‘Gratë shtatzëna humbasin foshnjet, s’ka mjekë’, organizatat e huaja japin ALARMIN pë kushtet çnjerëzore në burgjet e Haitit

HAITI- Të burgosurit në qelitë e mbipopulluara në stacionet e policisë së Haitit po jetojnë në “kushte çnjerëzore, degraduese”, tha të enjten një grup i të drejtave të njeriut RNDDH. Gjashtë stacione policie që grupi RNDDH vizitoi në Departamentin Ouest të Haitit treguan kushte “shumë alarmante”, duke kërkuar veprim të menjëhershëm nga sistemi gjyqësor, i cili ka luftuar për vite dhe po përballet me greva nga stafi që kërkon kushte më të mira pune.

Në komisariatin e policisë në Port-au-Prince, tha RNDDH, 92 të burgosur po mbaheshin në dy qeli “të ndyra”, të destinuara për vetëm 10 persona secila për një maksimum prej 48 orësh përpara seancave gjyqësore. Megjithëse shumë të burgosur ishin mbajtur për muaj të tërë.

“Këta njerëz mbahen në kushte çnjerëzore, degraduese, në qendra paraburgimi të ndyra, të ngushta dhe të shndërruara në burgje, pavarësisht se ato nuk janë ndërtuar dhe as të pajisura për këtë qëllim”, tha RNDDH. Zyra e prokurorit dhe policia kombëtare e Haitit nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Grupi i të drejtave të njeriut tha se shumë nga të arrestuarit në stacionin Port-au Prince nuk kishin marrë vizita, duke reduktuar aksesin e tyre në ushqim dhe ujë që zakonisht sillnin të afërmit. Komisariati mbajti 38 gra, disa prej të cilave flinin në zyrën e shefit gjatë natës nën mbikëqyrjen e policisë.

RNDDH tha se një grua e ndaluar kishte qenë shtatzënë tetë muajshe në nëntor, kur ajo pësoi një problem shëndetësor në stacion dhe u dërgua në spital për analiza të mëtejshme, të cilat zbuluan se fëmija i saj kishte vdekur dhe jeta e saj ishte në rrezik.

Një grua tjetër, gjashtë muajshe shtatzënë, nuk ishte ekzaminuar që nga arrestimi i saj në janar. Ndërsa stafi po përpiqej të transferonte të burgosurit jashtë stacionit, tha RNDDH, shumë burra ishin në pritje të seancave dëgjimore ose urdhrave të gjykatës dhe transferimi i planifikuar i grave ishte vonuar nga mbipopullimi në burgje të tjera dhe sulmet nga bandat.

Midis janarit dhe prillit të vitit të kaluar, Kombet e Bashkuara dokumentuan 54 vdekje, për shkak të keq ushqyerjes në burgjet e Haitit. Haiti ka parë një përshkallëzim të dhunës nga bandat e armatosura, duke shkaktuar një krizë humanitare që ka zhvendosur dhjetëra mijëra njerëz./Përkthyer dhe përshtatur nga Reuters-Limit.al