E ASHTUQUAJTURA “REPUBLIKË E MIRDITËS”

Nga Nikollë Loka- Historian

Mirdita dhe Kongresi Kombëtar i Lushnjës

Mirdita që kishte patur një rol të shquar në historinë kombëtare, doli nga Kongresi i Lushnjës pa një përfaqësues të vetin në Qeveri, që për Mirditën duhet të ishte nga Dera e Gjomarkajve. Por Qeveria e emëroi Marka Gjonin Reis të Komisionit të Kanunit Xhibal të Mirditës me një rrogë mujore prej 400 franga ari në muaj, ndërsa për organizimin e administratës shtetërore, heshti, premtonte, por nuk bëri asgjë.[1] Me këtë organizim, Mirdita vazhdonte të mbetej e izoluar nga pjesa tjetër e vendit dhe shteti hiqte dorë nga disa detyrime që kishte ndaj saj si krijimi i xhandarmërisë, krijimi i komunave, i Nënprefekturës dhe programet për zhvillimin ekonomik dhe kulturor. Me mungesën e vullnetit për ta integruar shpejt Mirditën në strukturat shtetërore, Qeveria bëri gabime të mëdha. Diferencimi që i bëri nuk kishte të bënte fare me njohjen e privilegjeve të vjetra, se Mirdita nuk i kërkonte ato privilegje në shtetin e vet, por me lënien e saj pasdore në prapambetje dhe izolim. Me këtë veprim, edhe Marka Gjoni nuk vlerësohej. Ai kishte qenë zevendësi i Bibë Dodës dhe pastaj i Prengë Bibë Dodës dhe Kapidani që merrej drejtpërdrejt me drejtimin e Krahinës, pasi Bibë Doda dhe Prengë Bibë Doda u angazhuan në politikën mbarëkombëtare. Marku e shoqëroi Prengë Bibë Dodën në takimet e rëndësishme me autoritetet osmane. U internua nga autoritetet osmane në Mosul të Irakut në vitin 1896 dhe pas pesë vjet internimi arratiset e vjen në Mirditë.[2] Ai ishte komandant i forcave të Mirditës në kryengritjen e përgjithëshme antiosmane të vitit 1912, përfaqësuesi kryesor i Mirditës në beslidhjet ndërkrahinore të Lurës[3] dhe të Rubikut.[4] Përfaqësoi Mirditën në Kuvendin e Shkupit dhe  kërkoi autonomi të plotë administrative deri në pavarësi të plotë nga Perandoria Osmane.[5] Ishte njëri nga drejtuesit kryesore të forcave të Mirditës kundër rebelëve të Haxhi Qamilit.[6] Për të gjitha këto merita, atij i takonte një vend si delegat në Kongresin e Lushnjës.

Pavarësisht se mbeti i pakënaqur nga pozicioni që i dhanë, Marka Gjoni e kishte pranuar detyrën e drejtuesit Kanunor të Mirditës, prandaj me 11 dhe 12 prill të vitit 1920, fillimisht në Shpal dhe pastaj në Orosh mblodhi krerët e 12 bajrakëve e ra në ujdi për administrimin e vendit, në bashkëpunim me qeverinë.[7] Këto mbledhje krerësh tregojnë se në Mirditë po shikohej nga e ardhmja, drejt zhvillimit. Ishte kërkuar që përfaqësues të Qeverisë, oficerë dhe gjykatës të rregullonin të gjitha mosmarrëveshjet e pranishme.[8] Mirditasit mendonin se me vendosjen e administratës shtetërore mund të shkruheshin shumë vetë xhandarë. Gjithashtu, po të vendosej qetësia mirditasit do të shkonin në punë stinore edhe jashtë Krahinës, duke ndikuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike.[9] Meqenëse qeveria e bëri veshin e shurdhër ndaj kërkesave dhe nuk mori asnjë masë, krerët i kërkuan Marka Gjoni që të merret vesh me autoritetet shtetërore në Tiranë.[10]

Marka Gjoni dhe Mehdi Frashëri

Në zbatim të vendimeve të Kuvendit të Krerëve, Marka Gjoni u takua me Ministrin e Brendshëm Mehdi Frashërin. Dom Ndoc Nikaj në librin “Kujtime të nji jete të kalueme” shkruan: “Mirë, po”,-i tha Marka Gjoni, kur drithi asht aq lirë përtej kufinit, përse nuk interesohet qeveria me e çelë kufinin e me lanë të lirë kufijarët për me e marrë drithin në Serbije? N’ato fjalë, Mehdi Frashëri u krepatue, muer nji sjellje krenie, gati sikur me diftue vedin se ishte në nji kambë të naltë, ku kishte tjerët nen vedi, nuk më bjen në mend se çë fjalë i tha Marka Gjonit se Qeverija nuk do të ndigjonte pallavrat e tyne e se kishte për t’jau qitë farën. N’at fjalë Marka Gjonit i kcej gjaku në krye e idhnak sikur ishte e guximtar, brofi në kamë me vrull e u turr kah Ministri për me e kapë në fyt. Unë i habitun për at të papritme i dola para Marka Gjonit qi mujta me e ndalue mu te skaji i tryezës. Mehdi Frashëri në kambë kje zverdhë e bamë si i vdekun. Marka Gjoni mbasi pat ndalue turrin,- “mos të kjofsha falë i briti me të madhe, eja ma qit farën se të pres kuer të duesh!”…Mehdi Frashëri belbëtoj edhe disa fjalë kadal nëpër dhambë e Marka Gjoni tue turfullue duel për dere të zyrës, u bashkue me mecat qi pat lanë roje mbas dere t’Ministrit, t’armatosun sikur ishin gjithherë. Marka Gjoni u kthye n’Shkodër e prej andej duel në Mirditë. Kaloj në Serbije e muer lejen me ble kallamoq atje. U këthye n’Orosh, mblodh krent e vogjlin dhe u diftoj hapat e bame në të dy anët për me ju ardhë në ndihmë popullit. Çeli rrugën e Serbijes qi qeverija shqiptare e pat ndalue e duel për drithë ai e mirditësit e tjerë qi shuen zien e bukës qi patne pasë parandej”.[11] Thuhet se paria e bajrakëve Orosh, Spaç dhe Fan bashkë me tre famullitarët e tyre i ishin lutur Marka Gjonit me u çelë udhën e Prizrenit se “fukaraja janë tue dekë unit prej shtrejtimit të drithit”.[12] Pavarësisht nga veprimet e Mehdi Frashërit, që siç duket zbatonte një skenar përjashtues ndaj Mirditës, mirditorët me urtësi patën deklaruar se “me njet e me zemër jemi me qeverinë” dhe kishin paralajmëruar se “Serbia po fut shumë pare, por na krenët nuk marrim paret e hasmit tonë”. 

Por, në vend që të reflektojë mbi kërkesat e shtetasve të vet, Qeveria Shqiptare alarmohet për vizitën e Marka Gjonit në Serbi dhe sigurimin e lejes prej tij për të blerë drithë atje dhe në kohën kur Marka Gjoni nuk kishte shpallur asnjë projekt politik që binte ndesh me integritetin e Shqipërisë, organet shtetërore në Lezhë dhe Shkodër i propozonin qeverisë një veprim ushtarak kundër Mirditës. Operacioni ka filluar para se Marka Gjoni të shpallë të ashtuquajturën “Republikë të Mirditës”.[13] Me 14 maj të vitit 1921 Prefektura e Shkodrës njofton Ministrinë e Punëve të Brendëshme: ”Po ju çojmë raportet e Lezhës të datës 9 maj të vitit 1921 dhe të Mirditës të datës 12 maj të vitit 1921 mbi të shkuemit e Marka Gjonit në Serbi. Gjendja ka rëndësi tepër të madhe; kërkohet nji veprim ushtarak i shpejtë e fuqishëm. Popullsia mendon të mbrojë çashtjen qeveritare, ka dishirë të plotë të shofin e të njofin ligjet e shtetit, i cili deri sod asht tregue tepër i ngurrueshëm. Kjo prefekturë propozon nxehtësisht nji operacion të fuqishëm në Mirditë e Pukë. Presim udhëzime”.[14]

 Mbasi ia nisa llogarit e vjetra, po qëndrojmë nji herë këto e mbasandej po fillojmë të rejat. Kryengritja e Mirditës në 1921, si m’a ka tfillue vetë Kap. Gjoni, ka lemë kështu: Kap. Marka Gjoni paska pasë shkue në Tiranë për me i qa qeverisë s’asaj kohe, ku Mehdi Frashëri ishte Min. P.P, të Mbrendshme, hallet e Mirditës: rruga, shkolla, et. Ministr’ i ynë e prêt jo vetëm pa kurrnji konsideratë, por edhe me fjalë t’ashpra tue i thanë se Mirdita para se me kërkue sakrifica prej Shtetit lypset të fillojë vetë me bamë detyrat qi përkasin kundrejt këtij: me dorzue pushkët, pikë së pari, e mandej me la taksat si gjithë qytetarët tjerë! Fjalët ndërmjet të dyve xehen keqas e Kapidani del tym e flakë pa u përshendetun me Ministrin. Edhe aty e n’Orosh. Atje mbledh parin e vendit e i difton çaf i kishte thanë ministri, pra për të Qeverisja: me dorzue armët e me pague taksat. Përmbi këto themela kaq të thjeshtë ti mund t’i shpjegosh vetë tash faktet qi kanë rrjedhë. Natyrisht për nji okcidental qi nuk njeh Shqipnin e aq ma pak Mirditën, as historin e ksaj e as kokën e Markagjonit, Ministri mund të dënohet vetëm si njeri pa takt. Por i gjykuem në dritën e rrethanave t’ona t’asokoshme e të zakonshme, Mehdi Frashëri del shkaktar themeluar i kryengritjes së Mirditës.[15] 

E ashtuquajtura “Republikë”

Në kohën kur pakënaqësinë e miridtasve ndaj Qeverisë po binin në vesh të shurdhër, hyn në lojë faktori serb, që i propozoi Marka Gjonit krijimin e “Republikës së Mirditës” dhe premtoi se “do ta ndihmonte Mirditën në kapërcimin e vështirësive”. Mesa mund të gjykohet prej atyre dokumenteve që kemi kaluar nëpër duar, Marka Gjoni në vitin 1921 ka vepruar me iniciativën vetjake dhe krerët mirditas nuk e kanë njohur në hollësi paktin e fshehtë që ai kishte me serbët. Kapidani sistematikisht ka trumbetuar në mënyrë të pëlqyeshme për ta dhe për popullin se “nuk po lidhemi me serbin, por me Francën, e në këtë rast serbi asht veçse punëtor i Francës. Franca do të bajë shumë të mira për Mirditën, si hapjen e shkollave, mospagimin e taksave për 20 vjet”, etj. Marka Gjoni e mbështeti idenë serbe me mendimin se do të fitonte ai vetë dhe Mirdita. 

Në Mirditë u krijuan dy grupime të ndryshme, mbështetësit e Kapidanit, që kishin besim se ai do t’i zgjidhte vetë kërkesat e mirditasve, edhe pa mbështetjen e Qeverisë. Këtu bënin pjesë krerët më të rëndësishëm, bajraktari i Oroshit, Prengë Marka Prenga, kryeplaku i Fanit, Prengë Tuc Doda, Zef Ndoci, etj. Ndërsa krerë të tjerë, e pranonin neglizhencën e Qeverisë, por ishin për bisedime me të deri në zgjidhjen e problemeve.

Përfaqësues i qëndrimit konstruktiv ishte personaliteti i shquar mirditas, Ambroz Marlaskaj. Në artikullin me titull: A asht qeveria e Tiranës një Turki e re, apo jo”, botuar në revistën “Hylli i Dritës”, Nr.7, viti 1921 dhe nënshkruar me pseudonimin “Një i mirditas”, autori polemist hedh poshtë akuzat serbe se qeveria e Tiranës është një “Turki e Re” përmes faktesh, analizash, shifrash dhe komentesh, duke arritur në përfundimin se ajo “asht qeveri e Shqipnisë së re, e nji kombi”. Ai shprehet se ngatërresat e përçarjet në Shqipëri, i interesonin Serbisë për të spostuar vëmendjen e shqiptarëve nga Kosova. Marlaskaj, në analizën e tij, e fajëson Marka Gjonin për “Republikën e Mirditës” të sajuar prej tij, por njëherësh kritikon dhe qeverinë e Tiranës për një varg qëndrimesh të pamotivuara ndaj Mirditës, si pengimi i komisionit parlamentar për të vajtur atje, dhe pse qe këshilluar prej disa njerëzve të urtë e me influencë; djegien pa kriter të shtëpive të katundarëve; mungesën e dëshirës për të dëgjuar ankesat e popullit ndaj administratës së shtetit dhe zyrtarëve; mungesën e përkrahjes ndaj njerëzve të aftë, duke i mënjanuar nga qeverisja; vrasjen e priftit të Mnelës, Dom Prend Kalorit dhe mungesën e vullnetit për të sqaruar rrethanat e kësaj vrasje, grabitjen e një gruaje në Hajmel, etj.

Që në atë kohë pati intelektualë të guximshëm që e drejtuan gishtin te shkaku dhe jo te pasoja. Duke u nisur nga shkaqet e kryengritjes, Teki Selenica në librin “Shqipria më 1927” shkruan: “Një taktikë e gabuar e qeverisë kishte shkaktuar kryengritjen e Mirditës”.[16]

Krerët e mbështetën Marka Gjonin, nisur nga përfitimet ekonomike që do të kishte Krahina nga hapja e kufirit, pa ditur se çfarë lëvizjesh politike do të ndërmerrte Kapidani. Ideja e Republikës së Mirditës nuk u sajua menjëherë. Është shkruar diku se pas festës së Shën Markut të Fanit, me 29 prill të vitit 1921 Marka Gjoni me krerë: Prengë Marka Prengën, Marka Kolën dhe të birin e Gjokë Llesh Gegës me pari për Orosh; Zef Ndocin e Nikollë Pjetrin me pari për Spaç; Prengë Tuc Dodën me pari për Fanë kishin vendosur të takoheshin te Kulla e Lumës me një komandant serb për problemin e furnizimit me drithë të mirditasve, por meqenëse ai nuk erdhi për shkak të festës së pashkëve këta shkuan vetë në Prizren.[17] Ndryshe shkruan Zef Mark Harapi në shënimet e tij: “Kapidan Marka Gjoni shkoi në Fanë, ku famullitari i Oroshit çiti arkën e shejtit, ditën e Shmarkut me 25 prill 1921, e n’at risi të kësaj feste u ba nji mbledhje krenësh e mandej shkoi në Prizren me Zef Ndoc Ndrecën e Spaçit, me krenët e të pesë bajrakëve, jashtë Preng Marka Prengës, i cili nuk ndigjoj. Mbas tyne shkuen edhe 150 fancë me kual për drithë…”.[18] Mbështetja që iu bë më vonë Marka Gjonit nga disa krerë duhet parë në kuadrin e detyrimit kanunor. Sipas Kanunit, kur jepej besa, duhet të mbahej pa asnjë kusht shtesë. Dihet se Marka Gjoni e kishte bërë një kuvend krerësh dhe kishte lidhur besën që nëse trupat qeveritare do të sulmonin, mirditasit të luftonin, duke shlyer detyrimet për dërgimin e luftëtarëve në front.  Megjithatë, një pjesë e krerëve dhe bajraktarëve nuk morën pjesë në luftime dhe nuk shkuan as në Prizren.

Duket se Prengë Marka Prenga nuk bënte pjesë në mbështetësit e pakushtëzuar të Kapidanit dhe nuk mori pjesë më në asnjë nga takimet e shumta që vetë Marka Gjoni organizoi me krerë nga të gjitha trevat kufitare me Mirditën, për të përballuar agresionin qeveritar. Pavarësisht se Bajraktari ishte antar në “Asamblenë e Republikës”, nuk kishte funksion ekzekutiv. Ekzekutivi i “Republikës” përbëhej nga Prengë Llesh Gjoni, Zef Ndoci dhe Anton Ashiku, të cilët ishin të lidhur me interesa rreth projektit të Republikës dhe bënë çmos që “Republika” e tyre të njihej në Lidhjen e Kombeve.

Sidoqoftë duhet thënë se krerët e Mirditës në periudhën mars-korrik 1921 nuk e kryen detyrën e tyre karshi Atdheut, sepse nuk e penguin Marka Gjonin në veprimet e tij. Kuvendi i Krerëve kishte të drejtë kanunore që të vendoste për problemet e vendit. Nëse krerët e rëndësishëm, ose siç quhen ndryshe Kryepleqtë e Bajrakëve dhe Bajraktarët do ta kundërshtonin, Kapidanin, ai i vetëm nuk kishte tagër kanunor të vendoste. Mesa duket, te një pjesë e krerëve mbizotëronte vetëdija krahinore mbi vetëdijën kombëtare dhe ata, të shtyrë nga interesa vetjake dhe të çastit, e mbështetën Marka Gjonin pa rezerva. Marka Gjonin e kundërshtuan krerët më të vegjël, pleqtë e fiseve ose katundeve nëpër bajrakë dhe ndonjë bajraktar. Me rëndësi ishte dhe kundërshtimi i prerë që i bëri në bllok kleri katolik i Mirditës.

Platforma serbe për Mirditën më vete, aleate e saj ishte diskutuar edhe në takimet që kishte bërë Prengë Bibë Doda me Mbretin e Serbisë, Malit të Zi, Italisë dhe Presidentin e Francës. Duhet theksuar se mbështetja e Malit të Zi ishte kushtëzuar me marrjen nga ana e malazezëve të territoreve deri në Lezhë, ndërsa serbët këmbëngulën për ëndërrën e vjetër të hekurudhës deri në Shëngjin. Prengë Bibë Doda nuk e zbatoi atë project që e përdori si shantazh ndaj klasës politike, duke u lënë të kuptojnë se ai dhe Mirdita duhet të merren seriozisht.

Është me interes të theksohet se në atë kohë, serbët e kuptuan nuhatjen e hollë politike të Prengës dhe në vend të tij preferuan Marka Gjonin, me të cilin përfaqësuesi i qeverisë serbe bëri një takim në Prizren, por Kapidan Marka Gjoni qe treguar në lartësinë e kërkuar dhe e kishte shmangur me elegancë veten nga ai rol, duke theksuar se “me problemet e Mirditës me jashtë merret Prenga, ndërsa unë jam i ngarkue vetëm me zgjidhjen e problemeve të brendëshme të Krahinës”.

E ashtuquajtura “ Republikë e Mirditës” përbën një gabim politik në histori, një zgjidhje të gabuar të disa krerëve të saj e që kurrë nuk flet për separatizëm të kësaj krahine e as të gjithë parisë së saj. Vetë populli i Mirditës nuk e mbështeti këtë zgjidhje, përkundrazi protestoi me forcë gjer në Lidhjen e Kombeve për këtë akt. Me 31 maj u mbajt një Kuvend në Blinisht me krerë e vegjëli nga Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Dibri dhe Fani. Ndonëse u kritikua qeveria për mosmbajtjen e premtimeve, u vlerësuan nevojat e vendit duke u dhënë përparësi interesave kombëtare dhe u kundërshtuan përpjekjet për përçarje. Kuvendi u shpreh se “me njet e me zemër jemi me qeverinë”. Firmosën Gegë Marka Gega për Oroshin, Gjokë Dodë Lleshi për Spaçin, Marka Çupi për Kuzhnenin, Jak Frroku për Dibrin dhe Nikollë Bajraktari për Fanin.[19] Kësaj rradhe, Dera e Bajraktarit nuk e ka një përfaqësues të vetin, çfarë do të thotë se të dy vëllazëritë e Përmarkut kishin mbështetur fillimisht nismën e Marka Gjonit.

Në fakt Prengë Marka Prenga, ndonëse firmos për “Republikën e Mirditës”[20] dhe pranon të bëhet antar i Asamblesë së saj është në kërkim të një zgjidhje që do të lehtësonte jetën e bashkëfshatarëve të tij dhe jo për t’u shkëputur nga Atdheu. Dihet se Prengë Marka Prengë ishte kundërshtar i njohur dhe i betuar i serbëve që i kishin helmuar të birin. Nuk ekzistonte asnjë mundësi që ai të shkilte mbi gjakun e tij dhe të hynte në marrëveshje me serbët. Me sa duket, Bajraktari kishte qenë kundër neglizhencës qeveritare dhe në kërkim të një zgjidhje për problemet ekonomike të njerëzve. Se Prenga Marka Prenga nuk ishte pjesë e një lëvizje antiqeveritare e tregon fakti se deri në fillimin e asaj lëvizje, djali i tij, Ndreca shërbente në ushtri. Dom Ndoc Nikaj në kujtimet e tij na jep të dhëna se Ndrecë Prenga e kishte marrë vesh se në një kohë të afërt, do të niste një operacion ndaj Mirditës. Ja çfarë shkruan në librin e tij: “U nisa me shkue në Kryeministri qi aso kohe gjindej në prefekturën e vjetër të Tiranës, e në fushoren te rrapat pashë dengat e ushtarëve që kishin mbulue fushën, të gatuem me u nis dikahi. Nji ndër komandantat ishte Ndrecë Prenga, i biri i flamurtarit të Oroshit, qi porsi i lidhun mbas dege ushtarake, gjindej i shtërnguem n’at shërbim. Iu afrova dhe ai u mnjanue sa me folë ngushtsisht për me m’iu përgjigjë pvetjes për shka e për ku do të shkojshin. Duket se urdhnat me shkue e me i ra Mirditës ishin të mshefuna për me u shkue në papritje, pse Ndrecë Prenga me të madhe shpejti m’i tha te veshi dy fjalë: “Për Mirditë, po ia kam fal dreçit…”.[21]

Ngjarjet e vitit 1921 janë rezultat i përplasjes së dy prirjeve dashakeqëse ndaj Mirditës, përpjekjeve serbe për ta kompromentuar Krahinën në qëndrime antishqiptare dhe përpjekjes së disa bejlerëve të tipit të Mehdi Frashërit që pozita e Mirditës në shtetin e ri shqiptar të kompromentohej dhe të dobësohej. Operacioni ndaj Mirditës u krye nga individë me të kaluar të kompromentuar. Nisur nga dëshira e mirë që Mirdita të shtrohej pa gjakderdhje, një grup deputetësh shkodranë propozuan që komanda e ushtrisë t’i lihet në dorë Bajram Currit, i njohur në Mirditë për nder e burrëri. Ndërsa qeveria emëroi Ali Fehmi Kosturin, personin më të papërshtatshëm, me të kaluar antikombëtare, i cili kishte qenë oficer zbulimi në shtabin e Turgut Pashës më 1910 dhe ishte i njohur në Mirditë si turkoshak e serbofil. Ai brenda dhjetë vjetësh kishte qenë dy here në Mirditë si pushtues. Në vitin 1911, Turqia e kishte caktuar Kajmekam të Mirditës dhe në pamundësi për të vajtur atje, rrinte në Mjedë e prej andej u shkaktonte mirditasve shqetësime. Me 14 shkurt 1911 kishte dështuar të mblidhte djem për shërbimin ushtarak në Fanë dhe ishte rrethuar te Kisha e Fanit, duke lënë disa të vrarë e të plagosur. Kishte shpëtuar vetëm në saj të ndërmjetësimit me fandësit në shkëmbim të heqjes dorë nga misioni për të cilin kishte shkuar. Ndërsa në vitin 1915, Ali Fehmiu kishte qenë këshilltar i forcave ushtarake sadiste të sheh Hamdi Rubjekës që kishin kryer në Mirditë terror të ngjashëm me terrorin e miqëve të tyre serbë, me të cilët bashkëpunuan. Me caktimin e Ali Femiut në krye të operacionit ndëshkimor, Iljaz Vrioni donte ta poshtëronte Mirditën, pa menduar se po vepronte në të mirë të tezave serbe se Qeveria e Tiranës ishte “nji Turqi e re”.[22]

Ngjarjet që çuan në rebelimin e Mirditës erdhën si rezultat i mungesës së dy personaliteteve më të njohur të Mirditës: Prengë Bibë Dodës dhe Abat Doçit që kishin shkollën dhe largpamësinë për t’i udhëhequr proceset e ndërlikuara shoqërore në Mirditë.

Duhet thënë se mirditasit u gjendën në vitin 1921 para dilemës që të zgjidhnin midis Derës së Kapidanit dhe Zogut. Zgjedhja është diktuar nga shumë faktorë dhe interesa. Bajraktari i Oroshit e mbështeti Derën e Kapidanit, sepse ishte krijuar ndër shekuj ideja fikse se Gjomarku dhe Mirdita përbëjnë një binom të pandarë, prandaj çdo mbështetje që u bëhet Gjomarkajve i ishte bërë edhe Mirditës.

Me ardhjen e forcave qeveritare në Orosh, vetë Prengë Marka Prenga shkoi në Fanë dhe qëndroi në shtëpinë e Prengë Tuc Dodës. Qëndrimi i tij pasiv nuk shprehte pamundësi fizike, se në moshën 63 vjeç duhet të ketë qenë i fortë fizikisht, por një bindje të thellë vetjake për të mos u përzier në këtë punë që nuk i dukej fort e mirë dhe atdhetare. Ndërkohë, që operacioni vazhdonte, qeveria po kërkonte marrëveshje me krerët atdhetarë dhe iu drejtua Prengë Marka Prengës. Për të ndikuar në kapërcimin e situates, Prenga kishte shkuar në Orosh, ku kishte takuar dhe Zefin e Vogël,[23] dhe pastaj me Ahmet Zogun dhe zyrtarë të tjerë. Prengë Marka Prenga ishte dorëzuar i pari. Gazeta”Fjalë e lirë” njoftonte se ”i vetmi qi asht dorëzue e ka shkue në Tiranë asht Preng Marka Prenga, Bajraktari i Oroshit.”[24] Pas tij ishin dorëzuar dhe disa krerë.[25] Ndërkohë, i biri Ndreca udhëhiqte forcat antiqeveritare. Pas dhënies së besës Kanuni nuk e parashikonte tërheqjen, pavarësisht pasojave. Thuhet se Prenga i kishte thënë të birit: “Ti Ndrecë shko se ia kemi borgj Kapidanit një burrë si shpi”. Djali i Bajraktarit, Nëntoger Ndrecë Prenga ishte bërë udhëheqësi kryesor i mirditasve të armatosur; kishte komanduar me sukses disa beteja kundër forcave qeveritare dhe deri në fund të operacionit qeveritar vazhdonte të komandonte forcat e rezistencës. Në ato kushte ishte dhënë mendimi që të vritet, duke rekrutuar vrasës me pagesë në radhët e kryengritësve.[26] Por kur erdh puna për të ndëshkuar udhëheqësit e rebelimit, shtëpia e Bajraktarit ishte kursyer, ndërkohë që ishte djegur shtëpia e Marka Gjonit,[27] duke bërë kështu dallimin midis udhëheqësit politik dhe ideatorit të rebelimit që në këtë rast ishte Marka Gjoni dhe Ndrecë Prengë Markut, ushtarakut besnik që luftonte në zbatim të detyrimit të tij, por që me një urdhër të Kapidanit, me siguri do ta ndalonte luftën.

Se sa e papërgjegjëshme kishte qenë Qeveria në zgjidhjen e problemit të drithit e tregon furnizimi lehtësisht me drithë që bëri Qeveria pas propozimit të Ali Fehmi Kosturit. Më 4 korrik të vitit 1921 Ali Fehmi Kosturi njoftonte Ministrinë e Punëve të Brendëshme se:”Populli i Mirditës nuk ka kallamoq të mjaftueshëm për gjallesën e vet dhe i duhet me shkue në Prizren. Për ndalimin e këtyre udhëtimeve të damshme dhe qëllimet e njoftuna të krijohet nji depo në Kallmet dhe të vijnë mirditasit e të blejnë me çmim të arsyeshëm kallamoqin”.[28] Qeveria shqiptare e gjeti fare lehtë mundësinë me sjellë nga Lushnja dhe Fieri disa flluga e barka në Lezhë.[29]

Në rebelimin e Mirditës ndikuan tre faktorë: Papërgjegjshmëria e Qeverisë, lakmia për pushtet e Marka Gjonit dhe intriga serbe. Është një zinxhir me tre hallka, ku po të mungonte hallka e parë, me siguri do të mungonte e dyta dhe e treta. Marka Gjoni u provokua në sedrën e tij të sëmurë dhe reagoi mjaft ashpër me nxitjen dhe përkrahjen e serbëve që nuk linin rast pa shfrytëzuar për ta destabilizuar vendin tonë. Njeriu që përfitoi më shumë nga rebelimi i Mirditës është Ahmet Zogu, i cili arriti të fitonte mbështetjen e bajraktarit të Oroshit. Përmes Bajraktarit Zogu i përdori mirditasit në luftën për pushtet, vetëm disa ditë pasi u vendos autoriteti i shtetit në Mirditë.

Ahmet Zogu njihej prej kohësh me Prengë Marka Prengën. Vite më parë, vetë Bajraktari kishte shkuar për të blerë 20 kv drithë të Xhelal Zogu. I biri, Ahmeti ishte i vogël. Xhelali nuk i kishte marr pare për drithin Bajraktarit dhe që atëherë kishin mbetur miq.[30] Sapo Ahmet Zogu ka shkuar në Orosh, e kishte kërkuar Prengë Marka Prengën. Bajraktari ishte kthyer, i shoqëruar me dhjetë vetë. Ahmet Zogu i ka thënë:

–          Bajraktar, djali të ka shkuar në Prizren.

–          Djalin shkoi dhe e marr, se ai vjen me mue. Dhe të tjerët i marr në qoftë se duen me ardh.[31]

Nën besën e Zogut, u dorëzuan ata që kishin marrë pjesë në lëvizje dhe iu nënshtruan qeverisë, me kusht që të falen.[32] Me ndërhyrjen e Preng Marka Prengës doli falja edhe për Marka Gjonin.[33] Me 28 nëntor, Zogu u autorizua ta shtrinte amnistinë e përgjithëshme mbi të gjithë. Nën besën e Zogut, kryengritësit pranuan amnistinë dhe iu nënshtruan qeverisë.[34]

Në këmbim të besës së mirditorëve, Zogu edhe heqjen e taksave për Mirditën. Jo vetëm kaq, por pas paqëtimit të Mirditës, djemtë e armatosur mirditorë, që kishin luftuar kundër ushtrisë qeveritare, me urdhër të bajraktarit të Oroshit Prengë Marka Prenga, iu atashuan trupave të Zogut dhe, vullnetarisht, e mbështetën atë në luftën për pushtet. Zogu me matjanë dhe mirditas shkoi në Tiranë dhe rrëzoi qeverinë e Hasan Prishtinës.[35]

Kryeministri Ahmet Zogu kishte dërguar Preng Marka Prengën që të bisedonte me Kapidan Markun në Prizren, por ai nuk kishte pranuar të pajtohet.[36]

Bajraktari u tregon të huajve atdhetarizmin mirditas

Pas intrigës serbe dhe  papërgjegjësinë së Mehdi Frashërit, një pjese e krerëve mirditës, ndër ata që dhjetë vjet më parë kishin luftuar që Mirdita të bëhej bërthama e shtetit të ardhshëm shqiptar, po kërkonin të dilte nga ai shtet. Në fakt, Mirdita është akuzuar edhe në kohën e pushtimit osman për “partikularizëm”, vetëm pse në atë kohë kërkonte e vetme shkëputjen nga Perandoria Osmane, kur krahinat e tjera për shumë arsye nuk e dëshironin një gjë të tillë. Mirdita është akuzuar edhe për kërkesën që i dërgoi Kongresit të Berlinit, edhe për dy kryengritjet që bëri nën nxitjen dhe me mbështetjen e arbëreshëve të Italisë, edhe për Kuvendin e Fanit dhe Qeverinë e Kimzës, të gjitha vepra kombëtare të ideuara nga intelektualë atdhetarë. Ky konceptim vinte, dhe vjen akoma, nga paragjykimi i sëmurë se nuk mund të bëhet një krahinë “e prapambetur” qendër e proceseve shtetformuese. Në fakt, Mirdita nuk kërkonte të bëhej qendra e shtetit të ardhshëm, por vetëm vendi ku mund të niste lufta për çlirim kombëtar. Kur janë paragjykuar nisma të tilla atdhetare, merret me mend se sa e lehtë është të akuzohet “Republika e Mirditës”.

E ashtuquajtura “Republika e Mirditës” e defaktorizoi Mirditën, një proces që ka zgjatur deri në vitet e fundit. Ngjarjet e vitit 1921 e dëmtuan Shqipërinë, por vendi mundi t’i kapërcejë pasojat, ndërsa Mirditës i shkaktuan dëme afatgjatë që u deshën shumë vite të shlyhen. Sikur Mirdita mos të kishte një burrë të përmasave kombëtare si Prengë Marka Prenga, gjërat mund të shkonin edhe më keq. Për vetë veçoritë e Mirditës, nëse vërtetë ajo do të dëshironte ndarjen nga Atdheu, aspiratë që i kishte mbështetësit e vet në mes të shteteve të fuqishme europiane, gjërat do të shkonin edhe më keq. Po mirditasit as që e kishin ndërmend një gjë të tillë. Sidoqoftë ata kërkonin të drejtën elementare, të jetonin me dinjitet dhe të barabartë me shqiptarët e tjerë në vendin e tyre.

Vizita e diplomatëve të huaj në Orosh dhe ardhja e delegacionit të Lidhjes së Kombeve për ta parë gjendjen në vend, tregon se pretendimet e Marka Gjonit ishin marrë në konsideratë dhe kishte ardhur puna deri te verifikimi i tyre. Përfaqësuesit e Lidhjes së Kombeve donin të dinin se a është vërtetë Mirdita e diskriminuar në krahasim me pjesët e tjera të vendit? Në fakt ishte. A kishte qenë Qeveria e painteresuar për t’i zgjidhur problemet e Mirditës? Në fakt kishte qenë? A donin mirditasit të shkëputeshin nga Atdheu? Jo, mirditasit mund të sakrifikoheshin nga papërgjegjshmëria e disa politikanëve që kishin llogari me Mirditën, por Mirdita ishte pjesë e natyrshme e Shqipërisë dhe e tillë do të mbetej.

Mirditën e vizituan Konsulli i Anglisë dhe një delegacion i Lidhjes së Kombeve. Konsullit anglez iu bë një pritje e madhe prej popullit. Ai e shikoi se gjendja në Mirditë ishte drejt normalizimit. Asnjë mirditas nuk ishte larguar si refugjat në Serbi, përveç disa krerëve që ishin kthyer sapo u kishte dalë falja. Ndërsa me 7 dhjetor 1921 shkoi atje një delegacion i Lidhjes së Kombeve, që ishte takuar me krerë dhe banorë të thjeshtë. Ata përveçse e kishin parë gjendjen, ishin të interesuar të dinin mendimin e krerëve mbi të ardhmen.

Mbledhja u bë sipas procedurave Kanunore, të shprehura mjaft qartë në fjalët e Bajraktarit: “Do të flas unë i pari”,- kishte thënë ai, “në vend të zotit të shpisë që nuk e kemi këtu, megjithëse i zoti i shpisë duhet të jetë gjithmonë te shpia e vet”. Po të zbërthehet kjo fjali ka shumë kuptime. Bajraktari donte të thoshte se nuk ishin aty ata që i kishin shkaktuar ato ngjarje, por gjithnjë gjinden njerëz që i dalin zot vendit.  

Si përfaqësuesi më i lartë i Mirditës, Bajraktari i Oroshit, kishte shprehur qartë dhe mirë se mirditasit ishin shqiptarë si të gjithë shqiptarët e tjerë dhe kërkonin të jetonin me dinjitet në vendin e tyre. Kur delegacioni i Fuqive të Mëdha e kishte pyetur: “Si e doni Shqipërinë, të bashkuar apo të ndarë, ai i ishte përgjigjur: ” Zoti e krijoi Shqipninë të bashkueme dhe kurrë nuk do të pranojmë që ajo të ndahet e të copëtohet.[37] Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Nga të gjithë krerët e Mirditës, Prengë Marka Prenga kishte udhëhequr mirditasit në luftë krahas vëllezërve të tjerë shqiptar të krahinave të tjera dhe kishte marrë pjesë më shumë se të tjerët në kuvende ndërkrahinore dhe kombëtare, deri në Cetinë, Podgoricë, Bari, Lumë, Dibër, Shkup, etj. Ai e kishte mësuar se Atdheu i tij ishte kudo ku flitej shqip. 

Mjaftonte fjala e këtij burri që të huajt të bindeshin se mirditasit e duan Shqipërinë. Atë fjalë, në Orosh e dëgjoi e gjithë Mirdita dhe, me siguri, mbi atë fjalë ka menduar edhe Marka Gjoni, i cili u dha leje njerëzve të tij të dorëzohen dhe vetë u dorëzua në fund.

Le t’i kthehemi problemit tonë, pra vajtjes së komisionit hetimor në Mirditë, takimeve që zhvilloi atje, përshtypjeve e konstatimeve rreth gjendjes dhe qëndrimit të mirditasve ndaj problemeve që preokuponin shtetin e shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Komisioni arriti në Mirditë më 9 dhjetor 1921 dhe u vendos në Orosh, ku siç shkruhet në raport -, krerët dhe popullsia e fshatrave përreth u mblodhën për t’ia uruar mirëseardhjen. Meqënëse nuk shoqëroheshin nga përfaqësues të Qeverisë së Tiranës, siç pohojnë vetë anëtarët e komisionit patën mundësi të bisedonin lirisht”.  Gjatë takimit ata u thanë krerëve “të flisnin hapur për ankesat e tyre. Biseda u zhvillua e lirë, e qetë, e hapur dhe e sinqertë. Është për t’u theksuar se në bisedë u shpreh edhe një herë pozicionimi i patundur, i vendosur dhe konsekuent i mirditasve në linjën e idealeve atdhetare. Krerët pohuan se “ishin të kënaqur të ishin qytetarë të një Shqipërie të pavarur dhe se dënonin” këdo që i kundërvehej kësaj pikpamje. Në këtë pohim dallohen dy momente: së pari jo vetëm dëshironin por shprehin kënaqësinë e vullnetin politik të ishin qytetarë të një Shqipërie të pavarur, pra të një shteti të pavarur e sovran dhe kundërshtonin ato qarqe të brendshme e të jashtme që përpiqeshin ta minonin këtë proces, dhe që propagandonin se mirditasit nuk njohin e nuk donin të njihnin pushtetin e Qeverisë së Tiranës.

Në të vërtetë, sikurse e theksuam më parë, qoftë në vitin 1920 qoftë në vitin 1921 përfaqësuesit e Mirditës ftuan qeverinë të dërgonte përfaqësuesit e saj e të ndërtonte administratën shtetërore në krahinë. Madje siç theksojnë anëtarët e komisionit, krerët e Mirditës në fund të pesëmbëdhjetë ditëshit të parë të dhjetorit të vitit 1921, shkuan vetë në Tiranë për të bërë betimin para qeverisë qendrore[38] e për të shprehur edhe një herë besnikërinë e tyre ndaj saj. Ata pohuan hapur dhe shpallën botërisht para përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar se nuk pajtoheshin kurrsesi dhe kundërshtonin me vendosmëri politikën e përçarjes, pra ishin për ruajtjen e forcimin e unitetit politik shtetëror të vendit.[39]   

Mehdi Frashërit nuk i hyri ferrë në këmbë nga rebelimi i Mirditës. Në vitet në vazhdim ai mbeti në nivelin e lartë të politikës dhe arriti të bëhet edhe Kryeministër, në vend që të merrte mbi vete ato përgjegjësi që i takonte, ndërsa për të gjithë periudhën e regjimit të Zogut, Mirdita nuk e pati një ministër, siç e kishte patur nga shpallja e Pavarësisë deri në Kongresin e Lushnjës.

U vu një njollë e errët në historinë e saj dhe u paargjukua në vijimësi, duke bërë që mirditasit të marrin padrejtësisht mbi vete një kosto të pamerituar, rrjedhojë e shumë faktorëve bernda dhe jashtë saj.

Marrëdhëniet me Mbretin Zog

            Me propagandën që bëri dhe privilegjet që u dha bajraktarëve e krerëve, Ahmet Zogu siguroi që ata të mos ndërmerrnin veprime kundër tij. Krerët e Mirditës, përfshirë dhe Derën e Bajraktarit të Oroshit u luhatën në mes të besnikërisë ndaj shtetit që shprehej në mbështetjen për Mbretin dhe në besnikërinë ndaj Kanunit që do të thoshte mbështetje për Gjomarkajt. Mbështetja për Gjomarkajt më shumë se marrëdhënie personale ishte detyrim zakonor i trashëguar ndër breza. Gjomarkajt mbeteshin faktori kryesor i politikës në Mirditë dhe nuk mund të eleminoheshin. Krerët e Mirditës që u lidhën me Zogun, ndër ta dhe Prengë Marka Prenga, lehtësuan integrimin e trevës në shtetin shqiptar dhe marrëdhëniet e Zogut me Gjomarkajt, që sidoqoftë edhe pas pajtimit mbetën të ftohta. Kështu vetë Marka Gjoni, megjithëse i doli falja, qëndroi në Jugosllavi deri në vitin 1924. Në ato kushte, Zogu mundi ta bëjë për vete Mirditën, duke i bindur nënprijësit e fisit të Mirditës se Gjomarkajt vepronin si agjent të jugosllavëve dhe se ata duhej t’i qëndronin besnikë vetëm Shqipërisë.[40]

Me shpëthimin e Revolucionit të Qershorit dhe me largimin e Zogut nga pushteti, midis tij dhe Marka Gjonit qenë vendosur lidhje, kur të dy qenë kthyer në emigrantë politikë me strehim politik në Serbi, por vetëm pas vdekjes së Markut, kur paria e Mirditës i kaloi të birit, Gjonit, të paktën formalisht marrëdhëniet u normalizuan.

Gjatë regjimit të Zogut, posti i Kapidanit dhe i Bajraktarit filloi ta humbiste rëndësinë e tij ushtarake, me ngritjen e adminsitratës dhe të ushtrisë shtetërore. Në ato kushte, për t’i mbajtur të lidhur pas vetes, Zogu u dha pjesës më të madhe të tyre rangje oficerësh rezervë në ushtri,[41] duke i lidhur në njëfarë mënyre me aparatin e vet shtetëror. Titullimi “oficer në reserve” i ngarkonte mbajtësit e gradave të lidhur me detyrimin që t’i përgjigjeshin shtetit në rast nevoje. Ata paguheshin për mbajtjen e njëfarë numri trupash të parregullta rezervë në dispozicion të qeverisë, në të vërtetë, paguheshin që të mbaheshin nën kontroll dhe të mos ngriheshin kundër.[42] Kur Zogu mori pushtetin, krerë dhe bajraktarë pritën, që ai ta nxirrte shtetin nga humnera ku kishte rënë. Zogu u soll me diplomaci e zgjuarsi, një pjesë i neutralizoi, duke i futur si oficer rezervë në ushtri, ndërsa fëmijëve dhe të afërmve të tyre u dha bursa për të vazhduar shkollën, që të mund t’i merrte pastaj si nënpunës në shërbim të shtetit ose si oficerë në ushtri e xhandarmëri…  Ai dinte ta përdorte ndikimin e krerëve dhe bajraktarëve, përvojën dhe shërbimet e tyre,[43] sepse i duheshin edhe për disa kohë, pasi nuk kishte ardhur akoma koha për një aparat qeverisjeje që do ta bënte të tepërt hierarkinë fisnore të malësorëve.[44] Kuvendi i Përgjithshëm i krerëve që sipas Kanunit, vendoste mbi çështjet e luftës dhe të paqes, e humbi rëndësinë e dikurshme, me krijimin e shtetit shqiptar. Pushteti shtetëror thërriste herë pas here për ndihmë bajraqet, deri kur arriti krijimin dhe organizimin e plotë të ushtrisë dhe policisë së tij, por thirrja ishte njëfarë detyrimi që bajraktarët kishin si oficerë në rezervë dhe jo si një kërkesë që mund të refuzohej nga Kuvendi. Pas forcimit të shtetit shqiptar, Kuvendi i Krerëve nuk pyetej më, nëse bajraku duhej t’i shkonte në ndihmë qeverisë apo jo.[45] 

Pas rikthimit nga Serbia, sapo mori pushtetin, Ahmet Zogu kishte pritur në audiencë një delegacion nga Mirdita që kryesohej nga Gjon Marka Gjoni dhe Prengë Marka Prenga, të cilët kishin ardhur posaçërisht në Kryeqytet për t’i paraqitur Shkëlqesisë së Tij besnikërinë dhe urimet e krahinës së Mirditës.[46] Marrëdhëniet u përmirësuan akoma më shumë pasi Presidenti Zogu i dha Gjon Marka Gjonit gradën e lartë Nënkolonel në rezervë dhe rrogën mujore që e shoqëronte këtë gradë. Shtypi e ndoqi me interes atë takim.

Me 20 janar 1927, një përfaqësi e Mirditës, e përbërë nga Gjon Marka Gjoni, Dodë Llesh Gjoni e Prengë Marka Prenga udhëtuan për në Tiranë, ku më 21 janar i bënë Presidentit Ahmet Zogu vizitën e urimit të kremtes së Republikës. Ata ishin të shoqëruar nga Kolë Mjeda, deputet i Shkodrës. Me datën 24 janar u pritën në audiencë për tridhjetë minuta, por jashtë rregullave protokollare, Ahmet Zogu kishte vendosur t’i priste në një audiencë të dytë të nesërmen. Gjatë bisedës së zhvilluar, ishte folur për gjendjen ekonomike dhe përmirësimin e jetesës në malet tona.[47]

Me datën 27 janar, përfaqësuesit e Mirditës ishin përsëri te Presidenti për të pranuar emërimet e tyre. Zogu i dha Gjon Marka Gjonit gradën e lartë, Nënkolonel në rezervë dhe Dodë Llesh Gjonit, Kapiten I-rë. Po në këtë ditë, Shkëlqesia e Tij, Presidenti titulloi më shumë se tridhjetë vetë prej parisë së Mirditës, kapitena, togera, nëntogera e aspirant në rezervë. Në bisedën që bëri me këtë rast, Presidenti i ishte drejtuar Preng Marka Prengës: “Bajraktar edhe ty kam mendue me ta dhanë gradën që meriton e këtë punë e kam në krye vetë”.  Ndërsa Prenga, me atë kthjellltësinë që e karakterizonte, i ishte përgjigjur: “Zotni Ahmet Beg, n’emën t’Mirditës ju falem nderës që na e nderove shpinë e Gjomarkut. Sot ju zbardh faqja të gjithë Mirditës në nderimin që i kushtove oxhakut të Kapidanave. E sa për mue, zotni Ahmet Beg, jam tepër i knaqun e ju nap fjalën e besën e zotit se Mirdita nuk ka pasë ditë ma të mirë se sot në të gjithë këto vjet, edhe të jeshë i sigurtë se sa të kemi forcë e kyvet kena me e derdhë gjakun ene ma tepër se e kena derdhë në Durrës, në kohën e Princ Vidit”.[48] Siç duket, qëllimi kryesor i takimit ishte marrja e gradave nga paria e Mirditës, e cila në shkëmbim të tyre do të betohej për besnikëri ndaj shtetit. Ai takim mund të konsiderohet sukses personal për Prengë Marka Prengën, që kërkonte marrëdhënie të mira si me Ahmet Zogun dhe me Gjon Marka Gjonin. Vetë Zogu tregohet shumë bashkëpunues dhe vlerësues: “Zotni, ju kam shokë e me ju do të punoj. E përpos që ju kam shokë e jeni të mitë, ju nderoj se vetë Perëndia ju ka falë e ju ka zgjedhë me kenë të nderuem”.[49] Dhe në fund, siç shkruhej në njoftimin zyrtar “ U ngritën e u përshëndetën me ato zakone bujare të trashëgueme. Kështu mbas 45 minuta bisedimi, lanë sallën e të Shkëlqyeshmes Kryesi të Republikës. Shkëlqesia e Tij President si shej miqsie e dashnie u dhuroi të gjithëve nga një armë beretë me shkrola ari “AZ”e me 30 të këtij mueji, Kapidanat bashkë me bajraktarë e pari e të shoqnuem prej zotit Kolë Mjeda u kthyen në Shkodër”.[50] Edhe revista “Hylli i Dritës” kishte shkruar në lidhje me këtë ngjarje: “Kapidan Gjomarku me 27 kallndur 1927 kje emnue, prej Shkëlqesisë së  së Tij, Presidentit të Republikës Shqyptare, Nënkolonel; Dodë Llesh Gjoni i Gjomarkajve, Kapidan i klasit të parë; Preng Marka Prenga, bajraktari i Oroshit, Major.[51]

 


[1]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë, botimet “Geer”, Tiranë 2007, f.11

[2] https://gjonmarkagjoni.com/kapidan-marka-gjoni/

[3]  Gjon Bazhella, Blinishti në rrjedhen e historisë, botimet Mirgeeralb, Tiranë 2007, f.111

[4] Simon Prendi, Historia e Mirditws, f. 97

[5] Konsulli austro-hungarez në Shkodër Zambaur informon eprorët në Vjenë për bashkëpunimin e kryengritësve shqiptarë të vilajetit të Shkodrës me ata të vilajetit të Kosovës,Dok. Nr.178,  Shqipëria në dokumentet austro-hungareze (1912), vëll.IV, botimet Albanologjike 2012,  përgatitur nga Ana Lalaj, Enriketa Kambo dhe Sonila Boçi, f.303

[6] AQSH, F.856, D.41, viti 1928, f. 243

[7]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë… f.13

[8]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë… f.14

[9]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë… f. 15

[10]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë,… f.14

[11]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë, … f. 20

[12]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë,… f. 27

[13]. Historia e popullit shqiptar, vëllimi III, … f.123

[14]. AQH, Fondi MPB, vjeti 1921, D- 73/2

[15]. Mustafa Kruja, P. Paulin Margjokaj, Letërkëmbim (1947-1958) “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2006, f. 46-47

[16]. Teki Selenica, Shqipria më 1927, Tiranë 1928, f.82

[17]. AQSH, Fondi Ministria e Punëve të Brendëshme, vjeti 1921, D.73/2

[18]. AQSH, F.586, D.41, viti 1928, fl.114-115

[19]. Hysen Kordha, Integrimi politiko-administrativ i mirditasve në vitin 1920-1921, Gazeta “Rilindja”, 24 qershor 1994.

[20].  Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë,… f. 57

[21]. Dom Ndoc Nikaj, Kujtime… f.164-165

[22].  Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë,… f. 35

[23]. AQH, Fondi B.Curri, D-8/2.

[24]. Gazeta ”Fjalë e lirë”, 15 dhjetor të vitit 1921

[25]. AQSH, F.586, D.41, fl.115

[26]. AQH, Fondi, KMKK, T-57, Shkodër, 7 tetor 1921

[27]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë,… f.54

[28]. AQH, Fondi MPB,  D-73/2, Tiranë, 4-VII-21  

[29]. Pal Pjetër Doçi, Mirdita në provë, … f.115

[30]. Zef Ndue Prengë Bajraktari, Dëshmi rreth Bajraktarit të Oroshit, Prengë Marka Prenga, 25 prill 2014

[31]. Zef Ndue Prengë Bajraktari, Dëshmi rreth Bajraktarit të Oroshit, Prengë Marka Prenga, 25 prill 2014

[32]. Bernd J. Fisher, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, botimet Çabej”, Tiranë  1997, f.43

[33]. Zef Ndue Bajraktari, Dëshmi rreth jetës së Bajraktarit të Oroshit, Prengë Marka Prenga, 25 prill 2014

[34]. Bernd J. Fisher, Mbreti Zog … f. 43

[35]. Bernd J.Fisher, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, botimet Çabej”, Tiranë  1997, f. 43

[36]. AQSH, F.586, D.41, fl.128

[37]. Pjetër Kadeli, Bajraktari i Oroshit, Liria Nr.237, viti V i botimit, e mërkurë  4 shtator 1996, f. 7

[38]. Arben Puto, Çështja Shqiptare në Aktet Ndërkombëtar, pas Luftës I Botërore, Vëll III (1919-1926) Tiranë 2001 f. 311

[39]. Hysen Kordha, Veçori të lëvizjes politiko-shoqërore në Mirditë gjatë viteve 1920-1922, Mirdita në histori dhe etnokulturë, Konferencë shkencore Rrëshen,10 tetor 2001, Përgatitën: Dr Nikoll Toma, Bardhok Pulaj, shtypur Geer, Tiranë 2010, f. 67

[40]. Bernd J. Fisher, Mbreti Zog… f. 42

[41]. Walther Peinsipp, Populli i shqipeve… f. 66

[42]. Bernd J.Fisher, Mbreti Zog… f. 46

[43]. Walther Peinsipp, Populli i shqipeve… f.75

[44]. Walther Peinsipp, Populli i shqipeve… f.76

[45]. Walther Peinsipp, Populli i shqipeve… f. 84

[46]. Gazeta “Shqipëria e Re”, vit’ i VI, Nr.210, 1 mars 1925

[47]. AQSH, F.856, D.41, viti 1928, f.243

[48]. AQSH, F.856, D.41, viti 1928, f.243

[49]. AQSH, F.856, D.41, viti 1928, f.243

[50]. AQSH, F.856, D.41, viti 1928, f.243

[51]. Revista “Hylli i Dritës”,viti 1931,f. 648