Londër, 10 korrik 2018 – Zyrtarët e Bashkimit Evropian u zotuan për vazhdimin e mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt rritjes së qëndrueshmërisë dhe sigurisë.
Këto komente u bënë në Londër në përfundim të takimit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimorë, në të cilin u diskutua për rrugët e përmirësimit të zhvillimit ekonomik, forcimit të sigurisë e bashkëpunimit politik dhe ripajtimit.
Kryeministrja britanike Theresa May, tha në një konferencë për gazetarë së bashku me kancelaren gjermane, Angela Merkel, se Mbretëria e Bashkuar ka rritur fondet për rreth 95 për qind për tri vitet e ardhshme për të përkrahur projekte që do të mundësojnë ndryshimet reale në Ballkanin Perëndimor. Ajo tha se një Ballkan i qëndrueshëm dhe i sigurt do të thotë një Evropë më e sigurt dhe e qëndrueshme.
“Prandaj sot kam paraqitur një paketë ambicioze të masave për të ndihmuar rajonin në përmirësimin e sigurisë kolektive, rritjen e qëndrueshmërinë dhe aftësinë për të trajtuar rreziqet në të ardhmen”, tha zonja May duke nënvizuar se është shumë e kënaqur me vullnetin e udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rritur bashkëpunimin.
“Mirëpres zotimin e bërë sot nga udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të siguruar që vendet e tyre të punojnë më ngushtë me njëri tjetrin për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe për të kontrolluar keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla. Gjithashtu mirëpres zotimin për të zgjidhur të gjitha kontestet dypalëshe”, tha ajo.
Kryeministrja May tha se me fondet britanike do të përkrahen projekte që do të mundësojnë ndryshimet reale siç janë forcimi i administratës publike në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Malin e Zi, promovimin e reformës gjyqësore në Kosovë dhe Shqipëri, përmirësimin e mjedisit për biznes në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi si dhe forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministrja May tha se edhe pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, , mbështetja dhe angazhimi për Ballkanin nuk do të ndryshojë.
“Duke pasur parasysh se sa të ndërthurura janë siguria, qëndrueshmëria dhe mirëqenia, shpresoj që takimi do të forcojë më tej lidhjen mes nesh, nga forcimi i sigurinë sonë, duke ndërtuar lidhje me të rinjtë, për të përmirësuar çështjet e operacioneve, qëndrueshmërinë ekonomike dhe këto më jetike për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu për suksesin tonë të përbashkët. Ne duam që Ballkani Perëndimor të jetë paqësor, i begatë dhe demokratik dhe të arrijmë vlera evropiane dhe të sistemit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe që kontribuon për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe begatinë evropiane”, tha zonja May.
Takimi në Londër ishte në vazhdën e atij që është quajtur procesi i Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të demonstruar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj aspiratave të rajonit për anëtarësim.
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha në hapje të takimit se vendet e Ballkanit meritojnë vëmendjen e Bashkimit Evropian.
“Sot është një ditë e rëndësishme dhe mendoj se duhet të dëgjojmë miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor, vëmendjen dhe ndihmën që meritojnë, pasi që sa më shumë që këto vende dhe të rinjtë në Ballkanin Perëndimor na e përkujtojnë vazhdimisht sa tërheqës është Bashkimi Evropian, si diçka reale dhe thelbësore vitale dhe kjo ndonjëherë më shumë vërehet nga vendet jashtë se sa brenda Bashkimit Evropian”, tha zonja Mogherini duke nënvizuar se derisa disa vende po luftojnë se si të dalin nga Bashkimi Evropian, të tjerët po punojnë shumë për t’u integruar në të.
“Sot jemi këtu për këto vende. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë punuar shumë në reforma, në pajtim, në marrëdhënie ndërmjet fqinjëve, në disa marrëveshje dypalëshe që kanë qenë historike”, tha zonja Mogherini duke nënvizuar se Bashkimi Evropian do të mbështesë rrugën e këtyre vendeve drejt integrimit.
Zyrtarë të lartë evropian kanë kërkuar nga vendet e rajonit që të përfitojnë nga përpjekjet e ripërtërira të Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.
Takimi i tillë i radhës pritet të mbahet në Varshavë, në vitin 2019.
/Zëri i Amerikës/