Prania e Britanisë së Madhe në Balkanin Perëndimor do të rritet, theksoi zëvendësambasadori britanik, Sean Melbourne në konferencën rajonale “Procesi i Berlinit – Samiti i Londrës 2018”, të zhvilluar në Tiranë.
Zv. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Sean Melbourne, deklaroi të premten (6.07.2012), se vendi i tij do të rrisë praninë dhe angazhimin në Ballkanin Perëndimor. Në konferencën rajonale “Procesi i Berlinit- Samiti i Londrës 2018” ai paraqiti synimet kryesore të Samitit. “Promovimi dhe mbështetja e Ekonomisë Dixhitale në të gjithë rajonin, Çështjet e Sigurisë dhe zgjidhja e Mosmarrëveshjeve Bilaterale janë objektivat tona kryesore. Por Samiti i Londrës do të shpallë gjithashtu nisma të reja për sigurine në rajon, axhendën dixhitale dhe zhvillimin ekonomik,” tha zv. Ambasadori Britanik në Tiranë, Sean Melbourrne.
Bashkëpunimi Ekonomik, Politik dhe Siguria
Samiti i Londrës është i pesti në serinë e samiteve në kuadër të Procesit të Berlinit, nismës diplomatike të kancelares Merkel, në vitin 2014, për t’i dhënë impulse të reja afrimit të Ballkanit Perëndimor ( BP) me BE. Pjesëmarrësit në konferencë vlerësuan se promovimi dhe mbështetja e ekonomisë dixhitale është një mundësi për krijimin e një klime më të mirë biznesi, nxitjen e iniciativave private të rinisë, zgjidhjen e problemit urgjent të papunësisë tek të rinjtë, forcimin e bashkëpunimit rajonal. Bashkëpunimi politik lidhet me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe, kapërcimin e trashëgimisë së të kaluarës dhe forcimin e demokracisë dhe barazisë gjinore në rajon.
Ndërsa forcimi i sigurisë mbetet parakusht i përballimit më me efektivitet i kërcënimeve të përbashkëta si korrupsioni, krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe qënieve njërezore, terrorizmi. Të premten ( 6.07.2018) në Tiranë , u firmos Marrëveshja e Mirëkuptimit per Shkëmbim të Informacionit në fushën e Drejtësisë Penale mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe që konkretisht do të thotë hetim dhe parandalim më efikas i veprimtarive antiligjore në territoret e dy vendeve, përmes shkëmbimit të të dhënave kriminale. Zhvillimi i samitit të pestë të Procesit të Berlinit në Londër është tregues i vazhdimit të angazhimit të Britanisë së Madhe në BP. Që edhe pse duket paradoksal pas Brexit, nuk është i tillë. Kjo pasi stabiliteti, siguria dhe paqja në rajon kanë rëndësi edhe për Britaninë e Madhe edhe duke qënë jashtë BE, si një faktor global.
Zbatimi i ligjit- objektiv i munguar në Samitin e Londrës.
Në samitin paraardhës të vitit të kaluar, në Trieste, sundimi i ligjit, shteti i së drejtës ishte përfshirë si një nga synimet e samitit. Jovana Marovic, drejtore Ekzekutive e rrjetit “Politikon” në Malin e Zi e quajti të gabuar mospërfshirjen në Samitin e Londrës. “Sundimi i ligjit është parakusht i të gjitha reformave që po ndërmarrin vendet e BP për progres në afrimin me BE. Shoqëria civile në nivel rajonal në forumet e zhvilluara në kuadër të Procesit të Berlinit, ka rekomanduar që sundimi i ligjit të përfshihet në Procesin e Berlinit, si një nga objektivat e tij madhore. Madje, për këtë qëllim shoqëria civile ka propozuar ngritjen e një “Task Force Rajonale”, tha Jovana Marovic.
Parlamentet e BP – të lëna jashtë procesit të Berlinit
Në samitet e deritanishme të Procesit të Berlinit dy kanë qënë aktorët kryesore: qeveritë e 6 vendeve të BP dhe shoqëritë e tyre civile. Dr. Majlinda Bregu , ish-Ministre e Integrimit dhe Sekretarja e ardhshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në janar 2019, tha në konferencë se parlamentet duhet të përfshihen në Procesin e Berlinit dhe në serinë e samiteve të Berlin Plus. “Pritshmëritë nga Samiti i Londrës janë që ai të jetë një Samit Produktiv në arritjen e synimeve të tij kryesore. Por parlamentet e 6 vendeve të BP duhet të përfshihen në nismat e Procesit të Berlinit. Po kështu edher roli i shoqërive civile të rajonit duhet të institucionaizohet,” tha Dr. Majlinda Bregu.
Samiti i Londrës do të zhvillohet në fillim të javës që vjen, nga 9-10 korrik 2018. Zoran Nechev, koordinator i Rrjetit ” Europa Jug- Lindore Think Tank” dhe studiues në Institutin për Democracy ‘Societas Civilis’ tha në konferencë se “për herë të parë në këtë samit do të marrë pjesë edhe Greqia si një vend anëtar i BE dhe që mund të kontribojë në arritjen e synimeve të Procesit të Berlinit për progres në afrimin të rajonit me BE.”
Me sa duket përpjekjet e Greqisë për të zgjidhur mosmarrveshjet me Maqedoninë për emrin dhe me Shqipërinë për kufirin detar mes dy vendeve si edhe Ligjin e Luftës, së vitit 1941 – që ende ekziston pasi nuk është ratifikuar për t’u hequr nga Parlamenti grek – janë në bazë të përfshirjes së Greqisë në Samitin e Londrës. (Ani Ruci – DW)