Gjermania ka kundërshtuar kërkesën e Komisionit Evropian për t’i dhënë fund kontrolleve në kufijtë e saj të brendshëm, duke argumentuar se ato mbeten të nevojshme për luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe rrjeteve të trafikimit të njerëzve, sipas “Euronews”.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, deklaroi në Luksemburg se kontrollet kufitare po japin rezultate konkrete. “Numri i madh i kthimeve mbrapsht, ulja e migracionit të paligjshëm dhe goditja e grupeve të kontrabandës tregojnë se këto kontrolle janë efektive”, tha ai.

Komisioni Evropian u ka kërkuar Austrisë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Holandës, Sllovenisë, Suedisë dhe Norvegjisë që gradualisht të heqin kontrollet në kufijtë e brendshëm, duke argumentuar se reformat e fundit të politikës së migracionit e bëjnë këtë masë të panevojshme.

Megjithatë, Berlini këmbëngul se situata kërkon ende masa të forta sigurie. Dobrindt kërkoi gjithashtu forcimin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të BE-së, duke theksuar se “ndryshimi i kursit ndaj migracionit po funksionon si në Gjermani ashtu edhe në nivel evropian”.

Nga ana tjetër, Komisioneri Evropian për Çështjet e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, tha se numri i migrantëve po bie, kufijtë e jashtëm po mbrohen më mirë dhe është koha që kontrollet e brendshme të fillojnë të hiqen gradualisht.

Debati vjen vetëm pak ditë pasi vendet e BE-së dhe Parlamenti Evropian ranë dakord për një rregullore të re që synon përshpejtimin e deportimit të migrantëve pa të drejtë qëndrimi në Evropë. Ligji i ri parashikon edhe mundësinë e ngritjes së qendrave të deportimit jashtë territorit të BE-së, një nga ndryshimet më të forta në politikën evropiane të migracionit në dekadat e fundit.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht vetëm rreth 29% e migrantëve që marrin urdhër largimi largohen realisht nga Bashkimi Evropian.