Gjykata Evropiane e Drejtësisë ashpërson ligjet për organizmat e modifikuar gjenetikisht. Shoqatat mjedisore dhe bujqësore franceze të lumtura, Shoqata Gjermane e Fermerëve e zemëruar.
Deri tani rregulli për etiketimin vlente vetëm për organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGJ), ADN-ja e të cilëve është ndryshuar nga ADN të huaja. Në vendimin e tyre të fundit, gjyqtarët e Luksemburgut deklaruan se edhe metodat e fundit të të ashtuquajturës mutagjenezë duhet t’i nënshtrohen këtij detyrimi.
Rasti në fjalë u kalua në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë (GJED) nga një gjykatë franceze. Që nga viti 2001 në direktivat e BE-së si OMGJ përcaktohen organizma, materiali gjenetik i të cilëve është ndryshuar në një mënyrë që në mënyrë të natyrshme do të ishte e pamundur. Megjithatë, metodat më të vjetra të mutagjenezës që konsiderohen si të sigurta përjashtohen nga rregullat strikte të OMGJ-ve. Në këtë rast ndryshimet në materialin gjenetik arrihen pa futur ADN-në të huaj.
Të dëmshme për njerëzit?
Shoqatat mjedisore dhe bujqësore franceze argumentuan në padinë e tyre se me kalimin e kohës janë zhvilluar teknika më të reja për mutagjenezën që lejojnë mutacione të qëllimshme tek gjenet dhe që mund të kenë efekte të dëmshme për shëndetin e njeriut. Prandaj, ato duhet t’u nënshtrohen detyrimeve të njëjta si organizmat e tjerë të modifikuar gjenetikisht dhe duhet të kontrollohen dhe etiketohen në mënyrë specifike.
Gjykatësit e Luksemburgut ishin dakord në një masë të madhe me këtë linjë arsyetimi.
Teknika e mutagjenezës
Mutagjeneza është një teknikë mbarështrimi përmes së cilës përbërja gjenetike e bimëve dhe e kafshëve ndryshohet me anë të rrezatimit, kimikateve ose nga një enzimë që ndan gjenomin. Për shembull, me anë të mutagjenezës mund të zhvillohen varietete farash që janë rezistente ndaj disa helmeve të caktuara të farërave të këqija. Ndryshe nga transgjeneza, në këtë rast në një organizëm të gjallë nuk transferohet asnjë material gjenetik i huaj.
Kritika nga Gjermania
Shoqata Gjermane e Fermerëve e kritikoi këtë vendim, sepse sipas tyre ai ndalon mundësitë për t’iu përgjigjur sfidave të ndryshimeve klimatike nëpërmjet mbarështimit të bimëve, tha presidenti Joachim Rukwied. “Thatësira aktuale na tregon se në të ardhmen, për shembull, na nevojiten varietete tolerante ndaj thatësirës”. Ligji i teknoligjisë gjenetike të BE duhet të kontrollohet tani se sa i aftë është për t’u përballur me të ardhmen në mënyrë që ne të përfitojmë nga mundësitë e ofruara nga metodat e reja të mbarështimit, kërkoi Rukwied. Përndryshe, Evropa rrezikon të humbasë lidhjen me rajonet e tjera të botës.