Nga Dëfrim CANI – Studiues, Tiranë
Pavarësisht zhvillimit teknologjik, rreth të cilit në dy- tre dekadat e fundit po rrotullohet shoqëria njerëzore, zgjatimi i të kaluarës vazhdon të ushqejë eksplorimin e saj në të gjithë kompleksin e vet. Sado të zhvillohet shoqëria njerëzore, ajo kurrë nuk do të mundet të shkëputet nga e shkuara e vet, as dhe nga “primitiviteti” i saj, as nga rruga nëpër të cilën ka ardhur deri sot.
Ajo nuk do të mundë kurrë të iu largohet apo të harrojë mitet e lashtë, të cilët universialisht kanë brenda kodin e zhvillimit. Nuk do të mund të iu largohet ngjarjeve misterioze, të cilat vijojnë të qëndrojnë shekull pas shekulli në vëmendjen tonë dhe të shkencës dhe pse kodi i tyre misterioz nuk është arritur ende të dekodohet. Shoqëria njerëzore nuk do të mund të lejë në harresë dhe në varr historitë e (pa) mundura njerëzore, ato gjys- hyjnore që nga Gilgameshi e deri tek Doruntina shqiptare, të cilat përbashkërisht përbëjnë dhe “pengun” e të vërtetës mbi to.
Ndoshta kjo është një arsye, që mendimet për një libër të veçantë dhe të çuditshëm, brenda të cilit është një histori njerëzore, e një njeriu që ende jeton dhe sot e kësaj dite, të niste në këtë mënyrë dhe përmes një përfytyrimi të tillë. Pjetër Meta, autor i disa librave të çuditshëm, të shkruar dhe botuar në dekadat e fundit, ka botuar librin (të cilin ai e quan monografik), “Gruaja që sfidoi fatin”, botoi “Kristalina- KH”, Tiranë 2013.
Siç dhe shihet, është një titull mes një konceptimi modern dhe një prelud tradicional, të përqendruara në fjalët “gruaja” dhe “fatin”, elementë tradicional të preludit dhe fjala “sfidoi”, një fjalë– term i pas viteve “90-të, në përdorim të dukshëm me një marrëdhënie afër patetike dhe të semantizmit të forcës, aftësisë për t’u përballur me dikë apo diçka të fuqishme. Është një titull që përmbushet në të gjithë hapësirën e librit. Pavarësisht ngjarjes së vërtetë, Pjetër Meta ka shkruar mirëfilli një roman të bukur, e si i tillë, duke qenë një histori reale, unë mendoj se ai duhet interpretuar përmes tri elementëve,- të ngjarjes, personazhit dhe mitit historik, të cilët janë pleksur në një strukturë rrëfimtare dhe në një ritëm përmbajtjesorë të veprës, më funksionalisht se dhe në një vepër të mirëfilltë letrare.
Personazhet dhe ngjarja janë një marrëdhënie e kuptueshme historike, pasi ato janë vënë në udhëtimin, psikologjinë dhe mbijetesën e një personazhi të njohur, por programimi dhe fondamenti i karaktereve, i truallit socio- historik, etnopsikologjik dhe “proteina” e mbijetesës kanë rrënjë të thella. Duke u mbështetur një ngjarje të vërtetë dhe të rrëfyer me një lloj epizmi brilant nga një nënë 90-të vjeçare, ngjarja dhe baziciteti i saj përplotëson një koncept të njohur shqiptar se, “gruaja prodhon fuqi, ndërsa burri bën forcë”, e lumturon hulumtimi për një temë të tillë fondamentale, e cila në Shqipëri, pavarësisht lëndës së madhe që ka, ajo nuk është mbledhur dhe as është kodifikuar. Pjetër Meta ka pasur një qëllim më strategjik përmes kësaj ngjarjeje. Ai mesa duket është një ithtar i porosive të hershme të dijes, se “e shkruara mbetet”, kështuqë kjo vepër duhet të na lumturojë në themelin tonë shpirtërorë, e cila është një zgjatim racional gjenetik i trashëgimisë tonë të lashtë, madje pagane.
Gjykimi për një libër të shkruar varet jo pak nga marrëdhënia që krijon me të. Libri i Pjetër Metës krijon një përbashkësi perceptimi dhe përjetimi tek pjesa më e madhe e lexuesit të vet, herë përmes realizmit e herë përmes surealizmit.
Së pari ajo duket si një histori që ecën, udhëton, preket nga njerëzit që nga lashtësia. Në të vërtetë ky është kushtëzimi më fondamental, jo vetëm i ngjarjes, por dhe i vetë simbolikës, pasi këtë ngjarje në këtë libër apo në ndonjë libër tjetër, të duket se ke nisur ta lexosh shumë kohë më parë për shkakun e elementëve fondamental njerëzorë, që ngjarja ka brenda vetes.
Në perceptimin e kohës në letërsinë e shkruar, veçmas atë artistike, thelbi është gjithë-koha dhe metafora. Historia e Drande Jakes në thelb është një dukuri universale. Ajo ka të bëjë me jetën, sakrificën për ta mbajtur jetën dhe betejën për ta mundur kundërshtarin që e sulmon jetën.
Ajo është një histori që ecën, e cila i kapërcen kufijtë kohorë, rendet socio- historike, kapërcen ideologjitë dhe sistemet që ata prodhojnë, kapërcen historizmin, duke shkuar drejt një misticizmi të çuditshëm. Është një histori që asnjë moment nuk e ka ndaluar udhëtimin e vet, që nga Gilgameshi asiro- babilonas a më herët, pasi brenda saj lëviz dhe punon një mekanizëm universal i jetës. Shoqëria njerëzore, pavarësisht gjuhëve, zakoneve, zhvillimit teknologjik apo kulturorë, pavarësisht gjuhës dhe largësive, të gjitha i kanë vënë në komunikim të mrekullueshëm mekanizmi universal i jetës dhe gjykimi, po përmes temave universale të njerëzimit. Historia e Drande Jakës e ka këtë kod universal në të gjithë gjerësinë dhe gjatësinë e vet.
Së dyti gjithë ky induksion lidhet me një përfytyrim që të afron leximi i librit. Në asnjë kohë dhe në asnjë vend të botës, një libër që ka qenë apo nuk ka qenë i mirë, në vlerësimin e tij nuk i ka shpëtuar një kondite fondamentale,- konditës së përjetimit të lexuesit, studiuesit e kritikut të letërsisë së shkruar, për ta konsideruar atë të kësaj apo të asaj ane.
Pjetër Meta është gjendur dhe është përfshirë në “vorbullën” marramendëse të një drame njerëzore të jetuar nga një njeri i njohur, që është gjendur para tij, të treguar, por të përjetuar dhe nga ai vetë. Kjo duket në jo pak raste gjatë rrëfimit të dramës së Drande Jakut. Pra, ai është gjendur dhe ka ditur t’i qaset mirë një “mademi” të florinjtë, siç duhet t’i qasesh një “aventure”, e cila të josh që në momentin e parë. Nëse ai nuk do të kishte aftësinë e duhur për ta trajtuar me një kujdes të veçantë ngjarjen e kësaj heroine, do ta kishte prishur atë.
Në këtë rast, një rëndësi të madhe ka koncepti se si duhet të lexohet vepra, d.m.th gjëja më e rëndësishme e saj është “baziciteti” i ngjarjes dhe etnopsikologjia që e përcjell atë.
1.
Duket se autori i librit ka qenë korrekt me ngjarjen e rrëfyer nga Drande Jaku. Ai përveç ndonjë introdukte të vogël, i ka qëndruar kronologjisë së dramës së heroinës, linearitetit kohorë dhe induktivitetit të brendshëm të rrëfyeses.
Ajo në ndonjë rast thotë se kanë kaluar vite dhe jo pak gjëra i ka harruar, si emra njerëzish me të cilët është përballur, ka bashkëjetuar apo ka kaluar vite të vështira me një vuajtje të përbashkët, por në thelb ajo nuk ka harruar asgjë të rëndësishme. Ajo nuk ka harruar raportin me kohën në cilësinë e rendit politik apo mekanizmin kundërnjerëzorë dhe kundër jetës, nuk ka harruar marrëdhënien me jetën, të cilën e ka mbajtur me sakrificë, nuk ka humbur sublimnitetin e thelbit të saj, i cili në të vërtetë është thelbi i karakterit të malësorit, një ADN e njohur si i tillë që në hershmërinë e racës shqiptare.
Në libër shumë pak faqe zënë kalendarin kohorë dhe pse drama e saj shtrihet në një kohë fizike të caktuar, e pamundur të ndalohet nga asnjë lloj besëtytnie, mallkimi apo procesioni teknologjik. Shumë pak vend zë dhe emërtesa politike, më pas lexuesi zhytet në detin e një drame të thellë e të gjerë, në një tunel të errët, ku fundi i tij nuk ka dritë. Përveç ndonjë “njoftimi” anësorë, se ku ndodhemi, për ku po shkojmë, ç’vend kemi ndryshuar, drama e Drande Jakut duket sikur po luhet në antikitetin e lashtë, sikur gjendesh në Ferrin e Dantes, apo Makbethin a Hamletin e Shekspirit. “Spektatori” i gjithë kohërave dhe i gjithë botës, e kupton mirë këtë dramë dhe rrëfimin e këtij personazhi.
Pra, është momenti,- kalimi i cakut normal i dramës individuale që i ndodh një njeriu, në një vend të vogël. Në këtë destinacion të tmerrshëm të heroinës Drande Jaku, nga Btosha nëpër Tropojë, ku herë pas here shfaqen njerëz të zakonshëm, të mrekullueshëm, ku ajo ka qenë detyruar të qëndrojë me gjithë fëmijët e saj, pastaj në Kukës, në Berat, në Tepelenë, është një “vijë” sa të mos humbasësh rrugën, ndërsa universialisht drama komunikon me të gjithë dramat e kohës dhe të botës.
Në jo pak raste dramat e mëdha nisin nga gjërat e vogla në dukje, por sistemet totalitare i zmadhojnë ata për t’i shndërruar në gjueti vrasëse, siç është dhe ajo e familjes së Drande Jakut. Ngjarja që na ka afruar rrëfimi autentik i Drande Jakut është unike, e rrallë, e papërsëritshme, gati fantastike. Ajo shpërshfaq mrekullisht një përplotësim etnopsikologjik dhe historik të karakterit, të udhëvazhdimit historik dhe të formimit të hershëm të cilësisë së qenësisë së malësorit shqiptar, si një prurje e jashtëzakonshme, përmes zhvillimit dhe diversionit social- historik.
Nëse dhimbja mbetet tek të gjithë, tek vetë Drandja, të afërmit, ato që e kanë njohur dhe përjetuar, drama e saj i ka kapërcyer kufijtë, për të prekur tragjedinë, ku dhe njëra dhe tjetra rrinë në kufijtë e prerjes kohore, në të cilën “preken” me “dorë” marrëdhëniet politike, ato ideologjike, fytyra e shtetit –diktaturë, mekanizmat, modele e shumë çështje të tjera, të cilat shtrihen në rrëfimin e gjatë të këtij libri. Cilësia e heroinës, si një përbashkim “bazik” i ardhur dhe akumuluar nëpër kohë, i kapërcen këto. Kur kjo histori e rrallë mbijetese dhe karakteri do të lexohet pas 50 vjetësh a më shumë, askush nuk do të ketë një ide apo “fotografim” për policin apo ushtarin e diktaturës, që demonstronte ligësinë e kohës së shtetit totalitarë, por bëma, karakteri, cilësitë, mbijetesa e Drande Jakës do të zmadhohen.
Po pse shërben vetë ngjarja në këtë rast?
Autori ka ndjekur linearitetin e ngjarjes së rrëfyer nga Drande Jaku, për shkakun e njohur, se vepra është e llojit monografik, dhe pse, pa më të voglin hezitim ajo mund të konsiderohet një roman i mrekullueshëm. Kjo lloj qasje nuk lë asnjë shteg dhe asnjë mundësi për ta deformuar ngjarjen, personazhet, shkakësitë, motivet, dhe shumë çështje të tjera, të cilat ndërtojnë një strukturë të tillë rrëfimtare.
Drande Jaku nuk ka lënë asnjë ekuivokë për ta dyzuar historinë e saj, e cila e tejkalon dhe imagjinatën njerëzorë, por që është e vërtetë. E ardhur nga përtejdrini, që ndryshe, përkthehet si një sakrificë për bashkëshortin e saj të ri Vuksanin dhe jetën në një familje të njohur, në Btoshë për atë familje ka ra mallkimi politik, i cili do të shndërrohet në një dramë familjare.
Drande Jakun e ka shtrëngue fati me qenë e bukur, e fortë, por me u përplas me ferrin që ja kanë ndërtue asaj dhe familjes sistemet politike. Historitë që e tejkalojnë imagjinatën njerëzore janë të shkurtra dhe tregohen shkurt, prandaj ato mbahen mend gjatë dhe nderohen nga njerëzit dhe historia. Familja e Vuksan Prekës ka qenë në konflikt politik si në kohën e Zogut po ashtu dhe atë të Enver Hoxhës, dhe për me ruajt nderin, dinjitetin, zanin dhe emrin e kësaj dere të njohur të Btoshës, i ka ra në short Drande Jakut, e ardhur nga përtejdrini nuse në Btoshtë. Sapo Vuksani ka ra në konflikt me sistemin, ka qenë i detyrua të ikë nga shtëpia, por tymin e oxhakut e ka mbajtë ndezë e shoqja e tij. Kalvari i saj me katër fëmijët është i gjatë dhe atë e ka rrëfyer me gojën e saj në librin “Gruaja që sfidoi fatin” të Pjetër Metës, në gati 150 faqe libër. Në këto shënime nuk është vendi për të treguar subjektin, por për të evidentuar idetë.
Rrëfimi i Drande Jakut, ende e gjallë dhe me një komunikim të qartë, është tronditës dhe informues për shumë arsye:
-ai shpjegon raportin që sistemi politik i kohës kishte me individin dhe familjen,
-ai informon saktësisht se si vijonte jeta e individit dhe e familjes, e cila ndëshkohej për shkakun e dikujt tjetër të familjes apo jo të familjes,
-ai shpjegon me një korrektësi psikologjike dhe emocionale, natyrën e një sistemi gjakatarë dhe me njerëzit e fëmijët më së shumti, që nuk ishin të dënuar me burg, por hiqnin më keq se sa të ishin në burg,
-ai tregon për mungesën e papërgjegjshmërisë së shtetit totalitar dhe instrumenteve të dhunës, para njerëzve që ai ndëshkonte,
-ai shpjegon mungesën e humanizmit dhe ndërtimin e një strukture ferri të papërballueshme të njeriut të rritur dhe të fëmijës, i cili ishte më i gëzuar të ishte i vdekur se sa i gjallë,
-ai informon strukturën dhe mekanizmat vrasëse të njerëzve të pafajshëm, të cilët hamendueshëm sajoheshin si armiqtë e pushtetit etj.
Drande Jaku ka një sinqeritet të mrekullueshëm, i cili është i besueshëm për shkakun e karakterit të saj, të cilin Pjetër Meta ka arritur ta shpalosë mjaft mirë, ajo nuk harron të tregojë mirësinë për njerëzit e mirë që ka takuar nëpër udhëtimin e tmerrshëm që ka bërë nga veriu në jug, me qefinin e vet dhe të fëmijëve për kreje. Kjo është cilësi e njerëzve, që vijnë nga tradita e mirë e familjes dhe tradita e mirë e krahinës.
Drande Jaku e ka lidhë kohën antike, kohën historike dhe kohën e ferrit, nëpër të cilin ajo ka ecur, në cepat e saj. Pamja që ajo sjell nga Turani i Tepelenës, një kamp internimi, të cilin psikologjikisht nuk mund t’i gjendet shoqi dhe në Ferrin e Dante, ndoshta është modeli më i përkryer i përshkruar deri më sot, jo për detajet, por për psikologjinë me të cilën shteti totalitarë i ka trajtuar njerëzit e pafajshëm, të cilët konsideroheshin të fajshëm, pse ishin të afërt të njerëzve që ishin arratisur apo kishin kundërshtuar sistemin. Në këtë pikëpamje, pa dyshimin më të vogël, unë mendoj se përshkrimi i pamjeve të tilla, me mortet e vogla të përditshme nëpër kamp (kur kishte dy apo tre vdekje në natë apo ditë), dhe atë morten e madhe me 30 e ca fëmijë të vdekur për një natë, do t’i shkonte mrekullisht pasazhit dhe “aksionit” të librit më të mirë në botë dhe të shkrimtarit të çdo kohe. Tregimi i nuancuar i Drande Jakut dhe vendosja në vendin e duhur të autorit, përbëjnë një nga gjetjet më të mira të kësaj historie unike.
Në jetë ka raporte të çuditshme dhe rastësi të jashtëzakonshme. Drande Jaku nuk do të mund të ishte kjo që ne njohim përmes librit “Gruaja që sfidoi fatin”, nëse ajo nuk do të përballej në atë mënyrë me fatin e vet. Në Turan të Tepelenës dramatikisht, si shumë nëna të tjera, ajo ka humbur djalin e saj. I vogli i nanës të kujton vocërrakun e Migjenit. Por ky ka qenë dhe një short për ta provuar akoma më shumë karakterin e saj.
Ka një cilësi të çuditshme në të gjithë gjatësinë e rrëfimit të kësaj gruaje malësore,- ajo ndjen dhe ka dhimbjen e nënës, por nuk mallkon asnjëherë, cilësi e karakterit dhe e racës malësore. Ajo nuk ka mallkuar asnjëherë as Vuksanin e saj, i cili e la në mes udhëtimin me të, duke i lënë mbi shpinë katër fëmijët, as keqbërësit e saj, as sistemin dhe ligësitë e tij, as individët e caktuar, veçse i quan të mirë dhe të këqinj, por ruan raportin me sfidën në të cilën e ka hedhur jeta. Ajo është përballur me sfidën në të gjithë udhëtimin e saj të gjatë.
Humbja e të birit Zefit, shpleks karakterin e malësores, jo vetëm si dhimbje, por në një raport etnopsikologjik, atë marrëdhënie tabanore të malësisë, të ngulitur që herët, që në mitet pagane, me të cilat ka udhëtuar dhe ka ruajtur cilësinë e tij malësori, si një zgjatim kreshnikësh. Drama dhe karakteri i saj e kapërcen imagjinatën. Raporti me të birin e vdekur është një epizëm i jashtëzakonshëm, në të cilin mishërohet gjithë mbijetesa shqiptare nëpër kohë. Një kod i lashtë, komunikues me të vdekurin, me varrin dhe të lënit të tij në qetësi në vendin e vet dhe sakrifica për ta kryer këtë detyrë nëna, është njëra nga historitë me rrënjët më të thella në historinë e lashtë dhe atë të vonë shqiptare.
Drande Jaku për asnjë arsye nuk do ta lejë trupin e të birit të vdekur në varrezën e Turanit të Tepelenës. Ajo e zhvarros të birin (o zot sa dhimbje dhe forcë ka pasur zemra e nanës!), e rifut në “pelena”, në palat e jorganit dhe fle me të për gati shtatë javë, në pritje të kthimit në Btoshë. Në këtë qasje të shkurtër, unë kam menduar të shpalos ide, vizatim karakteresh, të bëj leximin analitik të librit dhe jo të tregoj subjektin. Drande Jaku e kthen të birin e vdekur në Btoshë, sikur ta kthente të gjallë. E varros me të gjithë nderimin që i takon të vdekurit, për t’u ndarë prej tij përgjithmonë. Dhimbja e nanës këtu merr kuptimin e vet.
2.
Në dramën e Drande Jakës ka një “përmendje” të lashtë dhe pagane, një raport të prekshëm dhe të theksuar me Zotin, një lidhje të fortë me truallin, ku ka lindur është rritur dhe ka krijuar familjen, një mitizim për mbijetesën për shkakun e të vërtetës. Kjo cilësi e dukshme dhe e demonstruar në të gjithë kohën që ndodh kjo ngjarje, kërkon dhe “rekruton” studime të thella dhe të gjerësishme, jo vetëm nga kohët pagane (ku duket se ka një lidhje të ngushtë me mitin e tokës, dheut dhe varrit), por me etnologjinë, etnopsikologjinë, vijimsitë zakonore të krahinës dhe trevës, zhvillimet historike dhe pikëpjekjet në hapësirat e gjëra etnologjike, që nga koha e Kreshnikëve e deri sot.
Një studiues i dëgjuar dhe komentuar i zoti, studiuesi Ramiz Lushaj ka afruar një qasje interesante dhe gati “imponuese”, e lexuesit për një “kushtëzim” mitik, atë të Doruntinës së njohur, e cila udhëtoi me të vdekurin nëpër natë, kaptue shtatë apo nëntë male, në kthim, por udhëtoi me “preludin” e besës dhe fjalës së dhënë. Vëlla e motër atje, ndërsa këtu nënë e birë. Pavarësisht se njëra ka një arsye tjetër, e Drande Jaku një arsye tjetër, hapur duken lidhje të forta dhe racionale për psikologjinë dhe mekanizmin e profilitetit shqiptar në Ballkan. Studiuesi nuk ka gabuar asgjë, veçse është treguar i zellshëm për ta diktuar zgjatimin tonë nga kushtësia, pasi dy ngjarjet (Doruntinë dhe Drandja), janë shumë larg njëra- tjetrës, me një numër të konsiderueshëm ndryshimesh, por me një thelb të përbashkët.
Marrëdhënia e nënës me të vdekurin, kryesisht me djalin e saj është e hershme, që nga koha e kreshnikëve. “Ajkuna qan Omerin” është një brilant në etnopsikologjinë e trashëguar shqiptare. Rasti kur ajo shkon në Lugjet e Verdha dhe gjen varrin e të birit, është më monumentali dhe më thelbësori për racën tonë shqiptare. Ajkuna mallkon hanën, që s’i çoi fjalë, drurët, gjithçka që e rrethon varrin e Omerit, por të birit i lutet të dalë nga varri e të shëtis bjeshkëve me zana, sa për atë të “shenjtin” vorrin, do t’ia ruante nana. Por historia nuk u ngop me këtë dhimbje kreshnike (dhimbje kreshnike, thënë ndryshe një dhimbje sipërore, një dhimbje e përjetshme, një dhimbje në kodin ekzistencial të shqiptarëve, një model i pashoq), por ca më vonë do të shfaqet Doruntina. Në themelin e këtij rasti është po drama familjare që vë në provë kodin e lashtë shqiptarë, të kodifikuar si besë. Konsandini i ka dhënë fjalën nënës se do ta sillte Doruntinën (kaptue shtatë a nëntë male larg), për të mirë apo për të keq, kur nëna ta deshte të bijën.
Drama e Doruntinës është e njohur. Nëna i drejtohet varrit dhe mallkon Konstandinin e vdekur. Ai ngrihet dhe shkon, e nëpër natë e sjell Doruntinën. Vetë shkon përsëri në varr, tek ai vendi i shenjtë, për të mos dalë më kurrë. Në dy rastet e parë të Ajkunës dhe të Doruntinës, nënat komunikojnë me varrin. Varrin që është para syve të tyre, thellë të cilit janë djemtë e tyre. Dhe njëra dhe tjetra flasin me varrin, siç flitet me djemtë e tyre.
Kanë kaluar shekuj dhe Drande Jaku e “kujton” dhe “risjell” në një variant emblematik këtë raport dhe rastësi të lashtë. As Ajkuna, as Doruntina dhe as Drande Jaku nuk janë gratë që flijohen në kala apo ura, por shpleksin kohërat në variantin më ekzistencial. Drande Jaku e kupton shenjtërinë e varrit, e merr me vete djalin e vdekur si një mishërim i shenjtë më së pari dhe si një simbolikë e thellë dhe e fortë, se ai nuk duhej të vdiste dhe se vdekja e tij është një padrejtësi, si “shtatorja e fëmijës së ngrirë” të Migjenit në shekullin e kaluar. Atë do të treste të qetë vetëm vendi i tij, Btosha.
Udhëtimi i rastësive të tilla që nga lashtësia deri në ditët tona është unik dhe kërkon një qasje të plotë në shumë pamje, në disa trajta dhe dimensione, që lidhen më së shumti me çështjet e qenësisë, mbijetesës dhe mbi-ekzistencës etnologjike të shqiptarëve. Modeli është i përkryer.
3.
Në shumicën kontaktit leximor, që kjo histori e rrallë, gati e jashtëzakonshme ka pasur dhe do të ketë me lexuesin, i cili e mëson atë përmes librit, patjetër ngjarja, heroina dhe autori unifikohen. Thënë ndryshe,- nëse kjo ngjarje do të kishte ardhur në një rrugë apo mënyrë tjetër do të ishte e ndryshme pa Pjetër Metën.
Dramës së Drande Jakut i është dashur një mendje skrupuloze për ta përftuar atë përmes një epizmi, i cili duhet të jetë i aftë t’i çlirojë vetitë e tij. Heshtjes së Drande Jakës, kam bindjen se ajo ka ripërjetuar emocione, që mund të përballohen vetëm me heshtje, gjatë rrëfimit të saj, që ka ndodhur dhe që ndodh akoma brenda saj, i është dashur inteligjenca dhe aftësia e autorit, për ta shndërruar atë në një kumt dhe emocion kolektiv. Dhimbjes së Drande Jakut, ajo për shumë arsye i ka plagët e hapura, pasi ato janë të thella, janë nga thelbi i saj malësorë, i ndërtuar si një strukturë qëndrese që nga koha e kreshnikëve, i është dashur aktualizimi dhe emëuesimi në vlera të trevës dhe krahinës, të cilat Pjetër Meta i ka tipizuar tek karakteri i heroinës, sepse karakterin e saj nuk e evidenton, pavarësisht ngjarjes, por e ndërton autori.
Mendoj se nderimi për Pjetër Metën është i madh, mjafton të kemi një krahasim të pranueshëm,- nëse nuk do të ishte Servantesi ne sot nuk do të kishim “Don Kishotin”, nëse nuk do të ishte Shekspiri, ne sot nuk do të kishim “Makbethin” dhe “Hamletin”, nëse nuk do të ishte Gëte, ne nuk do të kishim sot “Faustin”, nëse nuk do të ishte Dante, ne sot nuk do të kishim “Komedinë Hyjnore”, ashtu siç nuk do të kishim “Lulin e vocërr”, nëse nuk do të ishte Migjeni. Pjetër Meta ka sjellë dhe nuk ka lënë të hyjë në “analet” anonimate një histori unike, e cila duhet treguar dhe duhet njohur nga poetët, shkrimtarët, historianët, kineastët, politologët, ideologët, dramaturgët, enciklopeditë dhe shumëçka tjetër.
Ashtu siç Drande Jaku ka mbijetuar dhe ka udhëtuar pa ndalur me qefin për kreje, bashkë me fëmijët e saj, dhe historia e saj bashkë me autorin e librit “Gruaja që sfidoi fatin”, do të ketë udhë të gjatë…