Kudo nëpër Shqipëri, këto ditë mund të hasësh turistë nga më të ndryshmit. Ka aventurierë që udhëtojnë me çanta shpine, të tjerë që janë kureshtarë për historinë e vendit, shumë zgjedhin paketa me të gjitha të përfshira në bregdet.
Shqipëria është aq e larmishme, sa ka vend për të gjithë. Ka nga ata që nuk kursejnë, por ka dhe shumë “koprracë”. Në fund të fundit, në Shqipëri shumë prej tyre vijnë sepse kanë dëgjuar se është lirë.
Tendencat e konsumit janë nga më të ndryshmet, sipas një vëzhgimi që “Monitor” kreu në terren, si duke pyetur turistët, ashtu dhe operatorët tregtues.
Alkooli preferohet kryesisht nga turistët e Europës Perëndimore si holandezët, gjermanët dhe belgët.
Bruno Selviaj, menaxheri i “New Irish Pub”, thotë se klientët më të mëdhenj në klubin e tij janë holandezët, të cilët konsumojnë dy herë më shumë se turistët e tjerë.
Të njëjtën tendencë pohon edhe Rigers Kaçori, nga Kantina Arbëri, ku thotë se turistët nga Europa Perëndimore janë më të interesuar për verën shqiptare, por vitet e fundit janë shtuar edhe turistët nga Ballkani. Kjo po ndodh edhe në strukturat akomoduese ku konsumatorët më të mëdhenj të alkoolit janë ballkanasit.
Nga ana tjetër, turistët që nuk kursehen në paketa, në suvenire dhe restorante janë shtetas anglezë dhe nordikë. Sipas z. Enri Jahaj, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, konsumatorët që shpenzojnë më shumë në restorante në Shqipëri janë shtetasit nga Anglia, të cilët janë kryesisht në kërkim të ushqimeve tradicionale dhe një përvoje autentike.
Edhe në sektorin e suvenireve vërehet i njëjti trend, anglezët parapëlqejnë të blejnë më shumë produkte të artizanëve shqiptarë. Lindita Metohollari, që tregton suvenire në qendër të Tiranës, thotë se qytetarët anglezë blejnë produktet e punuara me drurë apo gurë, ndryshe nga turistët e tjerë që priren për të blerë magnet apo fanellat me simbole të vendit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, në 3 muajt e parë të vitit kanë hyrë rreth 24 mijë anglezë, në rritje me 28% nga viti i kaluar.
Turistët italianë dhe polakë, të cilët sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit janë më të shumtët në numër, zgjedhin të mos shpenzojnë shumë gjatë pushimeve në Shqipëri.
Vizitorët nga Polonia nuk preferojnë të dalin aspak nga paketat “all inclusive”, thotë Fatos Çerenishti, president i “Grand Blue Fafa” dhe “Fafa Premium”.
“Polakët preferojnë paketa ‘all inclusive’ që përfshijnë gjithçka: akomodim, transport, ushqim, ture të ndryshme etj. Nuk kërkojnë asgjë që nuk kanë në paketë, qoftë edhe një pije më shumë”, nënvizoi z. Çerenishti.
Nga ana tjetër, italianët që nuk zgjedhin paketa “all inclusive” zgjedhin opsione më të lira në akomodim, restorante dhe madje në blerjen e suvenireve.
Zonja Metohollari thotë se turistët nga Italia shpesh kërkojnë ulje për produkte si konjaku apo raki, gjë që rrallë ndodh me turistët e tjerë, vetëm për ata turq dhe arabë që e kanë në kulturën e tyre, të bërit “Pazar”.
Italianët preferojnë zgarat, “Tymi” ku ushqimi është tradicional, por më i lirë – nënvizoi Jahaj.
Në 3 muajt e parë të vitit në vend hynë 110 mijë shtetas italianë, me rritje 49% nga janari në mars 2022.
Shqipëria parapëlqehet më së shumti për natyrën e saj gjithëpërfshirëse, si dhe çmimet e lira që janë një nxitje e madhe për turistët e huaj, që të mos shpenzojnë shumë gjatë pushimeve të tyre këtu.
Sipas një vëzhgimi në terren, një familje me 4 anëtarë shpenzon mesatarisht vetëm 1500-2000 euro në një javë. Kjo është një shumë e vogël në krahasim me fqinjët tanë, Greqinë, ku shpenzohen mesatarisht 1000 euro për person në javë, sipas Eurostat.
“Një nga arsyet pse zgjodhëm Shqipërinë është se ky vend është shumë i lirë për ne, kemi qëndruar 11 ditë dhe kemi shpenzuar afro 1500 euro për dy persona” – thonë Elizabeth dhe Melinda Miller, 24 dhe 21 vjeç, nga Anglia.
Jeremias Tarella, 38 vjeç nga Argjentina tregon për “Monitor” se ka rezervuar një paketë 6-ditore 1800 euro për 4 persona, ku përfshihet gjithçka.
“Nuk mendoj se do të shpenzoj më shumë se 200-300 euro jashtë paketës”, thotë ai. Shtimi i turistëve po sjell më shumë të ardhura në ekonomi.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në bilancin e pagesave, në tre muajt e parë të vitit, të ardhurat nga udhëtimet arritën në një nivel prej 624 milionë eurosh, që është rekordi më i lartë historik dhe pothuajse dy herë më i lartë se e njëjta periudhë e vitit 2019, përpara pandemisë dhe 52% më shumë se tremujori i parë i 2022.
Sipas të dhënave të Bankës për shumën e shpenzuar nga ata që udhëtojnë në Shqipëri dhe të INSTAT për numrin e shtetasve të huaj, rezulton që shpenzimi mesatar për një person ka qenë rreth 580 euro për kohën e qëndrimit në Shqipëri.