Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj ka hapur një Ekspozitë Fotografike në qytetin e lashtë të Krujës, në Krujën e Skënderbut, në kuadrin e veprimtarisë tradicionale panshqiptare “Muzxa e Alpeve, 2018”.
Për peshën artistike të fotografisë së Aleks Selimajt, foli shkrimtari, aktori dhe regjisori i mirënjohur shqiptar Xhevat Limani, hulumtimet dhjetëvjeçare të të cilit rezultuan me poemën dramatike Gjergj Kastrioti Skënderbeu:
“Fotografi Aleks Selimaj është një personalitet i cili ndau dritën nga terri, sepse te regjistrosh gjurmët e kohës për të mbetur në analet e historisë gjurmët e qëndresës së një populli duhet një shpirt i veçantë. I lindur në Plavë-Guci, si shumë të tjerë e deshi fati që në tokën e bekuar të gjej vendin për të realizuar talentin e vet, në ShBA. Sepse, syri i Aleks Selimajt është i veçantë dhe ai po shkon gjurmëve të fotografit shqiptar Gjon Milit i cili la gjurmë të pashlyera në historinë e fotografisë botërore. Sepse, Aleks Selimaj me dashurinë apo kryeatdhedshurine e tij dhe ambiciet e veta do te dëshmojë shqipërisht nëpërmjet fotografive që flasin dhe prezantojnë dinjitetshëm atdheun e vet, Shqipërinë”-tha Limani.
Ndërsa, Alex Selimaj, në fjalën e tij të shkurtër tha se ndonëse talenti I tij nuk është në oratori por në fotografi dhe persekutimi vazhdueshëm ndaj popullit të tij në Plavë-Guci ka ndikuar që kombin ta mbaj në zemër, ai theksoi se”edhe vetëm një ekspozitë në jetë po ta hapja, atë do ta bëja në Krujë”.
Fotografitë e ekspozitës së shqiptaro-amerikanit Alex Selimaj nga Plavë-Gucia, me motive nga Kruja e Skënderbeut u lanë dhuratë për këtë qytet të bekuar, të cilat do të qëndrojnë në muret e bashkisë së Krujës. (Valdet Ermali).