“Arbër Xhaferri, na bëj edhe më shumë arbër”

Nga Namik Selmani – Shkrimtar

“Ra ky mort e u pamë!” Ooooooh! Edhe me Arbër Xhaferrin ndodhi kështu. Tragjikshëm. Ashtu si nuk do të donim të ndodhte po edhe pse ndodhi. Ramë në çarkun e egër të (mos)kujtesës universale kur flasim gjykojmë, hamendësojmë, kur atij, NJERIUT me një emër, me një fytyrë, me një hap që lëviz, me një zë qoftë dhe pak belbak nga sëmundjet njerëzore që e kanë shoqëruar njerëzimin që në hapat e parë të jetës së tij nuk ia thamë kur e kishim pranë. E jo gjithmonë ia thonim vetes (po jo gjithmonë atij) të thënat e të pathënat, të vërtetat e të pavërtetat.

Sa e sa herë kemi thënë vargun tronditës kur jemi ndarë me njerëz të mirë, që do të donim t’i kishm shembull, modele njerëzorë, si ndodhi këto ditë me Arbër Xhaferrin, mikun e sinqertë të shqiptarëve të Maqedonisë, të Kosovës, të vendit amë, por edhe të shqiptarëve në mbarë botën.
Kur po shkruaj këto rreshta, më erdhën në mendje kujtimet e hidhura të Luftës së Kosovës më 1999 dhe ai karvan biblik që ndodhi më tej. Një lumë njerëzor i popullit të Kosovës kaloi kufirin për në Shqipëri e në Maqedoni të detyruar nga masakrat e pafjashme që dikur, para gati 60 viteve, do t’i provonte popullsia çame. Këndej atyre iu hapën dyert e shtëpisë dhe iu shtruan sofrat e bukës. Besoj se edhe politikani 50-vjeçar në to vite ka provuar ngjarjet më të hidhura të kombit të vet.
Pak kohë më vonë edhe në Maqedoni shqiptarët u ngritën në mënyrën e tyre për të kërkuar të drejtat e tyre të nëpërkëmbura. Aso kohë në Ohër, në këtë udhëkryq mes 3 shteteve që mund t’i prekje vetem me një vërshëllimë burri, Arbër Xhaferri firmoste në emër të paqes që duhet të ishte më e prekshme në trojet e Iliridës. Në emër të atyre djemve që kishin luftuar e ishin bërë shkronja të mermerta të gdhendura në varret.

Arbër Xhaferri kishte firmosur edhe për ne, shqiptarët që s’ishim aty e që jemi pjesë e gjakut, e këngës, e shkronjës, e historisë e legjendës. E shqetësimit dhe e klithmës së tyre. Kishte shkuar atje, në Ohër, jo në një sheshmejdan përralle, po në një tavolinë ku zëri shqiptar duhet të dëgjohej më fort, më bindshëm, për një bashkëjetesë që edhe sot pas kaq vitesh është ende e brishtë, e pabarabartë.
Dhe vetëm pak vite më vonë, pikërisht në më 26 qershor 2004 do të isha krah për krah Arbër Xhaferrit. Kësaj radhe Ohri ishte zëvendësuar me një hotel luksoz si ROGNERI në Tiranë. Pa kundërshtarë politikë si në Ohër apo me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve ( edhe pse zëri i intelektualëve evropianë u dëgjua jo pak në kohë e në fletë) Ishte qershori që para 60 viteve për bashkëkrahinasit e mi çamë do të ishte një tjetër karvan i pashoq i dhimbjes. Mungesa e televizioneve të kohës nuk ia zbeh aspak tragjizmin e ditëve të përgjakura për një pjesë të kombit tonë. Ishte një vit kur ende nuk kishte lindur Arbër Xhaferri, po që atë ditë të këtij takimi dhe më herët a më vonë ai ishte më çam se çamët për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Instituti i Studimeve për Çamërinë dhe Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Tiranë po bënin një Konferencë Shkencore me një temë të madhe e aktuale atëherë dhe sot “Çështja çame dhe integrimi evropiann”
Kishin ardhur në Sofrën e mentarisë çame njerëz nga më të mençurit, nga njohësit më të mirë të problemit çam, ;por edhe çamdashës si Rexhep Qosja, Miranda Vickers, Prof Fatmira Rama, Adem Mezini, Afërdita Onuzi, Bashkim Kuçuku, Albert Kotini, Sherif Delvina Moikom Zeqo, etj
Ai, Arbër Xhaferri, Avokati më i mirë i çështjes çame, i identitetetit kombëtar që në pjesë të ndryshme ende është i brishtë dhe i sulmuar nga fqinjët do të ngrihej në foltore me shumë guxim, me shumë kurajo, me largpamësi lakmuese që vështirë se mund të gjeje një të dytë në hapësirat shqiptare dhe do të referonte temën “ Legalizimi i Krimit”. Një temë që na skuqte të gjithëve për atë largpamësi dhe integritet intelektual i përmasave kombëtare po godiste aty ku na dhembte. Aty ku ishte e mbetet ende padrejtësia historike e dikurshme dhe ajo bashkëkohore.
Më kanë mbtur në mendje fjalet e hyrjes që i kam shënuar tash sa vite në bllokun tim e që po i citoj sot pas disa vitesh. Më saktë pas 8 vitesh. “Kur vritet një person, zakonisht cilësohet si vrasës, kriminel e për këtë dënohet, por kur vriten me mijëra njerëz përgjegjësit cilësohen si patriotë që kryejnë disa detyra sublime për popullin ne vet, për atdheun. Për të arsyetuar krimin shpiken motive të larta etnike pastaj prodhohen ligje që lejojnë krimin dhe më në fund, pas legalizimit të tij fitohen dekorata të larta për merita ndaj atdheut” Duket se kjo analizë historike dhe sociale që ai bëri që në krye të herës është një lloj traktati filozofik për mbarë rrugën e kombit tonë shqiptar në raport me fqinjët tanë tokëgllabërues. Po duket edhe ai stil i veçantë që kishte në ligjërimin politik Arbër Xhaferri. Një e folur e drejpërdrejtë, po edhe me pak cinzëm pa diskutuar argumentat që ai hidhte në çdo temë që trajtonte.
…Po e takoja për herë të parë Arbër Xhaferrin në Tiranë më 2004. Dhe së brendshni isha i lumturuar. Po aq sa edhe krenar. E kisha pritur një çast të tillë, ndërsa ndiqja me dhimbje ngjarjet në Maqedoni. Aso kohe në ato dy ditë të rëndësishme për problemin çam unë isha organizatori i një ekspozite fotografike për Çamërinë që vetëm një vit më vonë do ta paraqesja në mjediset e Pallatit të Kulturës në Tetovë ku do të merrja edhe mirënjohjen e organizatorëve.
Kur u bë një pushim mes seancash, ai erdhi e më përgëzoi duke shtrënguar dorën shqiptarçe me atë buzëqeshjen e tij shumë të ngrohtë që ishte edhe një lloj embleme e karakterit. Aq të ngrohtë. Në të dalloje shumë mirësi, shumë dashuri për shqiparizmën. Madje bëmë një foto. Nuk ishte rastësi mendoj që gazetarët që ndiqnin këtë Konferencë Shkencore, e kishin Arbërin një nga intervistuesit kryesorë të lajmeve të tyre kronikë apo të emisioneve problemore që bënë për këtë veprimtari.

Në fund të një analize historike që ai bëri, dha këtë përfundim që edhe sot pas 8 viteve të ndarjes së tij nga jeta dhe të 21 viteve kur është zgjuar e është hedhur për zgjidhje në politikën e shtetit tonë, të dy shteteve apo edhe më planin evropian.
Ai tha: “Tragjedia çame ngjajshëm me tragjeditë e shqiptarëve në viset e tjera jasht shtetit amë nuk mund të shërohet me asgjë, por mund të kompensohet politikisht, moralisht dhe materialisht. DUHET TË DETYROHET QEVERIA GREKE QË TA PRANOJË DHE TË BALLAFAQOHET ME FAJËSITË E PARAARDHËSVE TË SAJ , TË CILËT MERRNIN VENDIME QË PRODHUAN EFEKTE GJENOCIDALE.”
Duke i rilexuar, tani pas disa viteve po bëj natyrshëm një pyetje palsa naive apo edhe retorike: “Cili nga politikanët tanë në pushtet në këto 20 vitet e fundit të të dy krahëve politikë, apo edhe në Kosovë e në Maqedoni e ka thënë kaq të drejtpërdrejtë një deklaratë të tillë në Shqipëri apo në forumet ndërkombëtare në lidhje me problemin çam??? Ose përse nuk është bërë ende pas kaq viteve të demokracisë një Rezolutë ku në të të kishte këtë mesazh të Arbër Xhaferrit të vënë në fund të shkrimit të tij “Legalizimi i krimit”? Pyetja nuk kërkon koment aq më tepër përgjigja që mund të marrim.
E meqë është rasti duke e përfytëruar Arbër Xhaferrin në “Ohrin” e vitit 2001 do të doja që shumë shpejt të vinte një ditë kur edhe për Çamërinë të kishte një “ Ohër” të dytë. Mund t’i vinim edhe një emër tjetër, po që të arihej një marrëveshje ndërshtetërore në varësi të zgjidhjes së problemit çam. Na dhembi shumë ndarja me të. E duam që të kemi sa më shumë “Arbër Xhaferrë” të pavdekshëm. Ai iku në një moshë shumë të re për ato që do bënte në të mirë të kombit tonë në një tavolinë të tillë historie diplomatike. Besoj dhe shpresoj që të gjenden politikanë të tjerë që mund t’i quajmë ashtu si dhe Arbër Xhaferrin “Rilindas të rinj të Kombit tonë”
Të gjenden politikanë shtetërorë që jo në nën zë, por edhe me zë të plotë të pranojnë bashkimin e kombit tonë. Përtej homazhit të përjetshëm që do të bëjmë sa herë që të kujtojmë të madhin e të paharruarin Arbër Xhaferri, do të ishte në të mirë të kujtesës sonë kombëtare që të botojmë sa më parë të gjithë materialet e shkruara nga pena e tij, të thëna nga mendja e tij urtake.
Kemi një model të bukur në Kosovë. Pak ditë më parë përcollëm për në varrr MJESHTRIN E PENËS Ali Podrimja dhe fisniku, poetim shkrimtari punëshumi Naim Kelmendi në Prishtinë vetëm për një kohë shumë të shkurtër, jo më shunë se një muaj, hartoi një Antologji poetike kushtuar atij që e titulloi “Antologjia e Dhimbjes” me 101 poezi të poetëve të të gjithë trojeve shqipare e në mbarë botën që u shkruan në ditët pas vdekjes së Ali Podrimes. Pra, kur gjendet zëri i arsyes, kalohen të gjitha pengesat e mundshme përballë asaj nevoje që kemi e do të kemi për urtësinë e njerëzve tanë të ditur, kudo ku ata jetojnë ku ata kanë punar. Jemi një komb që duam rizgjimin e vetvetes dhe mesazhet që na la Arbër Xhaferri jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë të Kosovës, po për të gjithë janë shumë të vlefshëm. Jo pak shkrime janë bërë e do bëhen këto ditë edhe për Arbër Xhaferrin që flet po kaq fuqishëm edhe në pasjetën e tij.
Përtej nostalgjisë së kujtmeve për njerëz të tillë të mentarisë shqiptare, të sakrificës njerëzore si ajo e Arbër Xhaferrit, nuk është vështirë që të kuptojmë atë që na mungon. Të mos bëhemi viktima të një kujtese shpesh herë folklorike. Të një kujtese që ka vetëm emocione, edhe pse ato janë të domosdoshme. Rastësia e emrit të tij ARBËR kuptimplotë që tërë jetën e tij eshtë shkrirë me kontributin e tij të paçmuar në shërbin të çështjes kombëtare më bën që të drejtoj në këto rreshta nderimi, homazhi një lutje koniciane: ”Miku ynë i përjetshëm Arbër Xhaferi, na bëj edhe më shumë arbër në ditët e vitet që do të vijnë!”
Kemi nevojë shumë për këtë lutje…. Shumë….