Nga Abdulla Mehmeti – Maqedoni
Sot u organizua një takim i rëndësishëm në Shkup, në organizim të Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut. Pavarësisht nga rëndësia e këtij takimi, në bazë të numrit të pjesëmarrësve të ftuar, të temës së debatit dhe të aktualitetit të çështjeve për të cilat u debatua, siç është Marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin e shtetit, si dhe referendumi që pritet të organizohet më 30 shtator të këtij viti, çuditërisht nuk zgjoi interesim të duhur tek përfaqësuesit e partive politike, sektori ciliv, intelektualët dhe sidomos mediat në gjuhën shqipe, duke lënë përshtypjen sikur shoqëria shqiptare në Maqedoni i ka zgjidhur të gjitha problemet dhe është rehatuar njëherë e përgjithmonë me këto që i ka arritur deri më sot!Çdo ditë mund të lexojmë shkrime autoriale, komente, propozime dhe ide, të tipit „të bojkotohet referendumi“, ose „të përkrahet referendumi“, ndërsa për debatin ku kanë qenë të ftuar publikisht të gjithë, më tepër kanë shfaqur interesim shqiptarët nga diaspora, nga Amerika, Evropa, Australia dhe disa shtete të rajonit, se sa shqiptarët vendës, të cilët duhet t’i preokupojnë këto çështje për të cilat debatet e këtij niveli janë më tepër se të nevojshme. Është befasues sidomos mosinteresimi i mediave në gjuhën shqipe, sikur vërtet kanë pasur ngjarje shumë më të rëndësishme për të cilat i kanë informuar sot qytetarët e vendit, të cilët sigurisht që presin me padurim të informohen për aktualitetet e reja në vend.
Çfarë mund t’i preokupojë këto ditë qytetarët shqiptarë në Maqedoni më tepër se çështja e emrit të shtetit, referendumi që pritet të mbahet më 30 shtator, ndryshimet kushtetuese si obligime që dalin nga Marrëveshja e Prespës, si dhe çështje të tjera lidhur me aktualitetin e ri poltik që po krijohet në Maqedoni, e që më tepër se askënd tjetër duhet t’i preokupojë qytetarët shqiptarë, intelektualët, sektorin civil dhe sidomos subjektet politike.
Për mendimin tim, nga pjesëmarrja në këtë takim shumica do të kishin mundësi jo vetëm të informohen për çështje të aktualitetit politik në vend, por edhe për pozitën e mjerueshme në të cilën gjenden vetë ata, dhe fatkeqësisht nuk janë ende të vetëdijshëm.
Megjithatë, takimi i sotëm dëshmoi se ka individë, subjekte, dhe sidomos frymë të shëndoshë debati ndër shqiptarët në Maqedoni. Pjesa e painteresuar e qytetarëve, sidomos e mediave në gjuhën shipe, dëshmon për shkallë të lartë pakënaqësie, defetizmi, zhgënjimi, pa edhe manipulimi të qytetarëve, të cilët janë ushtruar një kohë të gjatë me dëgjueshmëri, e cila është shndërruar gati në refleks, për të gëlltitur gjithçka që i servon pushteti, subjektet politike dhe propaganda përmes mediave, shumica e të cilave i përçojnë tek qytetarët vetëm porositë e pushtetit, pa çka se realiteti në vend është shumë më i zymtë, ndërsa debatit, fjalës së lirë dhe mendimit ndryshe ka kohë që i është zënë fryma, se është vendosur perde e hekurt mes frymës progresive, interesit të qytetarëve, perspektivës dhe ardhmërisë së shtetitit dhe realitetit të hidhur nëpër të cilin po kalon shoqëria e këtij vendi gjatë viteve të fundit.
Shkup, 18 gusht 2018