Nën moton #rezist në Bukuresht që nga janri 2017 njerëzit protestojnë kundër politikanëve të korruptuar dhe për drejtësi të pavarur. Tani dhjetra mijëra rumunë nga jashtë duan t’i bashkohen protestës.
Në kalimet kufitare perëndimore vërshojnë drejt Rumanisë autokolonat me makina me targa britanike, spanjolle, italiane dhe gjermane. Përmes mediave sociale rumunët nga jashtë vendit nga Skandinavia deri në Portugali prej javësh kanë deklaruar, se duan t’i kalojnë pushimet e verës në Bukurresht, në mënyrë që më 10 gusht të jenë para pallatit qeveritar për të demonstruar për forcimin e shtetit ligjor – një premierë kjo në BE.
Rreth 4 milionë rumunë jetojnë jashtë vendit – kjo shifër përbën 20% përqind të popullsisë së vendit. Shumica e tyre janë integruar mirë në atdheun e ri ku jetojnë. Zhvillimet në atdheun e tyre të dikurshëm ata i ndjekin përmes televizioneve rumune dhe kryesisht përmes rrjeteve sociale. Ata komentojnë me kritikë – edhe në faqen e Facebook-ut të DW – përpjekjet e përsëritura të së ashtuquajturës qeveri social-liberale dhe të kreut të pushtetshëm socialdemokrat të partisë së atij që lëviz fijet Liviu Dragnea, për ta vendosur drejtësinë dhe shtetin ligjor nën kontrollin politik. Rumunët jashtë vendit vazhdimisht organizojnë demonstrata në kryeqytetet e mëdha europiane, për t’u solidarizuar me shtetasit në atdheun e tyre, që janë të indinjuar nga korrupsioni në vend,
Por tani rumunët në diasporë nuk duan të jenë më në periferi, por në qendër të protestës. Ata duan të jenë pjesë e shoqërisë, për të cilën ata çdo vit financojnë mbi tre miliardë euro, sipas të dhënave të Entit kombëtar të Rumanisë për Statistikat. Vetëm në dhjetë vitet e fundit rumunët – kryesisht ata nga vendet e BE – kanë transferuar në Rumani rreth 40 miliardë euro. Infermierë, mjekë, ekspertë të IT-së, apo punëtorë ndërtimi apo shoferë, ata të gjithë i mbështesin familjet në atdhe e në këtë mënyrë edhe ekonominë e vendit. Pa këto para të fituara me mund shumë familje në Rumani do të duhej të jetonin nën kufijtë e varfërisë. Pa konsumin nuk do të mund të funksiononte motori i ekonomisë rumune. Për këtë arsye shumë rumunë në diasporë e konsiderojnë si legjitime që ata të ndërhynë në mënyrë aktive në jetën politike të vendit.
Pakënaqësia e tyre javët e fundit është rritur, pasi politikanë të partisë në pushtet PSD dhe mbështetësit e tyre janë shprehur vazhdimisht me fjalë fyese ndaj rumunëvë jashtë vendit, duke përdorur shprehje si „lypësa, hajdutë e prostituta” apo „Lumpendiasporë”, e paguar nga hebreo-amerikani miliarder dhe filantropi Soros, e manipuluar prej Brukselit për të destabilizuar Rumaninë – të tilla “informacione” të ngjashme transmetohen çdo ditë prej televizioneve nën kontrollin e qeverisë. Edhe për këtë arsye ato duan të protestojnë.
„Jo vetëm që qeveritarët në Bukuresht na injorojnë, por tani edhe na ofendojnë”, thotë me indinjatë Dana Hering, e cila punon si infermiere në Suedi. Mes rumunëve në vendlindje dhe atyre jashtë vendit nuk duhet të ketë ndryshim – ky është mesazhi qendror i protestuesve. Këtë e thekson për DW edhe Cristian Presura. Ai punon si studiues në Holandë dhe i hedh poshtë akuzat e shpifura, sipas të cilave “diaspora” është paguar, për të marrë pjesë në protestë në Bukuresht: „Ne nuk na janë vënë në dispozicion automjete falas për të udhëtuar” – duke nënkuptuar mënyrën se si partia në pushtet i sjell përkrahësit e saj nëpër manifestime në kryeqytet. „Ne i paguajmë vet biletat e avionit, ne i organizojmë vet pushimet tona në atë mënyrë, që të jemi këtu në kohën e duhur”, shton ai.
Gabriela Mirescu nga Zyrihu është e bindur, se shpifjet ndaj rumunëve jashtë vendit nga qeveria flasin qartë për frikën nga fuqia që ka disapora. „Në botën e jashtme rumunët shohin se si funksionon shoqëria demokratike. Tani ata duan, që kjo të bëhet e mundur edhe në vendin e tyre”. Shumë rumunë brenda vendit do t’i bashkohen protetstës së diasporës./Robert Schwartz / D.W./