Delawie: Ka kufizime çka do të pranojmë në marrëveshjen ndërmjet Kosovës e Serbisë

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie tha të premten se thelbi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të vijë nga palët por sipas tij ka kufizime se çka do të pranohet.

Ai i bëri këto komente nëpërmjet një video mesazhi, ku shprehu përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj sovranitetit dhe suksesit ekonomik të Kosovës.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për rolin historik që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë luajtur për t’i dhënë fund konfliktit në përgjithësi në Ballkan dhe në veçanti në Kosovë. Nuk duam që të kthehen ditët e dikurshme, nuk duam që të shohim një marrëveshje që do të krijonte më shumë probleme se sa që do të zgjidhte. Duam të ndihmojmë në arritjen e një marrëveshjeje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe që i kontribuon qëndrueshmërisë në rajon”,tha amabsadori Delawie duke nënvizuar çdo marrëveshje duhet të garantojë sigurinë për të gjithë qytetarët e saj, duke përfshirë grupet e pambrojtura, serbët e Kosovës dhe kishën ortodokse serbe.

“Javëve të fundit ka pasur pak retorikë të padobishme, duke përfshirë edhe kërcënime dhe gjuhë të tillë që e kemi dëgjuar gjatë ditëve të këqija të dikurshme të komunizmit. Kjo duhet të ndalojë. Deklaratat e tilla minojnë gjasat për zgjidhje dhe i ngritin tensionet. Dhuna dhe kërcënimet për dhunë janë të papranueshme. Ne do të qëndrojmë krah jush gjatë këtij rrugëtimi”, thuhet në video mesazhin e ambasadorit amerikan Delawie.

Muajin e kaluar, debatet rreth ideve të ndarjes së Kosovës u rindezën pasi që ambasadori amerikan, Greg Delawie, nuk deshi të përgjigjej drejtpërdrejtë në një intervistë, nëse Shtetet e Bashkuara e përjashtojnë ndarjen si zgjidhje në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Debatet bënë që vetë ambasadori Delawie të bëj thirrje në rrjetin social twitter që siç tha, të injorohen lajmet e rreme, ndërsa theksoi se qëndrimi i tij ishte se Kosovës i duhet që të gjejë se cilat janë qëllimet e saj dhe i duhet të përpiqet të arrij një lloj konsensusi për ato qëllime.

Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kusht për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian.