Bisedimet për të mbajtur Kanadanë në bllokun e tregtisë së Amerikës së Veriut pritet të rifillojnë këtë javë, ndërsa dy vendet aleate të hershme kanë qëndrime të ndryshme për çështje si, tregu kanadez i bulmetit, apo përpjekjet amerikane për të mbrojtur nga konkurenca kompanitë farmaceutike.
Presidenti Donald Trump njoftoi Kongresin të premten se synon të nënshkruajë brenda 90 ditësh një marrëveshje me Meksikën, duke zëvendësuar kështu marrëveshjen NAFTA, dhe se ai shpreson që edhe Kanadaja do të bëjë të njëjtën gjë.
Çdo marrëveshje e arritur do të duhet të miratohet nga Kongresi. Presidenti Trump shkruajti sot në Twitter: “Më pëlqen Kanadaja, por ata e kanë shfrytëzuar vendin tonë prej shumë vitesh!”. Shtetet e Bashkuara dhe Meksika arritën të hënën një marrëveshje në të cilën nuk përfshihet Kanadaja.
Paskësaj, Ministrja e Jashtme kanadeze Chrystia Freeland, mbërriti me nxitim për bisedime në Uashington për të ruajtur prezencën e Kanadasë në marrëveshjen e tregtisë rajonale. Por, zonja Freeland nuk arriti të thyejë ngërçin gjatë katër ditë negociatash me Përfaqësuesin amerikan të Tregtisë, Robert Lighthizer.
Palët do t’u rikthehen negociatave të mërkurën. Bisedimet u përkeqësuan të premten, pasi u njoftua se Presidenti Trump ishte shprehur për “Bloomberg News” se nuk ishte i gatshëm t’i bënte lëshime Kanadasë. Presidenti Trump tha se dëshironte që këto komente të tij të mos citoheshin, pasi “do të ofendoheshin dhe nuk do të binin dakort për një marrëveshje”. Megjithatë, zonja Freeland shprehu besimin se Kanadaja mund të arrinte një marrëveshje të re me Shtetet e Bashkuara, që do të kënaqte palët. Ajo tha se “e dimë që një marrëveshje me përfitim për të dyja palët është e arritshme”.
Disa ekspertë ngritën pikëpyetje për taktikën e ashpër negociuese të administratës Trump, duke arritur një marrëveshje me Meksikën dhe duke i bërë presion Kanadasë me mundësinë e mbetjes jashtë.
Kur administrata Trump njoftoi Kongresin vitin e kaluar se synonte të rinegocionte marrëveshjen tregtare NAFTA, kritikët vënë në dukje se ishte parashikuar zhvillimi i negociatave me Kanadanë dhe Meksikën së toku.
Nuk është e qartë nëse ekipi i Presidentit Trump ka autoritetin për të arritur marrëveshje me vetëm një prej këtyre vendeve. Kongresi, i cili ka autoritetin të miratojë ndryshimin e marrëveshjes NAFTA, mund të refuzojë një variant që përjashton Kanadanë.