Trump: Kam pritshmëri të vogla nga takimi me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se ka “pritshmëri të vogla” nga takimi i tij me presidentin rus, Vladimir Putin më 16 korrik në Helsinki.

“Shkoj me pritshmëri të vogla”, tha Trump në një intervistë për CBS News.

“Nuk shkoj (në samit) me pritshmëri të mëdha”, shtoi presidenti amerikan.

Presidenti Trump tha se “asgjë e keqe” nuk do të ndodhë dhe “ndoshta diçka e mirë” do të dalë nga ky takim.

“Mendoj se është mirë që takohemi. Unë besoj në takime”, tha Trump.

Presidenti amerikan tha se në takimin me Putinin do të ngrisë çështjen e padive ndaj 12 spiunëve rusë, të cilët, autoritetet amerikane i akuzojnë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Trump shtoi se ai “nuk e ka menduar”, që ta pyes Putinin që t’i ekstradojë këta persona në Shtetet e Bashkuara.

Kremlini vazhdimisht ka mohuar se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane.