Në një koment në Twitter, Presidenti Trump thoshte se tarifa për importet e aluminit do të arrijë në 20% ndërsa për çelikun 50%, ndërkohë që lira turke “po rrëshqet me shpejtësi në rënie kundrejt dollarit tonë shumë të fortë!”
Zoti Trump deklaronte gjithashtu se, “Marrëdhëniet e SHBA me Turqinë nuk janë të mira tani!”
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy zyrtarëve turq në fillim të këtij muaji lidhur me një pastor amerikan të ndaluar, i cili po gjykohet për spiunazh dhe akuza për terrorizëm.
Turqia deklaroi se do të hakmerrej dhe paralajmëroi se masat amerikane do të dëmtonin më tej marrëdhëniet midis dy aleatëve.
Komentet e Presidentit Trump shkaktuan një rënie të mëtejshme të monedhës turke, e cila ra 13 për qind brenda ditës.
Ndërkaq, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri thirrje për qetësi. Ai u bëri thirrje njerëzve të këmbejnë paratë e huaja në lira.
Zoti Erdogan tha gjatë një fjalimi për mbështetësit e tij: “Këmbejini eurot, dollarët dhe arin që mbani nën jastëkët tuaj në lira në bankat tona.”
Ai u duk se fajësoi të huajt se po përpiqen ta dëmtojnë Turqinë, duke thënë: “Ky do të jetë reagimi i popullit tim ndaj atyre që po bëjnë një luftë ekonomike kundër nesh”.