Harta interaktive/ Kosova dhe Shqipëria, vendet më të populluara në rajon

Shqipëria dhe Kosova janë vendet me densitetin më të lartë të banorëve në rajon. Sipas hartës interaktive që ka publikuar Telegraph, densiteti i popullsisë në Shqipëri është 111.2 banorë për km2, ndërsa në Kosovë, 161.1 banorë për km2.  Shifrat për krijimin e hartës interaktive janë marrë nga Divizioni i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara.

Densiteti i popullsisë mat numrin e banorëve në një rajon në raport me sipërfaqen. Në vend të tretë për densitet të lartë të popullsisë renditet Serbia me 106.65 banorë. Maqedonia dhe Bosnja e kanë këtë tregues përkatësisht 82 dhe 74, ndërsa në vend të fundit në rajon renditet Mali i Zi, ku dendësia e popullsisë është 45.

Vendet më të populluara në botë

Vendet me densitetin më të lartë në botë janë vendet aziatike, si India, Pakistani, Kina dhe Japonia. Dendësi të lartë të popullsisë kanë gjithashtu edhe vendet e Europës Perëndimore. Densiteti i popullsisë së Belgjikës 366 banorë, kurse ai i Holandës 405 banorë për km2. Ndërkohë, edhe vende si Anglia, Gjermania, Zvicra dhe Italia, e kanë dendësinë e popullsisë mbi 200 banorë.

Vendet me densitetin më të ulët

Vendet me densitetin më të ulët në botë, janë ato që kanë kushte atmosferike të vështira për njeriun, si për shembull Shkretëtira e Saharasë.

Vendi i parë me densitetin më të ulët është Groenlanda, me 0.0 njerëz për km2. Ishulli më i madh në botë ka rreth 56 mijë banorë, por sipërfaqe 448.3 milje në katror. Edhe Mongolia renditet në vendet me densitet të ulët, sipas të dhënave të Telegraph, 1.9 banorë për km2.

Islanda ka një popullsi prej 330 mijë banorë,  pjesa më madhe e përqendruar në Reikjavik. Densiteti i popullsisë në Islandë është 3.3 banorë për km2.