Edi Rama, ky friend i vrerosur

Nga Besnik Mustafaj      

Edi Rama është përdorues i sëmurë i rrjeteve sociale. Sidomos i Facebook –ut dhe Twitter-rit. Një çrregullim i tillë psikologjik do të ishte një problem personal i tij, sikur ai të mos ishte kryeministri i Shqipërisë, njeriu de facto më i pushtetshëm i vendit, gjykimi, sjellja dhe vendimet e përditshme të të cilit kanë një rëndësi shumë të madhe, shpesh herë edhe përcaktuese për jetën publike të shoqërisë tonë. Fatkeqësia jonë që na e solli të jemi qytetarë të këtij vendi, nën qeverisjen e tij, në këtë periudhë.

Po çfarë thotë Kryeministri nëpër statuset e veta në Facebook apo në Twitter?

Bën të vetmen gjë, që Edi Rama di të bëjë shumë mirë: shan me rrënjë e me degë dhe denigron kë t’i dalë përpara. Kryesisht opozitën, për të cilën ka aktivizuar një arsenal gjuhësor negativist të pashembullt. Shan po kaq rëndë edhe gazetarët, ndonjë përfaqësues të shoqërisë civile që guxon të shprehë pakënaqësi ndaj qeverisjes së tij, shan me rrënjë e me degë dhe hallexhinjtë, ”popull” këta, të cilët i ka ftuar vetë t’i drejtohen në këto rrjete takimesh virtuale për t’i thënë të vërtetën. Dhe ata janë mashtruar, të shkretët. Kanë besuar se Kryeministri dëshiron sinqerisht të njohë të vërtetën. Në rastin më të mirë Edi Rama i quan ata shpifës e syleshë, të shitur te Saliu e te Shqupi. Por, më së shpeshti u ‘lëron nënën’. Është një fjalor i pistë rruge, i papërfytyrueshëm për të dalë nga goja e njeriut më të pushtetshëm të vendit. Por, ja që kështu ndodh. Vrer! Çfarë do të thonë nesër studiuesit e Shkencave Politike, të cilët natyrshëm që do të bëjnë objekt të kërkimeve të tyre ligjërimin publik të Kryeministrit të Shqipërisë së kësaj periudhe? Sigurisht që në analizat e tyre do të dalim të përbaltur edhe ne, që e dëgjuam dhe e duruam logorenë e Kryeministrit. Heshtja qytetare ndaj kësaj gjuhe është shenjë e frikës së madhe të qytetarëve. A kishin nder ata njerëz, a kishin sedër? do të thuhet për ne. Me të  drejtë. Frikacakët nuk meritojnë respekt as post – mortum.

Kjo gjuhë, fund e krye parapolitike, përbën pjesën dërrmuese të krejt komunikimit publik të Kryetarit të Qeverisë tonë. Kryeministri ynë mendon se politika në Shqipëri nuk është një punë serioze. Rrjedhimisht, edhe komunikimi publik, si pjesë substanciale e veprimtarisë politike, nuk është diçka serioze. Ai mendon kështu sepse është i bindur se populli shqiptar nuk është një popull serioz. Kjo bindje i është rrënjosur përfundimisht, sidomos pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të kaluar, ku ai ndoqi për herë të parë strategjinë e ndershmërisë në kuptimin që ka ai për nderin. Ai nuk gënjeu, siç e ka zakon kur bën premtime përrallore, me premtime që nuk do t’i mbante. Gjatë gjithë fushatës ai i kërkoi popullit të vet timonin. Më jepni timonin! u tha njerëzve. E dua ta kem i vetëm. Dhe u tregoi tepsinë. Një tepsi të vërtetë prej alumini, nga ato që përdoren për të bërë byrekë dhe bakllava. Po ta kem timonin i vetëm, tha dhe përsëriti, askush nuk do të afrohet te tepsia për të marrë llokma. Dhe njerëzit, me hir apo me pahir, por sidomos me hir, ia dhanë timonin bashkë me tepsinë. Edhe pse nuk kam votuar për të, mua më vjen turp që kam qënë bashkëkohës me këtë ngjarje. Edi Rama i njeh shumë mirë zgjedhësit e vet dhe i shpërblen me poshtërim.

E keqja bëhet edhe më e madhe kur opozita, vetë Kryetari i opozitës, u përgjigjet sharjeve dhe shpifjeve parapolitike të Kryeministrit në të njëjtën mënyrë: me një gjuhë të helmuar parapolitike. Qoftë edhe për të na respektuar ne, që e kemi votuar. Kryetari i opozitës duhet ta ruajë nivelin e polemikës që i shkon atij dhe të shprehet me një gjuhë seriozisht politike. Dhe jo çdo ditë, në Facebook e në Twitter, edhe ky. Nuk është atje vendi për t’i dhënë përgjigjet, të cilat i kërkojnë sfidat e kohës dhe jo vaniteti i Kryeministrit. Sytë e vërbërve, siç do të thoshte Profeti Isaia në Dhjatën e Vjetër, nuk çelen duke shtuar errësirën.

*Editoriali është shkuar enkas për Politiko. Ndalohet riprodhimi i plotë i tij pa lejen eksplicite të Politiko.al.