Një raport i Institutit të Studimeve Politike hedh dritë mbi qasjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj subjekteve duke u bazuar në numrin e vendimeve për shkarkim apo konfirmim të dhënë prej tyre.
Autor: Vladimir Karaj | BIRN | Tiranë
Bazuar në vendimet e marra në 51 çështje të shqyrtura nga marsi deri në fillim të gushtit, ISP pas monitorimit të procesit i ka renditur gjykatësit mbi bazë të numrit të çështjeve që kanë shqyrtuar dhe qëndrimit që kanë mbajtur.
Sipas të dhënave të publikuara nga 12 anëtarë, 5 anëtare të KPK-së kanë dhënë më shumë vendime shkarkimi se sa konfirmimi. Po ashtu analiza e ISP zbulon se nga të dhënat e deritanishme, prokuroret dhe gjyqtaret femra janë konfirmuar në detyrë gati dy herë më shumë se kolegët e tyre meshkuj.
Raporti i ISP, i publikuar të enjten po ashtu thekson se pavarësisht pritshmërive “problemi më i madh me të cilin po ndeshet reforma nuk është rezistenca politike apo kritikat nga brenda e jashtë sistemit, por boshllëku i krijuar në fazën e tranzicionit midis procesit të vetingut dhe krijimit të institucioneve të reja, si dhe vonesat e shumta në ecurinë e jetësimit të reformës dhe të institucioneve të reja”.
Megjithatë sipas raportit në fund të fazës së parë të vetingut “mund të bëhet një vlerësim paraprak për produktin e KPK dhe ecurinë e procesit të vendimmarrjes së tij” dhe po ashtu përmes një databaze mund të krahason edhe qëndrimet brenda komisionit, për të parë “komisionerët më të “ashpër” dhe ata që konsiderohen më “liberalë”.
Brunilda Bekteshi, Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, janë anëtaret e KPK-së që sipas ISP-së kanë dhënë më shumë vendime shkarkimi. Lista fillon me Bekteshin që ka votuar për shkarkim në 60 për qind të çështjeve, Çiftja ka vendosur për shkarkimin në 57 për qind të rasteve, ndërsa Pine dhe Sanxhaktari – të cilat kanë numrin më të madh të çështjeve të shqyrtuara, janë shprehur pro shkarkimit në 53 për qind të rasteve.
Në këtë listë është po ashtu edhe Alma Faskaj, e cila ka mbajtur qëndrim për shkakrimin e gjykatësve apo prokurorëve në 60 për qind të çështjeve ku ka marrë pjesë, por Faskaj ka qenë pjesë e trupave gjykuese në vetëm 5 çështje.
Në krahun e “të butëve” është Firdes Shuli e cila në 82 për qind të vendimeve ka qenë pro konfirmimit të gjykatësit apo prokurorit të shqyrtuar. Pas saj me 79 për qind vendime pozitive është Roland Ilia, Suela Zhegu me 67 për qind dhe Pamela Qirko me 62 për qind. Me më shumë konfirmime se shkarkime janë edhe Genta Tafa (Bungo) drejtues e KPK-së, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komiçi.
Nga të dhënat e publikuara nga ISP rezulton se ka ndërkohë një ndarje të qartë gjinore mes atyre që shkarkohen dhe atyre që konfirmohen. Përqindja e gjykatësve dhe prokurorëve burra që ia dalin të kalojnë me sukes procesin e rivlerësimit është shumë më e ulët se ajo e kolegeve të tyre gra.
Sipas ISP vetëm 39 për qind e meshkujve gjykatës dhe prokurorë të përfshirë në proces rivlerësimi janë konfirmuar. Përkundër kësaj 69 për qind e femrave gjykatëse dhe prokurore kanë kaluar me sukses procesin e vetingut.
Ndërkohë sipas ISP megjithëse vendimarrjet e KPK dhe të strukturave të tjera të rivlerësimit janë të pavarura, “në disa raste ka pasur debate dhe kritika publike nëse vendimmarrjet bazoheshin në standard të njëtrajtshme për subjekte të ndryshme të rivlerësimit dhe nëse ka pasur ndërhyrje nga jashtë në vendimmarrje”.
Raporti thekson se në të paktën katër raste Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik kanë apeluar vendimet e KPK-së, ndërsa në pesë raste vetë komisioni ka qenë i ndarë duke marrë vendime me shumicë votash.
Raporti po ashtu vlerëson ndikimin e krijuara nga zbatimi i reformës në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe mosngritjen e institucioneve të reja. Duke përllogaritur kohën e marrë për rivlerësim deri tani ISP thotë se emërimet në këto institucione mund të fillojnë në vjeshtë të këtij viti.