Shefi ekzekutiv i Twitter-it, Jack Dorsey, u tha ligjvënësve amerikanë se algoritmet e kompanisë së tij nuk kanë qenë gjithmonë “të paanshme”.
Ai tha se platforma “padrejtësisht” ka reduktuar dukshmërinë e 600,000 llogarive, duke përfshirë disa të anëtarëve të Kongresit.
Dorsey nuk mundi të thotë nëse shumica e tyre ishin të republikanëve, demokratëve apo të tjerëve.
Dorsey u mor në pyetje nga senatorët amerikanë në lidhje me akuzat se Twitter censuron zërat konservatorë.
Disa republikanë, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, e kanë akuzuar Twitter-in për anshmëri – akuza që kompania i mohon.
“Twitter nuk e përdor ideologjinë politike për të marrë ndonjë vendim, qoftë lidhur me radhitjen e përmbajtjes në shërbimin tonë, qoftë me zbatimin e rregullave”, tha Dorsey.
Megjiithatë, ai pranoi se kompania ka bërë gabime.
Të mërkurën, Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se do të hetojë “shqetësimet në rritje se këto kompani mund të dëmtojnë konkurrencën dhe me qëllim të mbysin këmbimin e lirë të ideve në platformat e tyre”.
Pretendimet për censurë janë rritur pasi Twitter ka shtuar një “filtër për cilësinë” në platformë dhe për rezultatet e kërkimit.