Hanh: Screening, pjesë e procesit të negociatave

Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Komisionerin europian për Zgjerimin Johannes Hahn për fazën përgatitore të procesit negociator:

Kryeministri Edi Rama: Së pari, dëshiroj të falënderoj Komisionin Europian, Komisionerin, ekipin e tij, për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pazëvendësueshme, lidhur me procesin e afrimit dhe integrimit me Bashkimin Europian, por jo vetëm kaq, por edhe për angazhimin e rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit dhe ndërveprimit rajonal, si një proces paralel me procesin e integrimit të secilit vend të Ballkanit Perëndimor në Bashkimit Europian.

Sot, bashkëpunimi hyn në një fazë të re përmes punës përgatitore të këtyre 12 muajve, e cila, edhe njëherë dua ta theksoj për të gjithë ndërmjetësit tanë me opinionin publik që janë këtu të pranishëm, por edhe për ata që na ndjekin, është një punë që tipikisht bëhet pas çeljes formale të negociatave, ndërkohë që gjuha e konkluzioneve të Këshillit Europian e mundëson nisjen e kësaj pune tani. Që do të thotë, edhe nëse negociatat do të ishin hapur formalisht në qershor, kjo punë që do të bëjmë tani, do të ishte puna që do të bënim. Pra, kemi 12 muaj që nuk janë pritje, por janë punë në një proces që me çeljen formale të negociatave na jep mundësi të jemi në një pozicion më të përparuar, si rezultat i moshumbjes së asnjë minute kohë.

Ky është një ndryshim cilësor edhe në qasje, edhe në angazhim e të gjithë strukturave dhe njësive të integrimit në të gjithë vijën horizontale të qeverisë, por edhe në përfshirjen e të gjitha institucioneve të tjera, duke filluar nga vetë Kuvendi i Shqipërisë.

Ne nuk do të humbasim kohë, jo vetëm për të bërë “screening”, i ashtuquajturi proces i fazës përgatitore, por dhe për të thelluar progresin në fushat e përcaktuara nga Komisioni dhe nga Këshilli Europian, në mënyrë që qershori i ardhshëm të jetë një moment celebrativ i rezultateve dhe çelja formale e negociatave të jetë një moment konsolidimi i pozicionit të Shqipërisë në këtë rrugë aspak të lehtë, por ku çka kemi bërë, na jep mundësinë të jemi shumë besimplotë për atë që duhet dhe me siguri do të bëjmë më tutje.

Më vjen shumë mirë edhe për faktin që sot, ne kemi një marrëdhënie cilësisht më të fortë me të gjitha vendet anëtare dhe specifikisht kemi një marrëdhënie shumë më të afërt dhe shumë më të strukturuar, në funksion të këtij procesi, edhe me Francën dhe me Holandën, me të cilat patëm një debat jo të lehtë dhe të cilat u bënë pjesë e zgjidhjes pozitive në momentin e fundit, por na kanë siguruar për gatishmërinë e tyre për të qenë pranë nesh në këtë rrugë, ku çdo hap do ta hedhim bashkërisht me Komisionin, ku do të ndërveprojmë me të gjitha vendet anëtare dhe ku krijimi i një kohezioni në raport me Shqipërinë dhe krijimi i një pozicioni solid në sytë e të gjithëve është pjesë e kësaj rruge, përtej elementëve teknikë.

E mësuam nga kjo fazë, që Komisioni është objektiviteti teknik, Këshilli Europian është subjektiviteti politik. Bashkimi i këtyre të dyjave tanimë ka ndodhur dhe është e shkruar e zeza mbi të bardhë që Shqipëria dhe Maqedonia, në qershor do të çelin negociatat dhe pastaj do të vijojmë më tutje.

Po ia kaloj fjalën Komisionerit, duke uruar që të na jetë falënderues për të gjithë këtë shi që e sollëm mbi Shqipëri, me rastin e vizitës se tij.

Komisioneri Johannes Hahn: Faleminderit shumë Zoti Kryeministër, por mesa duket dielli ka dalë tashmë dhe kjo është saktësisht ajo çka duam të shohim. Megjithatë është mirë që herë pas here të kemi ca shi, në mënyrë që të pastrohen gjërat kur është e nevojshme.

Në çdo rast, sidoqoftë jam shumë i gëzuar, sëbashku me ekipin, që kthehem këtu në Tiranë. Arsyeja është thjeshtë se Shqipëria sapo ka marrë një vlerësim mjaft të rëndësishëm nga Bashkimi Europian dhe shtetet e tij anëtare, siç u tha tashmë disa herë sot.

Në fund të qershorit, Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, që zakonisht merret me të gjitha çështjet e zgjerimit, ka vlerësuar ecurinë shumë të mirë që është arritur në programin e reformave nga Shqipëria e që vetëm pak ditë më vonë u miratua edhe nga Këshilli Europian. Kështu Këshilli ka përcaktuar ecjen drejt çeljes së negociatave në qershor 2019. Sigurisht, vendet anëtare të BE-së kanë theksuar gjithashtu nevojën thelbësore që Shqipëria të konsolidojë më tej përparimin e arritur deri më tani. Ndaj ia theksova Kryeministrit Rama dhe ministrave të tij se përpjekjet duhet vërtetë të vazhdojnë për Reformën në Drejtësi në veçanti, në mënyrë që vettingu dhe do doja ta theksoj e ta vë në pah, se ne i mirëpresim shumë rezultatet konkrete të këtij procesi, jo vetëm për Shqipërinë, sepse, ndërkohë edhe disa vende të tjera edhe brenda Unionit e kanë parë këtë reformë mjaft gjithëpërfshirëse dhe me efekte afatgjata dhe po kërkojnë të shohin se si mund ta kopjojnë, apo ta miratojnë në njëfarë mënyre, që iu shërben nevojave të tyre. Kështu doja të thosha që të gjitha arritjet janë të rëndësishme, së pari, mbi të gjitha për vendin tuaj, për interesin e qytetarëve tuaj. Por po kështu nuk duhet nënvlerësuar se ky shihet gjithashtu edhe si një lloj modeli edhe për vendet e tjera dhe në këtë aspekt do doja të isha mjaft i interesuar që të shihnim rezultate pozitive, të cilat mund të shërbejnë si shembull i mirë për të tjerët. Megjithatë, kjo ka të bëjë edhe me tregimin e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e gjithashtu kundër krimit të organizuar, përfshi edhe luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave.

Me qëllim që t’u hapet rruga hapave të mëtejshme, Komisioni ka nisur punën e nevojshme përgatitore që është përmendur edhe nga Këshilli dhe kjo është saktësisht arsyeja përse gjendem këtu. Kryeministri iu referua tashmë kësaj. Ndaj unë përurova formalisht, zyrtarisht, për të gjithë qeverinë e Shqipërisë, procesin e vlerësimin analitik, apo të “screening”, i cili përbën një nga hapat e parë thelbësore përpara hapjes së negociatave të ardhshme. Aktualisht është pjesë e këtij procesi dhe është diçka që duhet bërë me çdo vend dhe do të bëhet në të ardhmen me vendet e tjera kandidate me shpresë dhe është kryer tashmë edhe me ato vende që kanë avancuar më shumë në këtë fazë, ato që do të bëhen anëtare të Bashkimit Europian.

E kam theksuar si diçka të rëndësishme dhe është diçka që dua që ta vë në pah, rëndësinë që ka i gjithë ky proces për të gjithë administratën, që kjo e fundit të shtojë përpjekjet e nevojshme e të organizojë më së miri strukturën e vet për atë që do të jetë një proces mjaft intensiv. Megjithatë, kjo nuk është një përpjekje që do të kërkojë shtysë vetëm nga qeveria, që është në ngarkim, por ka një nevojë kyçe që të gjithë aktorët e tjerë në proces të japin kontributin e tyre. Këtu përfshihet i gjithë Parlamenti dhe shoqëria civile, secili prej tyre brenda kompetencës përkatëse.

Ishte shumë kënaqësi për mua që të merrja angazhimin e Kryeministrit Rama dhe pjesës tjetër të qeverisë për të ecur me vendosmëri të madhe në këtë proces dhe për qëllimin e tyre që të përfshijnë të gjithë aktorët përkatës. Procesi që kemi nisur sot është lajm i mirë për vendin. Ai u përgjigjet aspiratave të qytetarëve për integrimin në BE dhe vendos udhëheqjen politike përpara një përgjegjësie të madhe për të dhënë rezultate. Ju siguroj të gjithëve se Komisioni do të vijojë të ndihmojë e të mbështesë si gjithnjë përpjekjet e bëra nga Shqipëria, por edhe njëherë, çdo gjë që bëni këtu nuk ka të bëjë me faktin që duhet të kënaqni e përmbushni disa zyrtarë në Bruksel, por ka të bëjë me përmbushjen e interesave të qytetarëve tuaj, ka të bëjë me shërbimin për çështje të ndryshme ku perspektiva europiane do të shërbejë për qytetarët, do të përmirësojë jetën e tyre.

Do të doja të përfitoja nga rasti për të përgëzuar qeverinë dhe të tjerët për përpjekjet për trajtimin e çështjes së kërkesave të pabazuara për azilkërkim, për të cilën vendi po përballej me disa kritika nga shtetet anëtare. Por më duhet t’ju them se këtu në Tiranë, qeveria ka bërë gjithçka për të ulur numrin e azilkërkuesve, me qëllim që të bindë shtetet anëtare që kjo nuk është diçka që nxitet nga qeveria, por është krejt e kundërta dhe më lini t’ju them që në të ardhmen nuk do të jetë e nevojshme. ….[e pakuptueshme] Kjo është ajo çka realisht ne po kërkojmë të bëjmë, të ofrojmë kushte jetese dhe për ta shndërruar rrjedhjen e trurit në një lloj thithje dhe qarkullimi të trurit.

Edhe një herë është arritur shumë dhe është në interesin e qytetarëve tuaj dhe kjo është ajo çka ka rëndësi dhe këtu ju mund të mbështeteni në angazhimin dhe vendosmërinë tonë të fortë.

Faleminderit shumë!

Për të shmangur mbase interpretimet politike, a mund të bëni të qartë për një shqiptar të thjeshtë, çfarë ishte ky hap që mori Komisioni, një gjë mbase e pa provuar më parë. Domethënë, fillimi i screening, ndërkohë që përgjigja përfundimtare pritet vitin që vjen. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria deri vitin që vjen? A ka kushtet të tjera për Shqipërinë apo ky screening është ajo që nënkuptohet? Cila është kërkesa kryesore që Bashkimi Europian i bën Shqipërisë në këtë periudhë?

Komisioneri Johannes Hahn: Së pari e mbi të gjitha do të doja ta theksoja këtë, edhe një herë nuk po fusim asnjë kusht të ri. Ajo çfarë po bëjmë, – edhe një herë dhe që unë e thashë, – është një proces, i cili është zhvilluar me çdo vend tjetër kandidat dhe që do të zhvillohet me çdo vend tjetër kandidat, sepse në fillim të këtij procesi na duhet të identifikojmë se ku qëndron vendi në legjislacionin e vet, krahasuar me legjislacionin e BE-së. Le të marrim si shembull një prej përparësive kyçë të reformave që ishte procesi i vettingut. Procesi i vettingut ishte një element thelbësor, me rëndësi, në kuadër të tërë fushës së shtetit të së drejtës, por si të thuash është një vetëm një pjesë e mozaikut e ka shumë të tjera. Ajo çfarë po bëjmë tashmë është të kryejmë një proces gjithëpërfshirës të vlerësimit të situatës se ku qëndron vendi, kur bëhet fjalë për këto elemente thelbësore, pra, tashmë po shohim situatën e përgjithshme të shtetit të së drejtës në vend, që të mund ta krahasojmë më pas me legjislacionin tonë. Do të na duhet të bëjmë një vlerësim se ku qëndron vendi, çfarë duhet bërë ende e cilat janë të ashtuquajturat standarde për nisjen e negociatave e kështu me radhë. Kjo është arsyeja se pse e theksoj edhe një herë, që sa më e mirë të jetë cilësia e këtij procesi të vlerësimit analitik nga të gjitha institucionet e përfshira, jo vetëm nga ministrat këtu, por dhe nga Drejtoria e Përgjithshme, sa më shumë të paraprihet, do të jetë më mirë për nisjen e negociatave për secilin kapitull individual. Pra, është një pjesë e të gjithë procesit. Është diçka që duhet bërë me çdo vend. Nuk është një qasje si të thuash e posaçme. Ajo çfarë duhet bërë është të shihen rezultatet e procesit të vlerësimit analitik dhe për të përcaktuar mandatin e negociatave, bazuar në këtë proces të vlerësimit analitik. Pra, duhet parë si pjesë e të gjithë procesit dhe mendoj është mjaft ambicioze e sfiduese që kjo të bëhet për një vit. Kjo është arsyeja pse jam këtu që në korrik e nuk prita deri në shtator, sepse dikush mund të kishte thënë, dakord, vendimi u mor në qershor, le të bëjmë pak pushim, të marrim frymë e le të nisim në shtator. Jo, aspak kështu. Mos humbi asnjë ditë. Nisni sa më shpejt të jetë e mundur. Më thuhet gjithmonë dhe them gjithmonë, njerëzit janë me pushim, por jo institucionet.

Çfarë garancie jep pala europaine në marrëdhëniet kontraktuar me Shqipërinë që vitin e ardhshëm nuk do të kemi një ndryshim të kushteve, apo të pritshmërisë europiane bazuar mbi qëndrime të vendeve të veçanta. Pra, një marrëdhënie midis asaj që propozon Komisioni europian, apo që konstaton, apo asaj që presin apo miratojnë vendet anëtare.

Për Kryeministrin Rama, cila është arma, ose guri më i fortë që beson Shqipëria që mund ta përmbushë këtë ambicie brenda një viti?

Komisioneri Johannes Hahn: kur bëhet fjala për besueshmërinë tonë si Bashkim Europian, kur një partner jep, atëherë edhe ne duhet të japim. Është shumë e qartë çfarë duhet bërë. Të gjithë nuk kemi asnjë dyshim që kjo mund të bëhet. Edhe një herë, jam shumë i bindur se afatet do të jenë këto. Këtu jemi, unë mendoj se është përvijuar qartë ajo çfarë duhet bërë, cilat janë afatet kohore, çfarë pritet deri në fund të vitit tjetër. Deri në fund të vitit tjetër, synimi është hapja e kapitujve të parë e këta do të jenë kapitujt 23 dhe 24

Kryeministri Edi Rama: Ajo që është shumë e rëndësishme besoj dhe që shpeshherë lihet më një anë, apo përgjithësisht lihet më një anë, është progresi që bën vendi në këtë proces, muaj pas muaj, vit pas viti, pavarësisht se si shkojnë gjërat, në raport me dëshirën tonë, nga niveli i Komisionit tek niveli i Këshillit. Pra, e thënë ndryshe, Shqipëria sot, krahasuar me Shqipërinë e një viti më parë, është një Shqipëri shumë më e përparuar në ato aspekte që lidhen drejtpërdrejte me punën tonë të përbashkët dhe me 5 prioritetet. Nëse një vit më parë, ne ishim në një betejë të madhe politike dhe publike dhe në një ethe kombëtare, do ketë vetting, nuk do ketë vetting, një vit më parë fiks, a do hidhet apo nuk do hidhet ky hap, a do fillojë apo nuk do fillojë kurrë pastrimi i pallatit të drejtësisë, sot, një vit më vonë, ne po shikojmë pastrim të përditshëm dhe brutal, nëse mund ta përdor këtë fjalë, të pallatit të drejtësisë.

Natyrisht që, nëse e shohim në raport me ku duhet të jemi një vit më vonë, apo dy e tre vjet më vonë, është e pamjaftueshme, por, nëse e shohim në raport me një vit më parë, është e jashtëzakonshme. Që do të thotë se procesi në fund të fundit është një proces që bëhet për Shqipërinë e për fëmijët tanë këtu, jo se e kërkon Komisioni, apo se u mblodh Këshilli dhe na tha bëni këto gjëra se kështu duam ne, por sepse e kërkon e ardhmja e vendit tonë. Kjo është shumë e rëndësishme dhe ajo që është themelore, është që, siç tregojnë raportet e Komisionit, siç tregon vendimi i Këshillit, ne kemi marrë një vlerësim të merituar. Nuk do ishte kurrë afruar Franca dhe Holanda në pozicionin që u afruan në momentin e fundit, nëse nuk do të ishin rezultate që do flisnin për këtë dhe respektin për punën dhe për rezultatet, ne e kemi ndjerë në çdo kontakt e në çdo bisedë. E ka qenë respekti për punën e për rezultatet që ka mundësuar këtë zgjidhje.

Kurrë, Këshilli Europian, nëse nuk do ishin rezultatet, nuk do të kishte lejuar pikërisht këtë gjuhë që e shpjegoi Komisioneri edhe në takim, edhe në konferencë, që nga një anë lë një afat për çeljen e negociatave, nga ana tjetër mundëson fillimin e procesit përgatitor screening. Nuk do kishte screening. Screening është procesi që fillon pas çeljes formale të negociatave dhe mos harrojmë që historia e integrimit, – të paktën e afërta, – thotë, i është dhënë Serbisë data e negociatave dhe i ka marrë më shumë se një vit, pasi ka marrë datën. I është dhënë Malit të Zi data e negociatave, i ka marrë më shumë se 6 muaj, pasi ka marrë datën. Pse? Pasi është ky proces që ne po bëjmë tani. Pra, edhe sikur ne të kishim hapur formalisht negociatat në qershor, do ishim duke bërë tani, fiks këtë që po bëjmë. Kështu që kjo është si rezultat i njohjes së meritës sonë dhe i harmonizimit të nevojës së tyre me opinionet publike, me nevojën tonë për të shkuar përpara.

Përsa i përket armës sonë më të fortë, arma jonë më e fortë, doni apo nuk doni ju, është pasioni që ne kemi për Shqipërinë, pavarësisht se në momente të caktuar mund të mos jemi në gjendje ta shfaqim ashtu siç duhet Pavarësisht se në momente të caktuara mund të bëjmë gabime, por pasioni ynë për Shqipërinë është i pakonkurrueshëm nga askush tjetër në këtë vend. Kjo është arma jonë më e fortë.

Shumë faleminderit!

TË REJAT E FUNDIT

17. Korrik 2018