Pushtetmbajtësi Bashar al-Asad është i vendosur të rimarrë nën kontrollin e tij, Idlibin rajonin e fundit që mbahet kryesisht nga islamistët rebelë. Trupat e tij janë grumbulluar në veriperëndim të Sirisë në këtë rajon. Krahas 3 milionë civilëve, në këtë rajon ndodhen edhe rebelët kryengritës, fuqi mbrojtëse e të cilëve është Turqia. Rusia dhe Irani janë aleate të Asadit.
Turqia kërkon të pengojë sulmin
Qeveria në Ankara i trembet një vale të madhe refugjatësh, në rast të një ofensive ndaj Idlibit. Ajo kërkon të pengojë një sulm të tillë. Por kjo është e pasigurtë. Putin, Erdogan dhe Rohani në fund të fundit konsultohen në Teheran për operacionin e parashikuar ushtarak. Gazeta turke e afërt me qeverinë, “Sabah” shkruan se qeveria turke ka një plan që mund të pengojë ofensivën në Idlib. Sipas saj është parashikuar çarmatimi i 12 grupimeve të ndryshme, mes tyre aleanca xhihadiste, Hajat Tahrir al-Sham (HTS) që kontrollon 60% të provincës. Rusia ka shprehur se do të mbështesë ofensivën kundër HTS dhe ekstremistëve të tjerë në rajon dhe i kërkon Turqisë të ndajë xhihadistët nga grupimet e tjera të moderuara.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Saharova tha në Moskë se ushtarakët turq dhe ata rusë zhvillojnë ndërkohë bisedime për koordinimin e veprimeve. Bëhet fjalë që gjatë eliminimit të terroristëve të mbetet sa më i vogël rreziku për popullisinë civile, tha ajo.
la/(dpa, rtr, afp)