Më datën 13 gusht 2018, z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mori një letër falenderimi nga Dr. Hubert Weber, një nga personalitetet më të spikatura të auditimit të jashtëm publik modern, ndër hartuesit kryesorë të Deklaratës së Limës dhe firmosës i saj, ish-Drejtor i Përgjithshëm në Sekretariatin e Përgjithshëm të INTOSAI-t dhe Gjykatës Austriake të Auditimit, si dhe ish-President i Gjykatës Europiane të Audituesve (ECA).
Me ftesë të Kryetarit të KLSH, Dr. Weber vizitoi më datat 25-26 qershor 2018 Shqipërinë dhe KLSH-në. Ai u takua me Presidentin e Republikës, Shkëlqesinë e tij z. Ilir Meta dhe me Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi.
Në letrën e tij të falenderimit, Dr. Weber, ndër të tjera, cilëson se:
”Krahasuar me vizitën time të mëparshme, kam gjetur një Tiranë në mënyrë të konsiderueshme më moderne, pa humbur sharmin e saj… KLSH është pjesë e kësaj përpjekjeje për modernizim.
Fakti që gjeta në terren arsyet pse në qarqet e auditimit suprem publik, sidomos në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI), KLSH është një SAI shumë e vlerësuar, si dhe që në vizitën time komunikova me drejtues dhe auditues tejet të motivuar të Institucionit tuaj, nënkupton për mua një kënaqësi të madhe.
Unë dua t’ju përgëzoj për “muzeun” e KLSH-së, të projektuar jashtëzakonisht mirë, gjë që më ka impresionuar”.