TRAU PA ALTERNATIVË DHE TAKSA E DYFISHTË E RRUGËS SË KOMBIT

Nga Azgan HAKLAJ – ish deputet në Kuvendin e Shqipërisë

 

Rruga e Kombit është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm nga pikëpamja kombëtare në historinë e Shqipërisë.

Realizimi i kësaj vepre është triumfi përballë pengesave të shumta të cilat kishin të bënin jo vetëm me koston e lartë, por në radhë të parë me vendosmërinë e të majtës për ta penguar me çdo mjet politik këtë vepër të madhe të pagëzuar me emrin kuptimplotë “Rruga e Kombit”.

Kjo kryevepër e inxhinierisë, megjithëse kalonte në një terren të vështirë malor ku u desh të lëvizeshin sasi kolosale prej 32.000.000 m kub dhéra dhe shkëmb, të ndërtoheshin mure, ura e Tuneli i Thirrës, më i gjati në Ballkan, ia doli të shkurtonte tre herë kohën e udhëtimit Tiranë-Prishtinë e anasjellltas.

Kur poeti i madh Dritëro Agolli e përshkoi “Rrugën e Kombit” një dekadë më parë gjatë vizitës  së tij në Prishtinë tha i entuziazmuar :-“Pas 10 vjetësh askush nuk do të pyesë sa ka kushtuar kjo rrugë”. Patriarku socialist kishte parasysh sulmet e egra që i  bënte e majta z. Lulzim Basha, finalizuesit  të kësaj vepre të Qeverisë Berisha.

Edi Rama e Qeveria e tij koncesionare e shetitëse me demonstrime paternaliste  në  5 vjet qeverisje nuk kanë ndërtuar as një km rrugë të re Ai groposi 100 milionë euro në Rrugën Tiranë–Elbasan-Gjinar, bajpasin e Fierit, Lungonorën e Vlorës e vepra të të tjera që janë iniciativa të Qeverisë Berisha,  e që kanë ndodhur ditën për diell me bekimin e plotë të Ramës e misionarëve të tij të korruptuar.

Prangosja e disa drejtorëve  sekser  dhe e zyrtarëve  të niveleve të ulta ishte një tymnajë për të mbuluar megaskandalin gjigand dhe vjedhjen kolosale që Rama e banda e tij u bëjnë qytetarëve shqiptarë prej 5 vjetësh.

Natyrshëm lind pyetja”-“Përse Edi Rama i ve taksë të dyfishtë  Rrugës së Kombit”?! Urrejtja e tij patologjike ndaj shqiptarëve dhe ndaj atyre të Veriut në veçanti është vetëm një anë e problemit që ai ka me veriorët.

Ai është i  bindur që dëmi që i shkaktohet ekonomisë, turizmit, lëvizjes së lirë dhe imazhit të Shqipërisë është shumëfish më i madh se përfitimi që ka shteti e shqiptarët nga kjo taksë që fillon nga 5 -22 euro që shkon në xhepat e dyshes Salillari-Kastrati.

Kryeministri  Rama e urren Kosovën njësoj si babai i tij shpirtëror Enver Hoxha e daja i tij, Spiro Koleka.

Ai nuk dëshiron që Shqiptarët e anës tjetër të kufirit të vijnë në Tiranë, Durrës, Shkodër, Shëngjin, Vlorë lirshëm si vllau tek vllau e të ndihen natyrshëm si në shtëpinë e tyre.

            Preteksi se “Rruga e Kombit” kërkon shpenzime të mëdha e të pa përballueshme për buxhetin e shtetit është një mashtrim i madh, një ҫorbë që ju serviret shqiptarëve nga kazanët e “guzhinës së Rilindjes”. Por ky preteks dëshmon dhe një të vërtetë se nuk mund të vesh taksë të dyfishtë, në një rrugë të papërfunduar, pa alternativë dhe që bie ndesh me deklarimin e bashkimit doganor.

Një dekadë pas ndërtimit të saj “Rruga e Kombit” i ka sjellë Shqipërisë dhe ekonomisë së saj fitime, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e turistëve që kanë vizituar Shqipërinë , pa llogaritur miliona euro që Kosova importon nga Shqipëria në materiale ndërtimoi e produkte agro-ushqimore.

Nga ana tjetër është taksa skandaloze qindra mijëra eurosh e fshehur tek çmimi i karburanteve, të cilën qytetarët tanë i paguajnë” Edvin Sulltanit” për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor.

Shtoj këtu edhe taksën e qarkullimit të automjeteve i bie që  kryehajduti zhvat kaq shumë lekë nga populli i vet, sa mund të shtronte të gjitha rrugët me tapet të kuq. Rama vjedh këtë taksë që dikur e vodhi kryeministri Majko, sot ministër në kabinetin e tij. Shqiptarët nuk e kanë harruar ende taksën Majko . Vepra të tilla të mëdha kombet e qytetëruara, perandoritë e mbretëritë e tyre i kanë ndërtuar qysh në lashtësi, por askush nuk është kujtuar të vendosë taksë në rrugën që lidh dy pjesët e një kombi.

Këtë s”e bënë as romakët, me të famshmen “Rrugën Egnatia”, as Shteti i Arbrit dhe as i Skënderbeut.

Nuk është rastësi ndërtimi i Kalasë së Rodonit e i Portit të saj nga Heroi ynë Kombëtar, strategu e burrështetasi gjenial në kushtet e rënda të luftës për ekzistencë i lidhi trojet shqiptare me detin duke siguruar një komunikim të pandërprerë për nevojat ekonomike e ushtarake të shtetasve të tij .

Në kufirin shqiptar që Rama kërkon të bllokojë e të vendosi barrierë janë derdhur lumenj gjaku në betejat për liri e bashkim kombëtar, për shembjen e “Mureve të Berlinit” mes shqiptarëve.

I kujtoj këtu Ramës, betejat legjendare të UҪK-së, e po ndalem tek shembia e kufirit mes shqiptarëve në Koshare. Agim Ramadanin, komandant i pathyeshëm që ra në Koshare, kishte shkruar:

        M’u shterrshin sytë nëse pushoj

        Lirinë tande tuj ëndrrue.

        Mallkuar qoftë gjaku im,

        Nëse më vrasin  pa luftue.

Luan Haradinaj ra në kufirin që ndante shqiptarët.

Për të fituar lirinë dhe për të shembur kuijtë e barrierrat luftuan Jasharajt e Haradinajt. Ranë për të mbetur në altar Komandanti legjendar  Adem Jashari me Hamzën e Shabanin e gjithë familjen. Ranë Bedri Shala, Bekim Berisha,  Ardian Krasniqi, Mujë Krasniqi, Fehmi e Xheve Lladrovci, Yll Morina, Urim Rexha, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Njazi Azemi, Agron Rama, Iljaz Kodra, vëllezërit Gursel e Bajram Sulejmani, Shkëlzen Haradinaj, Tahir Sinani, Fadil Nimani, Ismet Jashari, e mijëra e mijëra të tjerë dhanë gjënë më të shtrenjtë jetën për të shembur kufirin mes shqiptarëve .

Me të drejtë Kosova i ka vendosur emrin Rrugës së Kombit  “Ibrahim Rrugova”, në shenjë nderimi për kontributin e tij për Kosovën e për Atdheun.

Kryeministri do të taksojë gjimnazistët, studentët, veteranët e qytetarët e Shqipërisë, e vetëm kur të japin para për kryekusarin do të vizitojnë Prishtinën, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën e Bacës Isë, bukuritë e Rrozhajës, Plavë-Gucinë e Ali Pashë Gucisë,  Sanxhakun që po sllavizohet, Shkupin e Nënë Terezës,  Preshevën e Ridvan Qazimit ,  kullat legjendare të Prekazit e të Gllogjanit, ku është shkruar epopeja e re e lavdishme e Kombit Shqiptar.

Në anën tjetër të rinjtë e të rejat e Kosovës, shqiptarët e Malit të Zi, Preshevarët, Shqiptarët e Maqedonisë duhet të paguajnë haraҫe kryetaksidarit  Rama, për të vizituar Krujën, kështjellën e qëndresës shqiptare, Lezhën e Besëlidhjes  së  Gjergj Kastriotit  Skënderbeut, Shkodrën e  Ulqinin e Teutës, Vlorën e Flamurit të  Plakut të urtë Ismail Qemalit.

Dhuratat e konҫesionet që Edi Rama u ka bërë armiqve shekullore të shqiptarëve , grekëve e turqëve, e kanë damkosur si kampion të tradhëtisë. Grekëve u dhuroi Detin e turqëve Aeroportin dhe Hidrocentralet, mafias ndërkombëtare të drogës dhe trafiqeve Bregdetin. Rama dënoi me vdekje  Çështjen Ҫame, duke e përjashtuar nga bisedimet dypalëshe të qeverive Tiranë-Athinë, e cila të sjell në mend vargjet e Bilal Xhaferrit:

Dhe kudo tokë Ҫame

Mbuluar nga retë,

Rënkon e mbytur në gjak e lot,

E mbetur e shkretë

             Pa Zot.

Na e tregojnë drejtimin plumbat që vërshëllejnë në errësirë.

Na ndriçojnë rrugët flakët që gjithë tokën kanë përpirë.

Mirëpo sot i themi këtij Esat Pashë të Dytë që kurrë nuk kanë për ta falur Shqiptarët Ҫamërinë.

Edi Rama po jetëson planin djallëzor të kolonizimit të Alpeve asetet  më të bukur e më të ҫmuar të Kombit, me hotele me 5 Yje për të shndërruar  ato në lavatriҫe gjigande të pastrimit të parave të krimit. Taksa 0 për këta   përbindësha, që presin të mbijnë në peisazhin mahnitës të Alpeve është vula e testamentit të besëlidhjes që “pejgameri Rama” ka nënshkruar me qarqet anti-shqiptare që e sollën në pushtet..

Me hakmarrje të pamëshirshme shkatërroi bukuritë turistike duke betontizuar luginat e lumenjve sidomos atë të Valbonës. Është neveritëse deri në përshtirosje kur sheh në ekran dordolecët e tij që mundohen të mbrojnë timonierin e tyre mbas çdo mëkati që bën . Kështu ndodhi në rastin e Marrëveshjes së fshehtë për Detin, me pabesinë ndaj Ҫështjes Kombëtare Ҫame.

Kur u hakmor ndaj Universitetit, Akademisë së Shkencave, Teatrit Kombëtar, Galerisë së Arteve, simboleve më të rëndësishme të një shteti.

Nuk do të ҫuditesha aspak kur të dëgjoj të thotë do të bëjmë Muzeun Kombëtar supermarkatë për domate e speca.

Teksa shikoja para dy ditësh në televizion  zv/ministrin e tij  qyp, siҫ i  thonë anët tona një burri të paditur, të  jepte  alternativë të Rrugës së Kombit një udhëtim prej Magelani rreth Pukës për të mbëritur në Kosovë, e për të përligjur taksën e “Rrugës së Kombit”.

Mendova me vete: A ka lexuar ndonjë libër ky njeri ? A ka shfletuar ndonjë  hartë kjo daulle e Qeverisë?!

Një javë pas mbërritjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prishtinë, këngëtarja e madhe Shkurte Fejza i drejtohej  Gjergjit të madh me vargjet:

              Kur kalove nëpër kufi

             A i  ke pa  do gurë të zi?

             Që përgjysë ne na kan’ nda.

Mirë se erdhe, Gjergj vëlla.

Dhe pikërisht në Vitin e Gjergj Kastriotit që ai vetë ka shpallur, ndaj shqiptarëve ka bërë mjaft zullume . Përdhosja, fyerja që kryeministri iu bën simboleve kombëtare. Shembja e kullës së heroit të rezistencës antikomuniste Prek Calit. Lufta e paprinciptë ndaj shtresës së të përsekutuarve. Opozita që i bën Opozitës. Goditja e botës akademike e asaj të artit. Shkatërrimi i Sovranitetit Kombëtar. Goditja e shkatërrimi i projektit të Bashkimit  Kombëtar,  ndonëse prezantohet si udhëheqësi i këtij projekti. Ideja e tij për Tregun e Përbashkët Ballkanik, që ka si qëllim Jugosllavinë e Re.

Përpjekja për shkëmbim territoresh në Kosovë. Pozimi si patriot i madh në Preshevë, e shpallja “Qytetar Nderi” në qytetin e Ulqinit, ndërkohë taksimi që po u bën sot për lëvizjen e lirë në Rrugën e Kombit, nxjerr lakuriq paftyrësinë e tij para një kombi të tërë.

            Të gjitha këto  janë bonuset e mëdha që Rama u jep armiqëve tanë shekullore si hakmarrje ndaj grushteve vdekjeprurëse që iu dha atyre kryetrimi i historisë dhe i ushtrisë së tij fitimtare, Gjergj Kastrioti.

Në Kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet: “Udhën e madhe dhe udhën e katundit s”ka burrë që e ndal”. Aty kalojnë njerëzit e bagëtitë . Kalon  i  gjalli dhe i  vdekuri

Vetëm kur Shqiptarët të marrin vendimin me referendum taksidari Rama do të marrë para, ndryshe vendos Populli Sovran e i  tregon vendin burrit  të  fortë që bllokon jo një rrugë katundi, por Rrugën e një Kombi të tërë. Modeli alla Putinist e  Erdoganist nuk mund të zbatohet kurrë në trojet tona , të një kombi që lufton prej 2.000 vjetësh për lirinë dhe dinjitetin e tij .

Kur Shqipëria lëngonte nën thundrën e Sulltanit, në preludin e Kryengritjes  së Malësisë së  Madhe dhe të Shpalljes së Pavarësisë,  i madhi Ndre Mjeda, poeti rilindas, i  drejtohej maleve kala të lirisë dhe shpendit simbol të shqiptarëve, shqiponjës  , me vargjet lapidare:

O  Shqipe,  o zogjtë e malevet, kallxoni:

A shndrit  rreze lirie mbi ato maje,

Mbi bjeshkë të thepisuna e nd”ograji,

Kur del gurra e gjimon përmallshëm kroni?

A keni ndie ndokund kah  fluturoni

Nëpër shkrepa me ushtue kënga e saj.

Zgjodha këtë fund poetik  kushtuar Lirisë  prej rilindasit të madh Mjeda, për t’i thënë “Sulltan Ramës “,  se për tradhëtitë që i ka bërë popullit shqiptar në Vitin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, do të marrë përgjigje solemne nga Sovrani Popull. Ky Sovran do të këndojë në mënyrë referendare këngën e lirisë duke shkuar deri në vendimin e mosbindjes civile.