Konferenca e përbashkët për shtyp e presidentit amerikan dhe atij rus, pas takimit të nivelit të lartë në Helsinki, ka ndezur reagime të ndryshme jo vetëm të përfaqësuesve të kongresit amerikan.
Kritikët kanë akuzuar Presidentin amerikan Donald Trump për një veprim të paprecedent, duke i dhënë mbështetje presidentit rus, kundër agjencive amerikane të cilat kanë dalë në përfundimin se Moska ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Republikanët e Kongresit, me disa përjashtime, i shmangën kritikat e drejtpërdrejta ndaj zotit Trump.
Disa prej tyre i dolën në mbrojtje qëndrimit të tij kundër Prokurorit të Posaçëm që po heton nëse ndërhyrja e Rusisë ndihmoi zotin Trump të fitojë zgjedhjet.
Komentet e Presidentit Donald Trump që fajësonin të dy vendet për ndërhyrjen e Rusisë në procesin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara, shkaktuan reagimeve të ashpra, veçanërisht të demokratëve.
“Është një veprim i pamenduar, i rrezikshëm dhe dobët që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të mbështesë Presidentin Putin kundër autoriteteve amerikane të zbatimit të ligjit, zyrtarëve të mbrojtjes, agjencive amerikane të zbulimit “, tha Chuck Schumer udhëheqësi i pakicës në Senat.
Sipas disa analistëve dhe komentuesve mediatik, presidenti Trump nuk ia doli të tregonte forcë.
“Presidenti u tregua i përulur ndaj Vladimir Putinit, ai ishte i drojtur, ai nuk kritikoi asnjë prej veprimeve të Rusisë jashtë apo brenda vendit që kanë shkaktuar kaq shumë vështirësi në sytë e SHBA-së për shumë vite“, thotë Jeffrey Rathke i Qendrës për Studimeve Strategjike e Ndërkombëtare,
Me pak përjashtime, republikanët i shmangën kritikat e hapura ndaj zotit Trump. Disa i dolën në mbrojtje sulmeve të tij ndaj hetimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.
“Dyshimi mbi diçka, deri në momentin e shqyrtimit dhe verifikimit të saj është i arsyeshëm. Por megjithë këtë, e përsëris: e shoh Putitin si dikë me të cilin duhet të përballemi, si dikë që padyshim është pjesë e një perandorie të vjetër, të ligë dhe që nuk i ka ndryshuar zakonet“, thotë ligjvënësi republikan Darrell Issa.
Një nga senatorët e rëndësishëm republikan John McCain e quajti daljen e presidentit Trump përkrah Vladimir Putinin një “gabim tragjik”. Në një deklaratë me shkrim, senatori nga Arizona shkruante se zoti Trump ka bërë një “zgjedhje të vetëdijshme për të mbështetur një tiran”.
Takimi i zotit Trump me homologun e tij rus me qëllim pajtimi, i dha fund një turi evropian gjatë të cilit presidenti amerikan kritikoi NATO-n dhe e quajti Bashkimin Evropian “armik”.
“Ai ofendoi dhe kërcënoi aleatët tanë të NATO-s. Ai kërkoi të prishë një proces zgjedhor në pritje në Mbretërinë e Bashkuar dhe më pas u pozicionua me rusët“, thotë Eric Swalwell, ligjvënës demokrat.
Senatori i Floridës Bill Nelson i bëri thirrje të dyja palëve në Kongres të bashkohen kundër rrezikut që paraqet për demokracinë amerikane Presidenti rus Vladimir Putin, një ish-spiun sovjetik.
“Shpresoj të bashkohemi së shpejti, të dyja palët, për të mbrojtur veten dhe t’i bëjmë opozitë Putinit“.