JAM MË FAT QË JAM CAKTUA TA SHKRUAJ HIMNIN E KOMUNËS!
Nga Adem Lushaj – Deçan
Intervistën më Boksh Barutin e zhvilluam një mbrëmje mbas akshamit. Sado që kishim pritur kohë të gjatë për dy-tri fjalë të Bokshit, mbasi ai ishte i zënë, ishte i ftuar në një orgji të politikanëve, intervista erdhi krejt shpejt e shpejt dhe me defekte….
Kush është Boksh Baruti?
Bokshi: He; jam njëri prej shkrimtarëve më të mirë që ka planeti i jonë, edhe pse gjer sot nuk kam shkrua asnjë roman. Kryesore në biografin time në Facebook shkruan se jam shkrimtar. Mirëpo edhe hiq pa shkrime nuk jam, kam shkrua ndonjë urim a përshëndetje nëpër shumë radio tona që emitohen në internet, pastaj kam më qindra komente në Facebook, dhe kështu e mora epitetin “uzdaja e letërsisë tonë”!… E ketë dhunti e të shkruarit e kam kahmot, qysh se nëpër Lluga, në Llugë t´Zymit e n´llugë të Bufit i ruaja 2-3 dele të zhugavta. Pra, kam fillua të shkruaj që kur kam lindur. Meqenëse, kam lindur ato vite kur ka ra bora e kuqe, e, meshkujt e rrethit tonë nuk pajtoheshin më ngjyrën e kuqe, u mbyllën në kullat prej guri duke ia thënë këngëve majëkrahut dhe atyre me lahutë. Sado i vogël që isha, me pëlqenin ato këngë. Sidomos më pëlqente kur e dëgjoja atë këngën ;
„..u rrehen Lluka shtatë e tetë/
u rreh LLuka u rreh Isniqi/ ….”
ose,
“…Osman Ademi nji burrë plak
E rrehka Pasha me konop t´lagtë
Ku ma ki, o Verrin Binak?…”
Që atëherë vendosa ti shënoj ato këngë dhe mu mbush mendja se u bëra shkrimtar. Mirëpo, që ta ruaj atë të pasmen time, duhej pa tjetër të kujdesesha, në radhë të parë që ti nënshtrohesha ligjeve ideologjike të qeverisë.
Çdo imitim ose kopjim nga këngët tona të moçme, s´ishte rastësi. Të fundi çdo shkrimtar vjedh nga pak…
Çfarë po shkruani këtyre ditëve?
Bokshi: Meqenëse më ka dal zani si shkrimtari më i madh ( i facebook-ut), ta merr mendja se jam i detyrua të shkruaj vazhdimisht. S´është me rëndësi çka shkruaj?! Të fundi i fundit, kush po i lexon përveç ata që ua kushton shkrimin. Më rëndësi shkruaj, shkruaj, shkruaj….
Kam disa projekte nëpër duar: së pari jam duke i shkrua disa poema kushtua Larukes, Murricës, Balushës për heroizmin e tyre që kanë bërë. Në ketë krizën tonë ekonomike ato kanë arritur që shtetit tonë ti japin shtatëdhjetë e dy viça dhe kështu ekonomia e jonë nga 1 % rritje sa kishte vitin e kaluar, të shtohet rritja ekonomike në 4,5 %. Kjo rritje ishte edhe kusht nga BE për liberalizimin e vizave…
Së dyti; mbase jam caktua recensent i disa botimeve letrare dhe atyre shkollore, po mundohem ti shkruaj vlerësimet për to. Gojëkëqij po na kritikojnë, por unë nuk mërzitem se të fundi i fundit “fjalët e hallkut dhe birat e gardhit” nuk ndalën.
Dhe së treti, ajo që është si projekt më kapital, jam duke ia shkrua komunës himnin. Deshëm apo s´deshëm ky himn është paksa plagjiaturë mbase e kam marrë nga defatoria më e mirë e qytetit. Ndoshta ju nuk ju kujtohet kënga e saj e famshme dhe që ishte bërë hit edhe në televizionet tona: “ Time deçania n´mercedes/ Bën orgji me jarana t´vet…”
Më shumë vjedhin bosët e politikës apo hajnat?
Bokshi: Hahahahaha… Kjo detyrimisht të shtyn me qesh. Po ku vjedhin politikanët tanë?! Mozallah bre!…Je në vete ti?! Hajnat po. Ata vjedhin një ve, një kungull, një kastravec e ndonjë gjë të imët. Mirëpo, faleminderit prej gjykatave tona që këta hajna po i dënojnë rrastë…Si ta dënojnë një politikan që buxhetin e shtetit e “lehtëson” për 53 milion €.?!…
Çfarë do të thotë shkrimtaruc dhe gazetaruc?
Bokshi: Shkrimtar e shkrimtaruc i ndan një fije floku. Janë individ që ua rrah “zemra brinjët” se kokë nuk kanë, gjeja dinë me shkrua poezi, prozë… Por të tillët kanë të holla, e blejnë ndonjë poezi apo roman të gatshëm dhe vetëm emrin e vet e shkruajnë, edhe atë me gabime dhe na prezantohen “shkrimtar”. Fatkeqësisht tek ne të tillë ka shumë.
Sa i përket “gazetarucit”, në Kosovë ky është zanati më rentabil që prodhon budallenj. Gazetaruci është ai që shkruan por që nuk e di alfabetin e gjuhës shqipe, ai që shkarravit për patronin që e paguan t´ja thotë fort e keq…
Diç për të shtuar?
Bokshi: Po. Jam “n´besë tënde dhe të popit”, sa ka budallenj që mund ta marrin si personale ketë intervistë dhe vaj halli për mua.
Intervista u zhvillua të “Guri me bythë n´ujë”, qershor 2018