Nga Astrit PATOZI
Ajo që ndodhi sot në Kukës, me protestën ndaj tarifës për “Rrugën e Kombit”, është në radhë të parë një mesazh i qartë për “timonierin” e vetëkënaqur, që ka rrëmbyer e po shqyen i vetëm “tepsinë” e Shqipërisë.
Që do të thotë se Edi Ramës nuk i mjafton fakti, që ka në prehër bashkautorin e marrëveshjes së 18 majit, për të keqqeverisur i qetë dhe për të poshtëruar edhe më shumë shqiptarët. Sepse teprimi me zullumin do ta ketë gjithmonë një përgjigje popullore, qoftë edhe spontane, siç ishte ajo e Kukësit sot.
Por po ashtu, ky leksion vlen edhe për udhëheqësit e opozitës zyrtare, të cilët nuk kanë asnjë meritë në reagimin e popullit të revoltuar atje, për të mos thënë më shumë se kaq.
Ata, as nuk mund të fshihen dhe as nuk mund të përfitojnë politikisht nga një protestë qytetare, e cila jo vetëm nuk u organizua prej tyre, por nuk pati asnjë çast qoftë edhe mbështetje morale nga Tirana, për aq kohë që u zhvillua.
Ky është rasti tipik kur opozita, për shkak të kapjes apo paaftësisë së saj, është në të gjitha rastet disa hapa prapa popullit të vet. (FB, 31 mars 2018)