Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen ka folur sërish lidhur me sigurinë në Artik pas kërcënimeve të shtuara nga presidenti Donald Trump për aneksimin e Groenlandës. Frederiksen u shpreh se siguria në Arktik është një çështje që i përket të gjithë aleancës së NATO-s.

Ajo shtoi se Mbretëria e Danimarkës ka punuar prej kohësh që NATO të rrisë angazhimin e saj në Arktik.

“Qeveria daneze ka koordinuar përpjekjet tona me qeverinë e Groenlandës gjatë gjithë procesit. Ne kemi qenë në dialog të ngushtë me NATO-n dhe kam folur vazhdimisht me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, duke përfshirë si para ashtu edhe pas takimit të tij me Presidentin Trump në Davos”, shtoi ajo.

Kryeministrja daneze shtoi se mund të negociojnë për çdo gjë por jo për sovranitetin tyre. Ajo ritheksoi se vendimet për Groenlandën dhe Danimarkën merren nga vetë ata.

“NATO është plotësisht në dijeni të qëndrimit të Mbretërisë së Danimarkës. Ne mund të negociojmë për gjithçka politike; sigurinë, investimet, ekonominë. Por nuk mund të negociojmë për sovranitetin tonë. Jam informuar se as ky nuk ka qenë rasti.

Mbretëria e Danimarkës dëshiron të vazhdojë të angazhohet në një dialog konstruktiv me aleatët se si mund të forcojmë sigurinë në Arktik, përfshirë Kupolën e Artë të SHBA-së, me kusht që kjo të bëhet duke respektuar integritetin tonë territorial”, tha ndër të tjera ajo.