, kripë dhe lëngun e limonit të shtrydhur (këtë të fundit shtojeni dalëngadalë pasi duhet ta rregulloni sipas shijes suaj).

Thekim fetat e bukës, i lyejmë me pak salcë, vëmë pak sallatë, proshutën në copa jo të mëdha si dhe feta avokado. E spërkasim sipër me salcën dhe e konsumojmë menjëherë.