U nda nga jeta publicisti dhe shkrimtari disident Isuf Meshi

Nga Mujo Buçpapaj

“Me Isuf Meshin sot vdiq një epokë, një brez që u flijua me ndërgjgje për të shembur sistemin totalitar, për të mbatjur gjallë republikën e shpresës, të dashurisë ndaj atdheut dhe lirisë, pa kërkuar kurrë shpërblim dhe privilegje.”

U nda nga jeta publicisti dhe shkrimtari disident Isuf Meshi.

Intelektuali i njohur dhe njeriu elokuent antikomunist vdiq të premten me 6 shtator 2018 në spitalin e Kukësit, pas një hemoragjie celebrale, e cila e nështroi në moshën 78 vjecare.

Meshi u përcoll dje për në banesën e fundit me nderimet e bashkëqytetarëve të tij, në varrezat e qytetit të Krumës.

Isuf Meshi i kaloi 25 vjet të jetës së tij në burgjet komuniste dhe disa vjet të tjerë i internuar në kampet e punës si njeri me rrezikshmeri për sisitemin komunist.

Në vitet 1990 Isufi u përfshi në revolucionin demokratik dhe ndihmoi për të shkatrruar regjimin diktatorial, duke qënë një nga antëtarët aktivë të Partisë Demokraktike, kryetar i Shoqatës të ish të denuarve politikë të Hasit dhe veprimtar i shquar shoqëror.

Kalimi për disa vite në burgjet e rënda komuniste i kishin lënë Isuf Meshit pasoja për jetën dhe shëndetin e tij, pas vitit 1990 ai u trajtua në spitalet shqiptare pasi kishte vuajtur nga sëmundjet e rënda të frymëmarrjes dhe mushkërive.

Isuf Meshi shkroi me qindra artikuj në shtypin pluralist shqiptar, duke filluar prej vitit 1991 në gazetën RD dhe në vijim thujase në të gjitha gazetat e djathta në vend. Prej dhjete vjetësh ka qënë bashkëpunëtor i gazetës letrare dhe kulturore Nacional, ku botoi tregime, novella dhe esse të ndryshme, kryesisht nga jeta ne burgjet komuniste..

Isuf Meshi bëri jetën e një luftëtari të paepur, bëri jetën një njeriu sypatrembur, por edhe të palodhur për të artikuluar dhe mbrojtur idetë e tij.

Edhe pse tre dekada të jetës së tij i kaloi në burgje apo nën mbikëqyrjen e ngushtë të policisë sekrete në internim, ai mbeti deri në fund një njeri fortë i frymëzuar nga idetë e tij duke qënë kështu një nga intelektualët më jo-konformistë të brezit të tij.

Gjatë gjithë kohës, Meshi personifikoi shpirtin e kombit të vet dhe të krahinës së vetë Hasit.

Autoriteti i tij moral dhe përdorimi me mjeshtri i gjuhës dhe fjalës e bëri Isuf meshin një figurë dominante gjatë demonstratave të rrugë në vitin 1990-1992 në Has dhe Kukës.

Isuf Meshi ishte një ndërthurje e artistit, shkrimtarit dhe politikanit

Me Isuf Meshin sot vdiq një epokë, një brez që u flijua me ndërgjgje për të shembur sistemin totalitar, për të mbatjur gjallë republikën e shpresës, të dashurisë ndaj atdheut dhe lirisë, pa kërkuar kurrë shpërblim dhe privilegje.

Ai mbarte atë që sot shoqëria jonë ka nevojë më shumë, shpirtin e protestës dhe kërkimin e lirisë.

Si një disident dhe si një udhëheqës shpirtëror i brezit të tij antikomunist, të viteve 1960, ai e impresionoi shoqërinë ku jetoi dhe e tërhoqi atë në beteja kundër sistemit monist.

Gazeta Nacional është thellësisht e pikëlluar nga vdekja e disidentit Isuf Meshi, rezistenca e tij dhe e mijëra të denuarve politikë e tronditi nga themelet perandorinë e së keqës, duke zbuluar me guxim boshllëkun e një ideologjie shtypëse, duke treguar po kështu se lidershipi moral është më i fuqishëm se çdo armë.

Isuf Meshi, la pas disa libra. Ai shkroi novelen e mrekullueshme “Nusja,” “Tregimet e Ferrit”, “Antologjinë poetike.”

Ai shkroi monografinë e burgut, Monografinë e Kurtpalëve, Monografinë e Smjal isuf Kosturrit, dhe disa libra të tjerë në dorëshkim nga jeta në burgjet komuniste.

Isuf meshi ishte disident por pas rënjes së regjimit komunist ai më së shumti mbështeti idealet e një shoqërie te lire, civile. Ai ndihmoi në gjetjen e të zhdukurve nga regjimi komunist dhe në lëvizjen më të gjatë të të drejtave të njeriut dhe rehabilitimin e ish të denuarve politike te regjimit komunist.