Një person mbeti i vdekur dhe mbi 200 të tjerë u plagosën, në orët e para të mëngjesit të së premtes, gjatë festimeve për fitimin e titullit kampion të Napolit.
26-vjeçari Vincenzo Costanzo ka humbur jetën, pasi u plagos fillimisht nga një armë zjarri. Ngjarja ndodhi në ‘Sheshin Volturno’. Ndërkohë Policia bëri me dije se numri i të plagosurve është 203, ku mes të cilëve shumë prej tyre janë pjesë e sherrit që shkaktoi edhe viktimën.
22 prej të lënduarve që janë shtruar në spital, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa 4 prej tyre janë qëlluar me armë zjarri.
Bilanci rëndohet edhe më tej, nëse në listë shtohen edhe 3 policë që mbetën të plagosur gjatë festimeve, ndërsa një 20-vjeçare ka marrë plagë të rënda në kokë dhe është në rrezik për jetën.
Ndërkohë festa në qytetin e Napolit ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit, ku tifozët napoletanë shpërthyen në festë, për fitimin e titullit të tretë kampion të Seria A.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Udinese-Napoli me rezultatin 1-1, qielli i Napolit u ‘ndez’ nga fishekzjarrët, teksa tifozët u ‘derdhën’ në rrugët dhe sheshet e qytetit, për të festuar titullin e 3-të kampion të Italisë.
Padiskutim kjo është arritja më e madhe e skuadrës napoletane, në këto 33 vitet e fundit. Për herë të fundit ky sukses ishte arritur në vitin 1990, me në krye Diego Armando Maradonën./Limit.al