Në mes të trazirave në veri, Kosova i ka drejtuar një shkresë Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, ka njoftuar, më 2 qershor, se i ka dërguar kërkesë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

Në llogarine tij në Facebook, Hoti ka publikuar letrën, të cilën i ka dërguar presidentit Vuçiç, më 1 qershor, duke thënë se kjo “është vetëm shkresa e parë drejtuar Serbisë, për të kërkuar arkivat që do të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me force gjatë luftës”.

Hoti ka theksuar se letra e dërguar Vuçiçit është në respektim të zbatimit të Deklaratës për persona të zhdukur, e miratuar më 2 maj, në Bruksel, nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksadar Vuçiç.

“Në përputhje me përkushtimet e Serbisë nën këtë deklaratë, unë po ua dërgoj kërkesën e parë zyrtare për qasje në informacionet relevante. Po shkruaj për të kërkuar qasje të plotë në materialet arkivore, përfshirë, por jo [qasje] të limituar, në dokumentet e klasifikuara, të dala nga Komanda e Shpërbërë e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë së Jugosllavisë”, thuhet në letrën që Hoti thekson se ia ka dërguar presidentit serb, Vuçiç.

Hoti në postimin e tij ka theksuar se kjo brigadë, “përveç tjerash, ka kryer krime në regjion të Drenicës” dhe se “nga masakrat e kryera në fshatrat e Drenicës nga kjo njësi, ka ende civilë shqiptarë të zhdukur”.

Deklarata për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, parasheh angazhimet për palët, të cilat mund të qojnë në zbardhjen e fatit të mbi 1.600 personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur nga lufta e viteve 1998/99.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian, pas miratimit të Deklaratën për të Zhdukurit nga pala e Kosovës dhe ajo e Serbisë, theksuan e presin që “palët të bëjnë përparim të prekshëm në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur”./REL-Limit.al