33 vite pritje, Napoli rikthehet në krye të futbollit italian, fitojnë titullin e tretë kampion në histori

33 vite pritje, shpesh me vuajtje, kalvare, kriza dhe deri rënien në Seria C.

Ky është Napoli, që më në fund feston në unison, arritjen që aq shumë e kanë ëndërruar dhe dëshiruar.

Thonë se numri 3 është magjik, por napoletanët nuk duhet të mbështeten më në besëtytni. Scudetto-ja e tretë tashmë është një realitet.

Në një qytet ku tregimet e suksesit të kaluar janë si fantazma që mund t’i dëgjoni ende nëpër mure, ‘Kvaradana’ me shokë, kanë shkruar emrin e tyre në librat e historisë.

Edhe Spalletti më në fund mund të vendosë të dyja duart në atë trofe të famshëm dhe këtë herë do të vishet edhe një herë me fjongo të kaltra.

Napoli feston, ata fitojnë kampionatin italian pas 33 vitesh, kur për herë të fundit këtë gjë e arrinte Diego Armando Maradona, në sezonin 1989-1990.

Skuadra napoletane zhvilloi një sezon fantastik e të paharrueshëm, duke dominuar kampionatin italian që prej fillimit të saj. Gjithçka nisi më 15 gushtin e vitit të shkuar, kur në ndeshjen hapëse, triumfuan 2-5 në transfertë ndaj Veronas. Më pas, të besuarit e Spalletit nuk u ndalën më.

80 pikë të grumbulluara në 33 ndeshje të luajtura. Një ecuri e jashtëzakonshme për të kaltërit, që e sigurojnë matematikisht titullin 5 javë nga përfundimi i kampionatit.

Në sfidën ndaj Udineses, napoletanëve u mjaftonte dhe vetëm 1 pikë dhe këtë gjë ata e arritën.

Lovriç realizoi golin e parë për Udinesen, në minutën e 13-të. Osimhen barazoi takimin në të 52-n. Me fërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit, shpertheu dhe festa./Limit.al