Një kompani e panjohur me emrin, “NKL Limited” është blerësi zyrtarë i Ndërmarrjes Shoqërore “Feronikeli”, nga kompania “Cunico Resource”.
Kompania “NKL Limited” e cila është me bazë në Londër, që do të ketë në pronësi “Feronikelin” dëshmohet edhe në vendimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ku më 22 qershor të këtij viti është marr vendim që Fernoikeli të jetë nën drejtimin e kësaj kompanie, ku pjesë e saj është biznesmeni nga Shqipëria Samir Mane.
“Përqendrimi përmes përfitimit 100% të kontrollit nga “NKL Limited”, në cilësinë e blerësit mbi “NeëCo Ferronikeli Complex LLC-Cunico”, në cilësinë e shitësit. II. Parashtruesi i Njoftimit për Përqendrim obligohet të paguaj taksën administrative për Autorizimin lidhur me Realizimin e Përqendrimit në përputhje me Nenin 20 të Ligjit Për Mbrojtjen e Konkurrencës, dhe neni 20 të Udhëzimi Administrativ Nr.06/2012, bëhet kundrejt pagesës në vlerë prej 3,000.00 € me shkronja ( tre mijë euro )”, thuhet në vendimin e AKK.
Bazuar në raportin e Klan Kosovës, dyshohet se biznesmeni Mane është i përfshirë në prapaskenë për blerjen e Feronikelit. “Balfin Group” është kompani në pronësi të Manes dhe sipas raportimit është në fazen finale me kompanin “Cunicio Resoure”. Mane dhe kompania e tij “Balfin Group” ende nuk janë deklaruar zyrtarisht se si janë përfshirë në këtë transaksion multi milionësh.
Gazeta Insajderi kishte raportuar për skemën mashtruese të drejtorit të Feronikelit, Ysuf Mirajkmedov i cili dyshohet se është fshehur në Uzbekistan. Mirakhmedov po dyshohet se ka dëmtuar gjigantin metalurgjik maqedonas “Feni Industries” në vlerë prej mbi 50 milionë dollarë.
Drejtoria e Policisë Financiare kishte ngritur kallëzim penal kundër Mirakhmedov në Prokurorinë Publike të Veles. Dyshohet se ish-drejtori i “Feni Industries” ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar. “Feni Industries” në Kavadar dhe “Cunico Marketing” në Dubai kishin pasur raporte afariste për një periudhë trevjeçare. Kompania nga Dubai blinte xehet e kompanisë maqedonase.
Borxhi i kompanisë nga Dubai kishte arritur vlerën e mbi 51 milionë dollarëve. Në skenë ishte shfaqur Mirakhmedov. Kishte marrë vendim që të shlyejë borxhin e kompanisë nga Dubai. Veprimi i tij dëmtoi gjigantin metalurgjik maqedonas.
“Në tetor të vitit 2016,Yusuf Mirakhmedov kishte vendosur për shlyerjen e kërkesave në shumën prej 51,505,526 USD, bazuar në shitjen e nikelit, personit juridik “Cunico Marketing” nga Emiratet e Bashkuara Arabe – Dubai”, ka thënë për Insajderin, Arafat Muaremi, drejtor i Policisë Financiare në Maqedoni.
Në vendimin e nënshkruar dhe vulosur nga Mirakhmedov shënohet edhe arsyeja e dhënies së këtij urdhri. Mirakhmedov kishte shënuar se “Cunico Marketing” nuk ka mundësi për të bërë pagesën dhe se tashmë ka skaduar afati ligjor i kryerjes së pagesës, i cili është tri vite.Por, hetuesit policor nuk i besojnë këtij arsyetimi.
“Vendimi i miratuar për shlyerjen e kërkesave është me përmbajtje të pavërtetë, meqë kërkesa me shkrim nuk i referohet disa faturave të papaguara për shitjen e nikelit të përfunduar nga periudha e mëparshme, por paraqet një bilanc të papaguar të të arkëtueshmeve nga e gjithë periudha e bashkëpunimit afarist midis dy subjekteve juridike “Feni Industries” dhe “Cunico Marketing””, ka thënë Muaremi.
Telegrafi sot gjatë ditës ka shkruar lidhur me biznesmenin nga Shqiperia, Samir Mane. 51 vjeçari është miliarderi i parë Shqiptar. Ai është president dhe pronar i grupit BALFIN, i cili është grupi më i madh i investimeve private në Shqipëri dhe në Evropën Juglindore.
Ndërkaq, Fabrika e Feronikelit është përballur me krizë ekonomike edhe në vitin 2017. Prodhimi u ndal me 13 mars pasi rreth 820 punëtorë dhe 250 kontraktorë ndërprenë punën si shkak i mospagesës nga ana e Menaxhmentit të kësaj fabrike./Telegrafi