Presidenti Donald Trump bëri të ditur se do t’i tërheqë Shtetet e Bashkuara nga një marrëveshje bërthamore e kohës së Luftës së Ftohtë me Rusinë. Ai e akuzoi Rusinë se e ka shkelur marrëveshjen por nuk dha hollësi.
SHBA do të tërhiqen nga Marrëveshja me Rusinë për Forcat Bërthamore me rreze të mesme veprimi, ka bërë të ditur Presidenti i SHBA Donald Trump.Trumpi e justifikoi këtë lëvizje duke e akuzuar Moskën se ka shkelur marrëveshjen e armatimit të vitit 1987, por nuk pranoi të japë detaje të tjera.
“[Rusia] e ka shkelur prej shumë vitesh atë. Nuk e di se pse nuk negocioi ose pse nuk u tërhoq Presidenti Obama”, tha Presidenti në një ndalim për të bërë fushatë në Elko, Nevada. “Ne nuk do të lejojmë që ata të shkelin një marrëveshje bërthamore dhe që të shkojnë e të bëjnë armë, në një kohë kur ne nuk jemi të lejuar ta bëjmë këtë. Ne do ta mbyllim marrëveshjen dhe pas kësaj ne do të zhvillojmë armët”
Trumpi vazhdoi me fjalët se ai do ta rishqyrtonte vendimin e tij, me kusht që Rusia dhe Kina të bien dakord që të nënshkruajnë një marrëveshje të re bërthamore. Kina nuk është pjesë e marrëveshjes ekzistuese.
Marrëveshja historike e nënshkruar nga udhëheqësit e atëhershëm Ronald Reagan dhe Mihail Gorbaçov i ndalon SHBA dhe Rusinë që të zotërojnë, prodhojnë ose testojnë raketa bëthamore të nisura nga toka me një rreze veprimi 300 deri 3400 milje (500 deri 5.500 kilometra)
Gorbaçov: Lëvizja e SHBA tregon “mungesë mençurie”
Gorbaçovi e kritikoi ashoër vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore, dhe e quajti atë “gabim” duke e përshkruar arsyetimin e Trumpit “shumë të çuditshëm”.
“Absolutisht nuk duhen shkatërruar marrëveshjet e vjetra të armatimit ose të çarmatimit”, i tha Gorbaçovi agjencisë së lajmeve Interfax. “A është me të vërtetë kaq e vështirë që të kuptosh se flakja e këtyre marrëveshjeve…tregon një mungesë mençurie”?
Zyrtarë të tjerë rusë reaguan ndaj tërheqjes që pritet nga marrëveshja duke i akuzuar SHBA se synojnë të bëhen superfuqia e vetme e botës.
“Motivi i vetëm është ëndrra e një bote unipolare. A do të realizohet ajo? Jo,” citoi agjencia shtetërore e lajmeve e Moskës Ria Novosti një zyrtar të Ministrisë së Jashtme.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Riabkov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se lëvizja e Trumpit është e rrezikshme.
“Ky do të ishte një hap shumë i rrezikshëm, jam i sigurtë, jo vetëm që nuk do të kuptohet nga komuniteti ndërkombëtar, por që do të provokojë dënim serioz”, tha ai.
Gjermania kritikon vendimin ‘për të ardhur keq’
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se vendimi i SHBA është “për të ardhur keq” dhe ai “ngre çështje të vështira, për ne dhe për Evropën”
Ai shtoi se marrëveshja mbi 30 vjeçare është një “shtyllë e rëndësishme e arkitekturës evropiane të sigurisë”
Në një deklaratë të veçantë, qeveria gjermane theksoi se megjithë kërkesat e përsëritura Moskës që të sqarojë akuzat se e ka shkelur marrëveshjemn, Rusia nuk e ka bërë këtë. Pasojat e vendimit të SHBA po diskutohet aktualisht me partnerët e NATO-s, u bë e ditur.