“Nanbabe më punoi me gjypner”/Nga cikli poetik “Gjysa tjetër n’hije” i poetes Elma Hilgega

Modestinë ma punoi
me gjypner nanababe
nji natë të ftoftë dimni
kur u mor vesh se nuses s’re
i merreshin mendt’ çardakut.

Ma punoi me lesh malësie,
lesh dimni e vere.
Gojëdhanat te unë mbërriten në versionin
se gjyshes i ishte dashtë me shkepë diçka tjetër për me punu’ me modestinë krejt rehat
por jo dhe fort,
sepse për kohën
ishte e pamujtun me u saktësu’ gjinia e bebit,
kjameti, ndonji i motçëm merrte mundimin me e diktu’ nga tiparet që do zhvillonte e zanuna në shtat.
Gjyshes i ishte dashtë me kriju’ diçka që përshtatej për dy gjini.
Asokohe njiheshin veç dy.
E për me i ra shkurt,
modestia jeme përfundoi e bardhë.
Nana ende sot e rrëfen me nostalgji:
-“Ça të shkonte modestia me sytë, moj nanë”!
9 muj’ ma vonë,
u linda unë.

Kur isha femijë,
gjyshja
ma vishte me zor,
më premtonte se do rritej me mu’
e pretendonte premtim se do ia vishja
dhe unë fëmijës tem nji ditë.

Modestine ma punoi
me gjypner nanababe,
nji natë dimni
kur u mor vesh mëkati i nuses s’re
nëpër mahallë.
9 muj’ ma vonë,
u linda unë.