Bebe Rexha po komentohet shumë për performancën e saj në “Coachella”, por jo pozitivisht

Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha e ka thënë disa herë se vuan nga PCOS, një problem me kistet në vezore që shkaktohet nga çrregullimi i hormoneve. Kjo gjë e bën atë të shtojë shumë në peshë dhe të mos dobësohet dot. Së fundmi fotot e saj janë bërë virale pas performancës në “Coachella”, festivalit të shumëpritur i cili zhvillohet çdo vit në Shtetet e Bashkuara.

Patjetër që çdo këngëtar do të gëzohej nëse do të shihte veten në faqen kryesore të platformës së famshme “TikTok”, por fatkeqësisht kjo nuk ishte ajo çfarë ndodhi. Bebe tregoi se ndihet e zhgënjyer dhe e dekurajuar pasi në fakt u bë virale për shkak të video-ve të cilat komentonin peshën e shtuar. Në “TikTok” ka nisur trendi “pesha e Bebe Rexhës” dhe për të nominuarën për çmimin “Grammy” kjo ishte shumë shqetësuese.

“Po, kam shtuar peshë dhe kjo është një ndjesi e shpifur. Faleminderit të gjithë atyre që më duan dhe më mbështesin pavarësisht çdo gjëje. Unë kam luftuar gjithmonë me peshën dhe më pëlqen të ha. Jam duke punuar me veten çdo ditë, thjesht tani ndihem pak e dekurajuar,”-u shpreh ajo me anë të një postimi në “Twitter”.

Bebe ka fituar shumë popullaritet në internet pasi hapi një llogari në “TikTok” ku ylli i hitit “In the Name of Love” flet rreth rutinës së saj ditore, grimit dhe të ndjerit mirë me veten pavarësisht ndryshime në pamjen e jashtme. Në një nga videot ajo tregoi: “Sapo u peshova dhe më lejoni t’ju them se nuk ndihem aspak rehat me veten, ndihem shumë në siklet. Nuk ndihem mirë në lëkurën time, dhe kur nuk ndihem mirë nuk dua të postoj fare në rrjete sociale. Kjo është sinqerisht arsyeja pse nuk kam postuar shumë vitin e shkuar, ose të pakten aq shumë sa mund të ishit mësuar të shihnit. Megjithatë po përpiqem të tregohem pozitive, por nuk po mësoj dot sesi ta ndihmoj e ta dua veten.” Fansa të shumtë të Bebes kanë shprehur mbështetjen duke e quajtur këngëtaren të fortë dhe mahnitëse./Limit.al