Memoriali për Epopenë e Koshares dhe Shtatorja për heroin e saj, Bylbyl Breçani, në Tropojë

Nga Ramiz LUSHAJ

1.

Në përvjetorin e 16-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, pikërisht me 17 shkurt 2024, në Shqipëri e në Kosovë, në Amerikë e në Mbretëri të Bashkuar, në Gjermani e në Zvicër, gjithandej, gjithkund, u hap Fushata Donatore për Mbledhjen e Fondeve për Ngritjen e Memorialit të Epopesë së Koshares dhe Shtatorja e njërit prej heronjëve të saj, Bylbyl Hazir Breçanit, fushatë e cila do të vazhdimojnë humanitetin atdhetar deri më 9 të prillit 2024, në 25-Vjetorin e Ditës historike të Thyerjes së Kufirit të padrejtë në mes Kosovës dardane dhe Shqipërisë Londineze.

2.

Sikurse Republika e Kosovës e ngriti Kompleksin Memorial të Epopesë së Koshares në komunën e Gjakovës, edhe Shqipëria Londineze, një kontributore e madhe e Lirisë, Pavarësisë e Shtetësisë së Republikës së Kosovës, do ta ngrejnë në qëndren administrative të Bashkisë Tropojë, në qytetin Bajram Curri, “Qytetin e Alpeve”, në rrugën “Bylbyl Breçani”, një kompleks memorial muzeal natyror, në nderim, përjetësim, vlerësim e lartësim të Epopesë legjendare të Koshares (prill-qershor 1999) e të heronjëve të saj.

3.

Kjo Epope (ndër)kombëtare historike, gjeostrategjike, ushtarake, politike, diplomatike, humanitare e Koshares legjendare: është një nga epopetë më të lavdishme në historinë kombëtare iliro-arbnore-shqiptare; është ma shumë se një “Termopile Shqiptare”; është një vazhdimësi e “Epopesë historike të Nokshiqit” të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Kjo Epope madhore e Koshares, me 9 të prillit 1999 e theu kufirin shqiptaro-shqiptar, këtë kufi shekullor e të padrejtë dhe, prej kësaj date kombëtare historike e dekterit më 12 të qershorit 1999, e krijoi një Korridor të integrimit e të bashkimit kombëtar shqiptaro-shqiptar në të dy anët e kufinit politiko-administrativ; e krijoi përgjatë Luftës një Korridor të hapur e aktiv me luftëtarë, logjistikë e ndihma humanitare për Ushtrinë Çlirimitare të Kosovës (UÇK) dhe për popullin e Kosovës dardane; një Korridor gjeostrategjik me kontribute të shumanshme luftarake drejt Lirisë së Kosovës (1999), të Pavarësisë së saj (2008), të Shtetësisë së derisotme të Republikës së Kosovës.

Kjo Epope e Koshares historike ishte në vazhdimësi luftarake kontributive me shumë kuadro, luftëtarë e gjeostrategjinë e saj, edhe në Ushtrinë Çlirimitare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit (UÇPMB) në këtë Luftë të dytë, të gjatë, të vështirë e të madhe në Luginën trekomunëshe të Preshevës (1999-2001) deri në kohën e “Marrëveshjës së Kunçillit”, gjithashtu edhe në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) në luftën tjetër, në Luftën e Maqedonisë (2001) deri në kohën e “Marrëveshjes së Ohrit”.

“Epopeja e Koshares”, ish-Brigada 138 “Agim Ramadani” , janë vlerësuar e nderuar me Titull Nderi/ Çmimin e Lartë “Lavdi Kombëtare” nga “Takimi i Madh i Tiranës”, Takim PanShqiptar- NdërBallkanik- EuroAtlantik, me tematikë: Histori- Identitet- Integrim, mbajtur më 12 të dhjetorit 2023, në “Tirana International Hotel & Conference Centre” (salla “Balsha”) me 378 të Ftuar Nderi nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e Sanxhaku, Ballkani Perëndimor, Europa, Amerika, Australia, etj.

4.

Memoriali i Epopesë së Koshares, si pjesë unitare e Kompleksit memorial muzeal natyror, që do të ngrihet mjaft bukur dhe do të përurohet sivjet (2024) me një ceremoni solemne e festive në Tropojë, do të ketë të gdhendur në 11 pllaka të gurta, të mëdha e disi të larta, emrat e 114 heronjëve të Epopesë së lavdishme të Koshares, të cilët janë vlerësuar e nderuar me Urdhrin ma të lartë Presidencial “Hero i Kosovës”.

Kjo Epope e gjatë 67 ditore e Koshares, me disa beteja luftarake vendimtare, ka ma shumë heronj të shpallur se sa çdo epope tjetër mbarëshqiptare, ndër shekuj.

Kjo Epopeja lavdiplote e Koshares ka heronj, ka të plagosur, kishte luftëtarë, nga e gjithë gjeografia rajonale e Republikës së Kosovës, si edhe nga Shqipëria, nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës, nga Mërgata Shqiptare në Botë.

Aty, në këtë Memorial, veçmas, tek një pllakë e gurtë, ma e para në renditim, do të jenë të skalitur bukur emrat e ndritur të dy komandantëve heronj legjendë e legjendarë në Epopenë e Koshares: Sali Çekaj dhe Agim Ramadani.

Sali Çekaj (“Veterani”)- “Hero i Kosovës” (u lind më 22 të qershorit 1956, në Pejë- i vrarë me 19 të prillit 1999, në Koshare), një ndër themeluesit e parë (1991) dhe një ndër drejtuesit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një jurist, politikan, ushtarak i shquar i Kosovës e i Kombit të tij.

Agim Ramadani (“Katana”)- “Hero i Kosovës” (u lind me 3 të majit 1963, në Gjilan- i vrarë me 11 prill 1999, në Koshare), ushtarak i lartë i karrierës me Akademi Ushtarake në Zagreb të Kroacisë, poet, piktor(Antar Nderi në Akademinë Europiane të Arteve), luftëtar e komandant në dy luftëra në dy shtete ballkanike: Kroaci e Kosovë, një nga komandantët më të shquar të UÇK-së.

5.

Në mes të Memorialit të Epopesë së Koshares, qendror, ballor, në lartësim 3.1 metra, do të jetë një nga heronjtë lavdiplotë të saj, Bylbyl Hazir Breçani i Dardanisë Alpine, i lindur në mëngjesin e të hënës, me 13 të majit 1974, në fshatin historik, kulturor e turistik Markaj (lagjia Breçani), Njësia Administrative Bujan (krahina Krasniqe), Bashkia Tropojë, ku, sivjet, në ditën e 50 vjetorit të lindjes së tij (13 maj 2024) do të përkujtohet nga Shqipëria dhe nga Kosova me një Akademi Jubilare Solemne, në “Tirana International Hotel & Conference Centre” (salla “Balsha”), me rreth 300 të Ftuar Nderi, në kryeqytetin e Shqipërisë.

Prindërit e tij (të ndjerë) Hazir Selim Breçani (bacaloku/mixhoku) dhe nënëmadhja Kajde Fetahu Breçani (e Mustafaj, krahina Iballe, Fushë Arrëz/Pukë) kishin 7 fëmijë, 4 djemë (Bylbyli, i treti) dhe 3 vajza, të cilët u rritën në një mjedis të madh familjar atdhetar, me tradita e virtyte të larta, të pushkës e të penës, të punës e të këngës, të vrrinit e të bjeshkës, në mes “Qytetit të Alpeve” dhe fshatit të tyre nën kurorën e masivit më të madh të gështenjave në Ballkan.

Paraardhës të heroit Bylbyl Hazir Breçani, shumë kusherinj të afërt, bashkëvendas të tij, të gjakut e të pragut, Kurt Zmjal Rrukajt e Markajve (barqet: Breçani (Bashota, Zeka); e Kurtzmajlajt; e Mulajt (Seci, Zllame); e Logu (në Markaj e Bujan); e Zenelaj (e Kobile), ishin luftëtarë aktiv në kryengritje e luftëra lokale, rajonale e (ndër)kombëtare me serbo-malazezët, turqit (otomanë) e ndaj çdo pushtuesi tjetër, si në Moraçë e në Plavë-Guci (Mali i Zi i sotëm), në Gjakovë, Prizren, Shtimje-Slivovë… (Republika e Kosovës), deri në Shkup (Maqedoni e sotme e Veriut), në Tropojë, Shkodër…(Shqipërinë Londineze), deri në Sanxhak të Tregut të Ri (RS) etj., të cilët ndër Kohëra të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të Reformave të Tanzimatit, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të Lidhjes “Besa-Besë” të Pejës, të Shpalljes së Pavarësisë, të të Dy Luftërave Ballkanike e Botërore, të prirë nga prijësit e tyre bajrak, ideator e luftarak të fisit lavdimadh Krasniqe, si Binak Alia, Sokol Rama, Mic Sokoli-“Hero i Popullit”, Haxhi Zeka, Man Avdia, Qerim Delia, Bajram Curri, Sali Mani e të tjerë, të cilët i dhanë Kombit Shqiptar disa “Dëshmorë të Atdheut”, si: Ukshin Islam Hasukaj (Gjakovë,1878), Zeqir Cok Logu (Gjakovë,1878), Zeqir Hajdar Hasukaj (Qafë Morinë,1909), Zoge Islam Breçani (Qafë Kolçi,1913), Islam Fazli Breçani (Qafë Kolçit,1913), Halil Zenun Mulaj (Bujan,1918), Mehmet Bek Seci (Lezhë,1924).

Gjyshi i heroit Bylbyl Hazir Breçani, atdhetari Selim Zek Breçani, së bashku me kushërinjtë e tij, si Brahim Shaban Breçani e të tjerë, ishte luftëtar përkrah Bajram Currit- “Hero i Popullit”, ndërsa dy xhaxhallarët e tij, Cen Selim Breçani dhe Shaban Sadik Breçani u rreshtuan në rradhët e Ushtrisë Shqiptare në Luftën e Dytë Botërore.

6.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) përgjatë gjithë Dekadës ’90, në të gjitha vitet 1991-’99, e kishte Malësinë e Gjakovës (Tropoja), një nga bazat e saj më të fuqishme e të përhershme të përgaditjes së luftëtarëve të lirisë e të drejtuesve të tyre ushtarakë, të furnizimit me armë të ndryshme luftarake, të strehimit mikpritës familjar e të përkujdesit spitalor të shqiptarëve të shpërngulur me forcë nga dhuna e përgjakshme e genocidi serbo-sllav millosheviçian. E, një ndër këto baza lokale të rëndësishme gjeostrategjike, natyrore e luftarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ishte edhe lagjia Breçani e fshatit Markaj, përndryshe: “Breçanët e Kosovës”.

Kësokohe, herët, prej nga viti 1997, aty, te “Tunelet e Breçanit”, atdhetari kombëtar, heroi Bylbyl Breçani, bie në kontakt me UÇK-në, takohet e bashkëpunoi për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës, me dy nga ma të parët martirë e nga më të shquarit e UÇK-së, si: me Adrian Krasniqin nga Peja, “Hero i Kosovës” (1969-1997) dhe me Ilir Konushevcin nga Podujeva, “Hero i Kosovës” (1969-1998).

Mbasandejna, tevona, Bylbyl Hazir Breçani, “Hero i Kosovës”, takohet e mirëbashkëpunoi gjatë, deri në fund të jetës së tij, edhe me ushtarakët e lartë të Epopesë së Koshares, me dy nga ushtarakët e shquar: me Rrustem Berishën, me shkollë të lartë ushtarake në Sarajevë (B+H), një nga komandantët e terrenit në Luftën e Kroacisë për Pavarësinë e saj nga Jugosllavia Federale dhe Komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare, ish Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ish-deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me ushtarakun Hisen A. Berishën- një ndër ish-komandantët e njohur në Epopenë e Koshares, deputet aktual e aktiv në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Heroi i Kosovës” Bylbyl Hazir Breçani, 25 vjeçar, në shkurt 1999, mobilizohet vullnetarisht e aktivisht në formacione ushtarake të Epopesë së Koshares, i cili kishte aftësi e përvojë ushtarake të përfituar përgjatë shërbimit ushtarak në dy vite të qëndimit e stërvitjeve në në Pukë, i specializuar edhe për raketa në Tiranë e, në fund, edhe në Kukës (1994-‘95).

Bylbyl Hazir Breçani- “Hero i Kosovës”, bashkë me eprorët e tij të afërt, direkt, me ushtarakët e shquar Rrustem Berisha dhe Hisen Berisha mori pjesë në thyemjen e kufirit mes shqiptarëve më 9 prill 1999, në betejën legjendare të Koshares- një nga luftërat monumentale të Kombit Shqiptar, ku në mes të breshërive të plumbave të serbëve e uli nga shtiza e lartë flamurin e Serbisë shovene millosheviçiane dhe e ngriti fitimtar Flamurin Kombëtar Shqiptar bash në Postën e Kamenicës, aty në Koshare. Përndryshe, e cilësuan prej asokohe, në shpeshti, në biseda e shkrime, edhe “Bylbyli i Flamurit”. Akti i tij i lartë i ngritjes së Flamurit, asokohe, atë ditë lavdie, do të shënonte fitoren e kësaj beteje historike madhore shqiptare me thyemjen e kufinit të padrejtë Kosovë-Shqipëri.

Në periudhën kohore prej shkurtit deri në qershor 1999 pjesmarrja e heroit Bylbyl Hazir Breçani në luftime të ndryshme e të shumta ishte aktive, e dallueshme, shumë e gjerë, e madhe: prej nga Rrasa e Zogut në Koshare, nga Juniku në Deçan, nga Rrasa e Zogut në Koshare dhe nga Isniqi në Pejë.

Heroi Bylbyl Hazir Breçani, shumë shpejt, u bë i njohur e i vlerësuar nga bashkëluftëtarët dhe eprorët e tij. Ai nuk mbeti përjetësisht vetëm një ushtar i thjeshtë, por edhe një drejtues i denjë, një luftëtar i frontit të parë, ballor, sakrifikues deri në dhënien e jetës së tij të re për Kosovën, për Shqipërinë, për Kombin Shqiptar.

Komandanti i shquar i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha, thoshte se: “Bylbylin e kam krahun e djathtë, se janë këta Bylbyla që na e prunë lirinë dhe e naltësuen Shqipërinë”.

Ndërsa ushtaraku i mirënjohur, Hisen A. Berisha, thoshte se: “Bylbyli ishte i papërmbajtur, nuk pyeste për plumbat serbë, e sado e këshillonim që të kishte kujdes, ai thoshte se:“unë e kam realizuar planin, le të ndodhë çka të donë…””.

Më 25 qershor 1999, heroi Bylbyl Hazir Breçani niset me disa shokë për t’i nxjerrë dy luftëtarë shqiptarë të Kosovës të mbetur në fushën e luftës, të mbetun pa u varrosur. Në këtë aksion të guximshëm ai bie në tokë të minuar me mina të ushtrisë pushtuese, aneksuese e shovene serbe millosheviçiane, në Shkozë të Mulliqit në Koshare, komuna Gjakovë e Kosovës. Aty, Bylbyl Breçani, e dha jetën e tij të re në moshën 25-vjeçare, bashkë me Ali Fejzullahun nga Mitrovica dhe plagoset rëndë Isuf Mulliqi. Kështu e mbylli jetën me lavdi të plotë Bylbyl Breçani- “Hero i Kosovës” dhe u varros me nderimet më të larta nga populli i Tropojës e bashkëluftetarët e tij të Luftës së Kosovës që e përcollen nën breshërinë e armëve.

Eshtrat e tij tani prehen në Memorialin e Koshares në Gjakovë, në tokën ku ai e derdhi gjakun e tij për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, për integrimet e bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë,

7.

Luftëtari trim, triumfues e vetësakrifikues për Lirinë e Pavarësinë e Republikës së Kosovës për bashkimin kombëtar shqiptar, për demokracinë e integrimet shqiptare, Bylbyl Hazir Breçani, është vlerësuar e nderuar me Urdhërin “Hero i Kosovës” nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi (2019), me Çertifikatën “Dëshmor i Atdheut” në Shqipëri (2004); me Çertifikatën “Dëshmor i Kombit” në Kosovë (2017); me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj (2019); me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Bashkisë Tropojë (2018); “Qytetar Nderi” i komunës së Bujanit (Krasniqe, Tropojë).

Një nga simbolet e Flamurit Kombëtar Shqiptar në Epopenë e Koshares (9 prill 1999) dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e të Luftës për Lirinë e Pavarësinë e Kosovës (1997-’99), heroi Bylbyl Hazir Breçani, ndonëse e mban dekoratën më të lartë nga Republika e Kosovës, si Dekorata Presidenciale Urdhri “Hero i Kosovës” etj., nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë, në mbi një çerek shekulli kohë prej nga veprimtaria dhe rënia e tij, nuk i është dhënë asnjë dekoratë e lartë, si “Nderi i Kombit” apo “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” etj.

Emrin e Bylbyl Hazir Breçanit- “Hero i Kosovës” në Republikën e Kosovës e “Dëshmor i Atdheut” në Republikën e Shqipërisë, e mbajnë edhe një rrugë në qytetin Bajram Curri (prej nga qëndra e qytetit alpin e dekterit në fshatin e tij të lindjes Markaj, e asfaltuar vitin e kaluar nga Bashkia e Tropojës) dhe një tjetër rrugë në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, sikurse edhe shkolla në fshatin e tij të lindjes, në Markaj të Njësisë Administrative Bujan, në Bashkinë e Tropojës.

Heroi Bylbyl Hazir Breçani është vlerësuar e nderuar me Mirënjohje edhe nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, nga organizata të tjera të dala nga Lufta e fundit e Kosovës, nga Shoqëria Civile etj.

Në vlerësim e nderim të veprimtarisë, të kontributeve e të figurës së heroit Bylbyl Hazir Breçani, në 20-vjetorin e rënies së tij, me 24 të qershorit 2019, në Muzeun Historik në Tiranë (salla UNESCO), u mbajt një Akademi Përkujtimore Jubilare, nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjithashtu, në këtë Përkujtim jubilar akademik (2019) u shpallen edhe fituesit e Konkursit Kombëtar Poetik për Heroin e Luftës së Kosovës e Dëshmorin e Shqipërisë, Bylbyl Hazir Breçanin.

Në dhjetor 2021, në Tiranë, u themelua Çmimi i lartë “Bylbyl Breçani”, ku, për herë të parë, me këtë Çmim, u nderua Shoqata e Veteranëve të Luftës të Brigadës 138 “Agim Ramadani” e Epopesë së Koshares. Akademia Përkujtimore Jubilare për Bylbyl Hazir Breçanin (që do të mbahet në “Tirana International Hotel & Conference Centre”, salla “Balsha”) me 13 maj 2023, ditë e martë, në Tiranë, do të ndajnë listnor/shpallin Çmimin e Latë “Bylbyl Breçani” për 113 Heronjtë e Kosovës të Epopesë së Koshares dhe për disa luftëtarë e kuadro të ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Epopesë së Koshares historike.

8.

Memoriali i Epopesë së Koshares dhe Shtatorja e heroit të saj, Bylbyl Hazir Breçani, ky Kompleks skulpturor muzeal, është vepër e skulptorit të mirënjohur Isa Baliaj-“Mjeshtër i Madh”, është një nga veprat e tij skulpturore më të mira dhe një nga ma mirat e memorialeve e shtatoreve (të komplekseve të tilla) të ngritura në nderim e përjetësim të historisë kombëtare shqiptare e të figurave të shquara historike në Shqipëri e në Kosovë.

Skulptori i shquar Isa Baliaj, mjeshtër me përvojë e arritje lartnore mbi gjysëm shekullore në fushën e artit, është autor i Monumentit të Azem Hajdarit në Tropojë (1963-1998), Liderit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, “Hero i Demokracisë”, mbartës i dekoratës më të lartë Presidenciale të Shqipërisë “Urdhrin e Flamurit Kombëtar”; autor i shtatoreve të Ali Ibër Nezaj në Gjakovë e në Tropojë (1835-1900), të njërit nga figurat më të shquara dhe kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i dekoruar me Dekoratat Presidenciale, si: me Urdhrin “Për Veprimtari Patriotike të Klasit të Parë” (Tiranë, 1978), me “Urdhëri i Lirisë” (Prishtinë, 2012), “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” (Tiranë, 2016), “Hero i Sanxhakut” (10 qershor 2023); autor i shtatores së Baba Shejh Nesim Dervishdana në Gjakovë, (1964-1981)- “Dëshmor i Kombit” (Kosovë); autor i shtatores së Agron Osman Rama në Gjakovë (1972-1999)- “Hero i Kosovës”; autor i shtatores së Beg Rizaj në Deçan- luftëtar pjesmarrës në katër luftëra, Martir i Kombit Shqiptar (1977-2015) e të tjera, e të tjera.

9.

Ngritja e Shtatores së heroit Bylbyl Hazir Breçani në Tropojë, kryehere, prej nga koha e pandemisë covidiane, ishte një nismë e drejtuar Bashkisë së Tropojës nga Ministria e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, në Prishtinë, e vet ish-Ministrit të saj, Rrustem Berisha i Epopesë së Koshares historike dhe e stafit të tij të kabinetit ministror, si Ramadani, Trezhnjeva e të tjerët.

Bashkia e Tropojës, vet kryetari i saj dy mandator Rexhë Byberi, e mirëpritën kërkesën e Prishtinës zyrtare, e të lidershipit ushtarako-politiko-shoqëror të Epopesë së Koshares. Atëherit, kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, pasaardhës i të shquarit Haxhi Zekë Byberit të Lidhjes Shqiptare “Besa-Besë” të Pejës, i shpalosi vizionet e tij institucionale, atdhetare, arkitekturore, artistike, kulturore, turistike, etj. për të ngritur (krahas Shtatores së heroit tropojas e kombëtar, Bylbyl Hazir Breçani) edhe Memorialin e Epopesë historike të Koshares legjendare, duke krijuar kështu e kësisoj një Kompleks të veçantë, të bukur, të madhërishëm skulpturor, arkitekturor, muzeor, etj. në Rrugën “Bylbyl Breçani”, rrugë qytetëse që të çon drejt vendlindjes së heroit dhe ish-bazës së UÇK-së, në Markaj. Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, edhe në kuadrin e këtij projekti të madh të Kompleksit (Memoriali e Shtatorja) e ndërmori dhe e mirë kreu punën për asfaltimin krejtësisht e cilësisht në standarte të larta të kësaj rruge, që niston me këtë kompleks: Memorialin e Epopesë së Koshares dhe Shtatoren e heroit Bylbyl Breçani,

Ky Projekt i rëndësishëm, i mbështetur e miratuar ma herët nga Këshilli Bashkiak i Tropojës dhe nga Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana, mori udhë realitetore nga Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi, me organizimin e disa takimeve institucionale nivele larta të Bashkisë e Këshillit Bashkiak të Tropojës, si me Takimin e 19 dhjetorit 2021 dhe me 10 tetor 2023 në zyrën e Kryetarit të Bashkisë në Bajram Curri, si dhe Takimi ma i fundit, me 12 dhjetor 2023, në sallën “Bogadani” tek “Tirana International Hotel & Conference Centre”, në kryeqytetin e Shqipërisë, takime në të cilat merrnin pjesë personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëri (Tropoja e Tirana) dhe nga Kosova (Prishtina, etj.) etj. dhe u diskutua e miratua Projekti i Memorialit të Epopesë së Koshares e njërit prej heronjëve të saj, Bylbyl Hazir Breçani i Malësisë së Gjakovës.

Me 14 prill 2022 u miratua edhe një Këshill i ngritjes e përurimit të Memorialit të Epopesë së Koshares dhe të Shtatores së heroit Bylbyl Hazir Breçani, një Këshill Organizativ, Miratues e Realizues i këtij Kompleksi skulpturor e muzeal, me përfaqësues zyrtarë/antarë nga Shqipëria e Kosova, duke përfituar nga përfshirja ndër gjeopolitike edhe statusin e një Këshilli Kombëtar.

Kryetar i këtij Këshilli Kombëtar të Ngritjes së Memorialit e Shtatores (Kompleksit) është Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhë Byberi dhe Nënkryetar është Rrustem Berisha, ish Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës dhe ish Komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani në Epopenë e Koshares, pjesmarrës në dy luftëra kombëtare në Ballkan: në Kroaci dhe në Kosovë, ish deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Antarë të këtij Këshilli janë edhe politikani e ushtaraku i lartë, Anton Quni- deputet aktual në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ish Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ushtarak i karrierës me Akademi Ushtarake, një nga komandantët në Epopenë e Koshares; Abedin Kërnaja- Nënkryetar i Bashkisë Tropojë; dr. Islam Lauka- ish Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, ish Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Organizatave Ndërkombëtare në MPJ të Shqipërisë, autor i disa monografive studimore për Kosovën; gjeneral Fadil Hadërgjonaj, ish Komandant i Forcave Tokësore të FSK, një ndër komandantët në Epopenë e Koshares; Agron Jusufi- Kryetar i Shoqatës së Veteranëve të ish Brigadës 138 “Agim Ramadani” të Epopesë së Koshares; Feriz Trezhnjeva- kolonel, një ndër komandantët e Epopesë së Koshares dhe Këshilltar i lartë i dy ministrave të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës; Fatmira Breçani- këngtare kombëtare, Mjeshtër e Madhe, e dekoruar edhe nga Kosova me “Medalje Presidenciale e Meritave”; Nuredin Seci- shqiptaro-amerikan, ish zyrtar i Ministrisë së Arsimit të Republikës së Shqipërisë, ish kuadër i lartë i Qeverisjes Vendore në Tropojë, biznesmen në Amerikë; Nuredin Ahmetaj- ish Kryetar i Bashkisë Tropojë; Artan Baliaj, arkitekt i mirënjohur në Tropojë e në dekadat e fundit edhe në Tiranë; Lulzim Logu- poet, shkrimtar, studiues, Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve e Artistëve të Tropojës; Ramiz Lushaj- gazetar, studiues, botues, Kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” në Shqipëri e në Kosovë, etj., ish zyrtar në DSHTD të MPJ të Shqipërisë, Drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, e të tjerë.

Antare e këtij Këshilli Kombëtar është edhe Farie Hazir Hasanaj, motra e heroit Bylbyl Hazir Beçani, e cila ka marrë besimin dhe ka statusin e përfaqësuesit në marrëdhëniet donatore/kontributore në fushatën për mbledhjen e fondeve për realizimin, ngritjen e përurimin e Shtatores së heroit Bylbyl Hazir Breçani e të Memorialit të Epopesë së Koshares, duke hapur dhe llogari (konto) bankare në Lekë, Euro, Dollarë Amerikan, Franga Zvicerane e Paund Britanik, në Raiffeisen Bank në Shqipëri, me numër telefoni të saj, vetjak: 00355 69 984 5450 dhe me E-mail: memorialidheshtatorja2024@gmail.com edhe memorialidheshtatorja2024@yahoo.com, ku pas komunikimeve në telefon apo me e-mail ua përcjellë numrat e llogarive përkatëse të interesuarëve, individë, shoqata, institucione, që dëshirojnë të kontribuojnë me fonde monetare donatore/humaniteti etj.

Memoriali i Epopesë së Koshares dhe Shtatorja e heroit Bylbyl Hazir Breçani, ky Kompleks skulpturor, arkitekturor e muzeal i një rëndësie e madhështie të veçantë, do të përurohet së shpejti në qytetin Bajram Curri, në qëndren administrative të Bashkisë Tropojë, përgjatë vitit 2024.