Në filmin dokumentar “ALT-RIGHT” “Alternativa e Djathtë”, autori Adam Bhala Lough i hedh një vështrim lëvizjes “Alternativa e Djathtë” në Shtetet e Bashkuara si dhe përbërësve ideologjikë të saj. Lëvizja në fjalë është një grupim politik që kombinon racizmin, nacionalizmin e të bardhëve, antisemitizmin dhe populizmin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou, ky term është përqafuar nga supremacistët dhe grupet e bardha nacionaliste kur i referohen vetes dhe ideologjisë së tyre e cila e vë theksin tek ruajtja dhe mbrojtja e racës së bardhë në Shtetet e Bashkuara.
Me 12 gusht të vitit të kaluar, “Alternativa e Djathtë” organizoi një protestë në Sharlotsville të Virxhinias, në mbështetje të monumenteve të Konfederatës. Tubimi kaloi në dhunë kur nacionalistët e bardhë, që bënin thirrje raciste, u përleshën me kundër-protestuesit. Kundër-protestuesit u identifikuan si antifashistë ose “Antifa”.
Në dokumentarin e tij “ALT-RIGHT: Age of Rage”, Adam Bhala Lough sjell tubimet dhe dhunën që çuan në vdekjen e kundër-protestueses Heather Heyer, që u shtyp me makinë nga një mbështetës neo-nazist. Ndaj shoferit janë ngrikur akuza për vrasje dhe vepra të tjera. Gjyqi i tij pritet të zhvillohet në nëntor. Autori i filmit thotë se faktorë të ndryshëm si ekonomia, imigracioni, madje edhe feminizmi, kanë ushqyer zemërim tek lëvizja “Alterantiva e Djathtë”.
“Ideja e identitetit të bardhë dhe ekzistenca e një krize që të bardhët po kalojnë në planin e dytë, përshembull, nga njerëzit me ngjyrë, nga imigrantët, nga myslimanët dhe kryesisht nga gratë.”
Përmes dokumentarit, autori tregon se si media sociale e nacionalistëve të bardhë fuqizoi “Alternativën e Djathtë”. Se si lëvizja u inkurajua nga komentet e debatuara të Presidentit Trump lidhur me dhunën e “Alternativës së Djathtë” në Sharlotsville.
“Ne dënojmë në termat më të fuqishme, këtë shfaqje skandaloze të urretjes, fanatizmit dhe dhunës nga shumë palë.”
“Ndikoi mbi Sharlotsvillin kur ai fillimisht refuzoi madje të dënonte dhunën dhe pretendoi se të dy palët kishin faj të barabartë”, thotë autori i filmi Adam Bhala Lough.
Ai i hedh një vështrim edhe udhëheqjes së “Alternativës së Djathtë” dhe rolit në rritjen e lëvizjes. Mes tyre Richard Spencer, autori i frazës “Alt-Right” në vitin 2008.
Një tjetër nacionalist i bardhë, Jared Taylor, autor i librit “Ndërgjegja racore në shekullin e 21-të” dhe mbështetës i krijimit të një shteti etniko-racial.
“Jared Taylor është “kumbari” i Alternativës së Djathtë dhe nacionalizmit të bardhë modern. Ai ka ndikim të fuqishëm mes këtij grupi.”
Autori dokumenton dhe grupin “Antifa” ose antifashistët, një përzjerje shpërthyese, armike e “Alternativës së Djathtë”.
“Antifa është polariteti i kundërt i Alternativës së Djathtë. Ata janë ekstremi i majtë. Mes tyre ka që nga socialisti i zakonshëm e deri tek komunisti më ekstrem.”
Autori thotë se faktorët social-ekonomikë kanë çuar në lindjen e dallimeve ekstreme ideologjike, duke eleminuar forcat e mesme të moderuara. Herët a vonë, thotë ai, përkrahësit e “Alternativës së Djathtë” dhe “Antifës” do të gjenden në trajektoren e përplasjes.