Nga Mujë Bucpapaj
Fondacioni Biberaj, më 14 korrik 2018, shpalli nga Nju Jorku se kishte ndarë një fond prej 2.5 milion dollarësh për t’u bërë të mundur të rinjve shqiptarë për të ndjekur studimet për gradën Master në SHBA.
Ndërsa prej tre dekadash tranzicion demokratik jemi ambientuar me lajme për abuzime të zytarëve apo familjeve me pushtet me fondet publike, me individë që nëpërmjet përfitimesh të dyshimta nga bashkëpunimi me qeveritë kanë ngritur të ashtuquajtura univeristete private, shpesh spekulative, apo “piramida” për të rjepur mijëra të rinj dhe familjet e tyre, në Shqipëri, në Kosovë apo edhe në Maqedoninë Përendimore, lajmi se familja Bibraj në SHBA, ka dhuruar një donacion prej 2.5 milion dollarësh , për bashkë-financimin e Programit të Studimeve të Gradës Master të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit “për të mbështetur profesionistët Shqiptarë”, është i gezueshëm dhe shpresëplotë për qindra shqiptarë të rinj shqiptarë që duan të studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Fondacioni Biberaj, bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi publik, se projekti i tij të parë, kishte si qellim “për t’u dhënë profesionistëve të rinj shqiptarë dhe udhëheqësve të ardhshëm një mundësi të veçantë për të ndjekur studimet për gradën Master dhe për të kryer praktika profesionale në fushat e Menaxhimit dhe Administrimit të Biznesit, Trashëgimisë Kulturore, Eko-Turizmit dhe Mikpritjes, Arsimit, Teknologjisë Informative, Shkencave Kompjuterike, Politikave Publike dhe Administratës Publike.”
Familja Bieraj themelon kështu një traditë të shërbimit kombëtar, me bujari dhe patriotizëm në një fushë të rëndësishme sic është arsimimi i të rinjve shqiptarë në 50-vjetorin e mbërritjes së saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Familja Biberaj, ndërsa filloi 50 vjet më parë jetën e veshtirë të emigracionit politik, bëri cdo përpjekje për të mbajtur të fortë përkatësinë kombëtare shqiptare. Edhe pse atdheu u kishte mbyllur portat me urrejtje, si shumë kundërshtarëve të tjerë ideologjikë që ishin detyruar të linin vendin pas instalimit të regjimit stalinist, Biberajt ndërsa u integruan me dinjitet në shoqërinë amerikane, ruajtën të paprekur ndjenjat për tokën e të parëve.
Edhe pse një familje tradicionale shqiptare me shumë femijë, ata ja dolën mbanë sfidës amerikane falë kurajës së prindërve të tyre, të fortë, punëtorë dhe bujarë, si dhe zellit për të parë ëndërrën amerikane te funksionojë edhe për femijët e tyre. Si pak familje shqiptare që mbërritën në SHBA më 1968, Hysen Biberaj arriti me sakrifica të mëdha të shkollonte të gjithë fëmijët në universitet e njohura amerikane në arsim, teknologji, drejtësi, shërbim publik, financa, tregti, pasuri të patundshme dhe arte, etj.
Dr. Elez Biberaj është mjaft i famshëm në hapsirat shqiptare në Ballkan, prej vitit 1980 kur filloi punën si gazetar i VOA, pas vitit 1989 si shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe prej vitit 2004 si Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë.
Një dyzinë librash dhe studimesh të tij të nivelit shumë të lartë, kanë hedhur dritë mbi Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Boterore. Studimet për Shqipërinë e izoluar dhe totalitare ia lanë vendin analizave të rëndësishme për Shqipërinë demokratike në trazizion pas vitit 1990 e në vazhdim. Roli i tij tek Zëri i Amerikës ka qënë dhe është i madh në demokratizimin Shqipërisë, lirinë e Kosovës dhe zhvillimin demokratik të shqiptarëve në rajon. Ky rol është i pranuar nga të gjithë dhe për këtë ai ka siguruar një mirënjohje të përhershme në hapsirat shqiptare.
Vellëzirt Biberaj ia kanë dalë të jenë të sukseshëm edhe në fushën e bizensit dhe filantropisë. Dr. Hasan Biberaj është një emër i mirënjohur i biznesit dhe shembull i suksesit shqiptar në SHBA, në fushën e sipërmarrjes së lirë. Ai bashkë me vellezërit tjerë, janë të gjithë të përkushtuar ndaj ceshtjes shqiptare. Të gjithë bashkë si familje i kanë sherbyer me largpamësi forcimit të maredhënjëve të shqiptarëve me SHBA-të, si rrugë e vetme që shqiptarët në rajon të forcohen dhe të ecin përpara si aleatë besnik të SHBA-ve, demokracisë dhe përendimit.
Njoftimi për krijimin e Fondacionit Biberaj është një lajm i mirëpritur për mijëra studentë shqiptarë dhe profesionistë të rinj.
Është krejt e qartë se përvojën e tyre të sukesshme Amerikane, në shkollimin, përparimin dhe arritjet mbresëlënëse në një vend të lirë si SHBA-të, Biberajt duan ta ndajnë me të gjithë shqiptarët në rajon dhe sidomos me të rinjtë shqiptarë. Kjo mendoj unë ka qënë zgjidhja me e drejtë dhe vendimi më i mirëpritur.
Familja Biberaj e cila qe detyruar të linte Atdheun disa dekada më parë mbijetoi dhe arriti sukes në një vend të madh dhe të lirë, falë integritetit të tyre të lartë, kurajës dhe punës së pandërprerë.
Familja Biberaj nuk kërkoi asnjë favor, asnjë dëmshpërblim nga atdheu për braktisjen, mohimin, përsekutimin dhe përndjekjen ideologjike.
Përkundrazi, kjo familje emigrantësh politikë, sipas slloganit të Xhon Kendit: ”Mos pyet se cfarë bëri Amerika për ty, por cfarë bëre ti për Amerikën”, po i dhurojnë Atdheut të tyre një donacion të madh për ta nderuar atë dhe studentët e talentuar shqiptar.”
Historia e emigracionit shqiptar është e ndryshme. Shumë shqiptarë që lindën jashtë qëndruan, por shumë të tjerë e humbën identiten e tyre kombëtar për shumë arsye, por familja Biberaj ndërsa u integrua me sukses në jetën amerikane nuk i harroi kurrë rrënjët shqiptare. Një familje me njerëz të fortë, intelektualë të shquar që nuk i këputën kurrë lidhet e tyre me Adheun.
Tradita e bamirësisë dhe filantropisë që po e ringjallë Familja Biberaj, ka qënë e njohur edhe në vendin tonë, sidomos gjatë periudhës së monarkisë së Mbretit Zog I. Janë të njohura disa familje të shquara si ajo Turtulli nga Korca, e cila ka dhënë donacione për shkolla, biblioteka apo institucione të rëndësishme publike.
Ardhja e regjimit komunist e ndërpreu këtë traditë, si dhe shumë tradita të tjera humaniste. Pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, shumë familje janë pasurur si rezultat i bashkëpunimit me qeveritë dhe adminstratat e radhës, apo në mënyra të ndryshme. Një pjesë njihen me emra, pasi janë bërë objekt edhe i deklarimeve të herëpashershme të diplomatëve perëndimorë, por asnjëra prej tyre nuk ka bërë ndonjë donacion për arsimin, për kulturën, letërisnë dhe artet shqiptare të rrezikuara dhe të kërcënuara nga mungesa e fondeve. Asnjë prej tyre nuk ka dhënë një bursë për një student shqiptar për të ndjekur studimet në një univeristet të njohur në Europë apo SHBA. Është dëshpëruese kur sheh një klasë sipërmarrësish të palidhur me vendin dhe kombin e tyre, me kulturën dhe letërsinë apo artin shqiptar.
Askund në Europë nuk gjëndet një panoramë e tillë kaq trishtuese dhe zhgënjyese ku ka një shpërngullje masive të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve europiane apo ku të mundin nëpër botë.
Ndërsa Shqipëria dhe hapsirat shqiptare janë duke u ballafaquar me ikjen e trurit dhe emigrimit të të rinjve dhe elitave të reja, Fondaconi Biberaj krijon mundësinë që këta të rinj të shkollohen në SHBA, por edhe të rikthehen pas shkollimit në vendin e tyre.
Pas më shumë se 3 dekadave, qeveritë kanë deshtuar të stimolojnë dhe mbeshtesin të rinjtë e talentuar në shkollat më të mira amerikane, apo europiane. Edhe “Fondi i ekselencës” i dedikuar për këta të rinj që shkelqejnë, nuk ka dhënë ndonjë rezultat, ndërsa ka patur shumë zëra se fondet kanë devijuar duke i marrë të rinj që nuk e kanë merituar, që janë favorizuar për shkak të ndërhyrjeve politike apo njohjeve politike etj.
Disa qindra të rinj që përfundojnë shkelqyer studimet në nivelin Bachelor në Shqipëri nuk arrijnë të kryejnë specializime të nivelit të masterit në SHBA apo në përendim për shkak të pamundësisë financiare. Kjo nuk i ka bërë mirë vendit dhe të ardhmes së tij.
Gjatë këtyre 28 vjetëve të fundit vendi vertetë pësoi ndryshime dramatike të kalimit nga totalitarizmi në demokraci, duke shënuar shumë arritje të hapjes, integrimeve euroatlantike, të sipërmarrjes së lirë dhe funksionimit të demokracisë, por vendi nuk arriti të ndertojë një sistem arsimor konkurent. I futur në një rreth vicioz nga njëra reformë në tjerën, nga njeri projekt apo model në tjerin, sipas ndërrimit të qeverive apo të kabineteve ministrore, pa u konsiliduar dhe prodhuar rezultate, sisetemi arsimor konsiderohet i dobët pikërisht edhe për shkak të këtyre reformave të stërzgjatura dhe që nuk po mbrojnë kurrë.
Lajmi se fondacioni Biberaj do të mbeshtesë pikërisht studentëtë më të mirë shqiptarë, është pritur shumë mirë. Gazeta Nacional që botoi lajmin ka marrë me dhjetra mesazhe nga të rinjtë shqiptarë që e kanë mirëpritur këtë projekt dhe falenderuar atë, pasi duket serioz dhe i manaxhuar mirë. Këtë besueshmeri ja jep vetë familja Biberaj, por edhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit.
Në kushtet e rënjes së besimit, në mos të deshtimit të elitave drejtuese në vend, përgaditja e elitave të reja në SHBA sjell shpresë për qytetarët shqiptar.
Fondacioni Biberaj, sic u shpreh edhe zëdhënsi i tij Cen Biberaj, një pinjoll me të ardhme i famlijes Biberaj, i mirëshkolluar, një i ri shumë i sukseshëm në SHBA, do t’u sigurojë studentëve shqiptarë një diplomë me reputacion ndërkombëtar , e kjo është shumë e rëndësishme.
Marrja e një diplome master në univeritetet amerikane i mundëson studentëve shqiptarë të ndjekin një karrierë të sigurtë profesionale në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, por edhe në nivel nderkombëtar.
SHBA-të janë një nga destinacionet më të njohura për një diplomë masteri , pasi u mundëson studentëve një program akademik me cilësi të lartë dhe të kompletuar.
Një master në SHBA është një hap i sigurtë për një karrierë të sukseshme, pasi haspirat shqiptare kanë nevoja të ngutshme për profesionistë të rinj për t’iu përgjigjur sfidave që ata kanë në shekullin e 21-të.
Shumllojshmeria e masterit të afruar nga fondacioni Biberaj u jep mundësi studentëve shqiptar të zhvillojnë më tej karrierat e tyre të ardhshme për të qënë vertetë të dobishëm për vendin.
Duhet një ripërtritje e elitave që vendi të shkojë përpara, që të mbulohen dificitet e medha që ka pësuar gjatë tranzicionit të gjatë dhe kaotik, ku shpesh vlerat janë shkelur më këmbë, përjashtuar nga drejtimi dhe mbetur rrugëve, ndërsa institucionet publike, përfshirë edhe parlamenti janë okupuar nga njerëz të ardhur nga bota e krimit, apo me lidhje të forta me të.
Në përspektivë transformi i institucioneve ligjore, ekonomike e kulturore duke sjellë përvojën jetike amerikane, duke marrë edhe rol udheheqës në të ardhmen, do të ishte një investim i elitave të reja për vendin.
Shqiptarët, ashtu si edhe familja Biberaj, i janë mirënjohës SHBA-ve, për cdo arritje që kanë shënuar në liri dhe demokraci, por edhe për mundësitë që i kanë krijuar vetë famijes Biberaj, e cila emigroi atje 50 vjet më parë për t’i shpetuar përndjekjes komuniste, për të arritur sukesesin e madh në atë vend të lirë dhe të begatë dhe që tani kanë mundësi ta ndajnë këtë sukses edhe me shqiptarët e tjerë në Atdhe.
I urojmë suksese Fondacionit Biberaj !