Udhëtimi që fillon të martën në Bruksel, do ta çojë presidentin Trump edhe në Londër, ku qeveria e kryeministres Theresa May po përballët me telashe rreth planeve të saj për largimin nga Bashkimi Evropian.
Presidenti Trump po ushtron trysni mbi vendet e NATO-s që të përmbushin synimin për shpenzimin e 2 për qind të GDP-së në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2024. Gjatë fushatës së tij presidenciale ai kishte lënë të kuptohet se mund të angazhohet për mbrojtjen e vetëm atyre vendeve të NATO-s që përmbushin detyrimet e tyre. Ai vazhdon të kritikojë vendet e NATO-s që nuk po paguajnë pjesën e tyre.
NATO-ja vlerëson se sipas ritmit aktual, 15 vende, apo më shumë se gjysma e tyre, do të përmbushin detyrimet e tyre deri më 2024.
“Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë se çdo vend tjetër për NATO-n. Kjo nuk është e drejtë, nuk është e pranueshme”, shkroi të hënën në tëitter presidenti Trump, duke ngulur këmbë se NATO-ja është në dobi të Evropës shumë më shumë sesa në dobi të Shteteve të Bashkuara.
” Vendet e NATO-s duhet të paguajnë më shumë, Shtetet e Bashkuara duhet të paguajnë më pak” shkroi ai të martën.
Presidenti Trump, i cili krahasoi votën për BREXIT-in me zgjedhjen e tij, do të zhvillojë vizitën e parë në Britani në një periudhë të stuhishme për kryeministren May. Sekretari i Jashtëm Boris Johnson dhe sekretari për BREXIT-in, David Davis, dhanë dorëheqje njëri pas tjetrit brenda disa orëve, në shenjë proteste ndaj planeve të saj.
Vizita e presidentit Trump pritet të nxisë protesta të mëdha në Londër dhe pjesë të tjera të Britanisë.
Udhëtimi i tij njëjavësh në Evropë do të vazhdojë me një ndalesë në Skoci, para se të takohet në Helsinki me presidentin rus Putin, vendi i të cilit sipas përfundimeve të shërbimeve amerikane të zbulimit, kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 për të ndihmuar presidentin Trump.
Takimi do të ndiqet nga afër për të parë nëse presidenti Trump do të qortojë apo do të afrohet me Putinin, i cili në mënyrë të përsëritur ka mohuar akuzat për ndërhyrje gjatë zgjedhjeve, pavarësisht se provat flasin për të kundërtën.