Nga Nikollë Loka
Sikur qielli të rrëzohej
mbi supe do t’i rrinte,
e mali që shëmbet
do ta thërriste për ndihmë.
Zeusit zemërak
po t’i idhnohej,
do t’i kërkonte dyluftim.
Po dhimbja e një nëne,
urrejtje,
më e forte se një tërbim,
ishte më e fortë se perënditë.
Për ta vrarë Heroin
mjaftoi veç një pasdite,
një tjegull dhe njeriu
që ia njihte dobësinë.
Stërgjyshi Akil
i vdekshëm te thembra,
e Pirro në qafë,
ku trupi
kryet mban mbi shpinë.
Të dy forcën që s’ndal
e fshehën te zemra,
ku ruanin mëkatet dhe lavdinë.