Fruthi është një sëmundje infektive tepër ngjitëse, e përhapur në të gjithë botën. Ajo karakterizohet nga prania e puçrrave karakteristike për këtë sëmundje.

Pjesa më e madhe e fëmijëve të pavaksinuar para moshës 10 vjeç kundër kësaj sëmundjeje, preken prej saj.

Pas kalimit të parë të këtij infeksioni, organizmi siguron imunitet për gjithë jetën. Ndryshe nga ç’konsiderohet prej popullatës, fruthi është një sëmundje e rëndësishme e moshave fëminore. Kjo për faktin se, edhe në ditët e sotme prej saj vdesin ende fëmijë, si pasojë e ndërlikimeve të rënda.

Format e rënda të fruthit prekin kryesisht personat me imunitet të ulur. Rreth 10-20% e të rriturve të prekur vdesin prej pasojave të kësaj sëmundjeje.

Shkaqet

Sëmundja e fruthit shkaktohet nga virusi i fruthit, që transmetohet nga njeriu tek njeriu nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Kështu, kur personi i infektuar nga fruthi flet, kollitet apo tështin, ai lëshon spërklat e infektuara të pështymës ose gëlbazës në ambientin përreth, që më pas thithen nëpërmjet frymëmarrjes nga personat e tjerë. Përveç hyrjes së virusit me këtë rrugë, egziston edhe mundësia e hyrjes së tij në organizëm nëpërmjet konjuktivës (pjesës së bardhë) së syve.

Rreziku për t’u infektuar nga fruthi është më i madh në periudhën nga 5 ditë përpara shpërthimit të puçrrave në lëkurë deri në 4 ditë pas zhdukjes së tyre.

Fruthi është tepër ngjitës, aq sa prej tij mund të infektohen 90% e njerëzve që gjenden në të njëjtin ambient me të sëmurin, nëse janë të pavaksinuar.

Sëmundja e fruthit nuk deklarohet tek një në 100 të infektuar prej saj. Gjithsesi, edhe këta persona janë burim infektimi për të tjerët, dhe në çdo rast të infektuar organizmi prodhon antitrupa kundër virusit, duke siguruar në këtë mënyrë mbrojtjen e përhershme të pacientit. Të njëjtin efekt realizon edhe vaksina kundër fruthit.

Simptomat

Njihen dy stade të sëmundjes së fruthit: stadi prodromik (pararendës) që karakterizohet nga simptoma të përgjithshme, jo specifike, të ngjashme me ato të një gripi të thjeshtë, dhe stadi ekzantematoz, që karakterizohet nga shfaqja e puçrrave në lëkurë dhe temperatura e lartë.

Simptomat e stadit prodromik:

  • Këto simptoma janë përgjithësisht jospecifike, të lokalizuara në zonën e hundës dhe faringut (rinofaringut), dhe përfshijnë: rrufën, dhimbjen e fytit, ngjirjen e zërit dhe kollën e thatë.
  • Inflamacioni i konjuktivës (pjesës së bardhë të syrit), që manifestohet me sy të skuqur dhe të përlotur, si dhe ndjeshmëri të lartë ndaj dritës.
  • Pika të vogla të bardha, që formohen në pjesën e brendshme të gojës

Simptomat e stadit ekzantematoz:

  • Karakterizohet nga dalja e puçrrave të kuqe në lëkurë, që fillimisht kanë pamjen e pikës. Ato shfaqen fillimisht në zonën pas veshëve dhe në nivelin e qafës, më pas përhapen në mënyrë graduale në të gjithë trupin, deri tek këmbët. Ato janë të pranishme në lëkurë për rreth 5 ditë dhe më pas lëkura bëhet me luspa.
  • Ngritje të temperaturës, që mund të arrijë deri në 41°.
  • Enjtje e gjendrave limfatike në nivelin e fytit, të shoqëruara me dhimbje në këtë zonë.

Trajtimi

Trajtimi i fruthit tek fëmijët duhet të fillohet sa më parë, në përputhje me rekomandimet e mjekut pediatër. Ai është kompleks dhe konsiston në këto masa:

  • Shkëputja e fëmijës nga fëmijët e tjerë dhe izolimi i tij në një ambient të veçuar. Kjo rekomandohet për faktin se nuk dihet sesi mund të reagojnë fëmijët e ndryshëm ndaj sëmundjes së fruthit.
  • Regjim absolut në shtrat. Në rast se pacienti zhvillon edhe konjuktivit (inflamacion të konjuktivës), ai duhet të qëndrojë në errësirë të plotë.
  • Pacientit duhet t’i jepen sasi të mëdha lëngjesh nga goja, veçanërisht në rastin e temperaturës së lartë të vazhdueshme.
  • Aplikimi i proçedurave të ftohta mund të ndikojë në uljen e temperaturës.
  • Ushqimi që do të konsumojë pacienti duhet të jetë lehtësisht i tretshëm.
  • Në rastet që kanë kollë me sekrecione, rekomandohet dhënia nga goja e shurupeve ose çajrave që favorizojnë hollimin e sekrecioneve. Kujdes: Nuk duhet të përdoren medikamente që përmbajnë kodeinë !
  • Të evitohet tharja e ajrit të dhomës ku qëndron i sëmuri, në mënyrë që të mbahen mukozat e njoma.
  • Pas rënies së temperaturës dhe largimit të puçrrave në lëkurë, fëmija duhet të vazhdojë të qëndrojë në shtëpi edhe për dy javë të tjera. /Medinfo.al /Limit.al