Nga Gani Mehmetaj
Në Asamblenë e Rotarianëve Shqiptarë të Shqipërisë e Dardanisë, dje në Gjakovë, u intonua së pari himni turk! Përfaqësuesi i Ankarasë derisa intonohej himni i tij, doli triumfalisht me flamurin turk para asambleistëve shqiptarë, ndërsa përfaqësuesve shqiptarë organizatori, klubi rotarian Çabrati nuk ua dha të paktën nga një dru flamuri, në mënyrë që të mos dilnin duarthatë para rotarianëve shqiptarë e para turkut.
Askush nuk e kuptoi pse u intonua himni turk në Asamblenë e rotarianëve shqiptarë. Ç’është ky denigrim i një ngjarje kombëtare me himn e flamur që nuk e kishte vendin këtu.
Organizatorët e Gjakovës nuk janë të vetmit që fusin mish dhie aty ku nuk duhet dhe që u lëpihen turqve vend e pa vend.
Në Pejë çdo vjet në Panairin shitës të librit shqip të Shqipërisë e Dardanisë, futet botuesi turk “Tahir Emre”. Madje, organizatorët pejanë ia japin vendin qendror dhe hapësirën më të madhe, megjithëse gjatë tërë panairit nuk e shet asnjë libër.