Nëntë vende evropiane, së bashku me Ukrainën, kanë njoftuar krijimin e një koalicioni të ri për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes kundër raketave balistike në Evropë.
Nisma u shpall gjatë samitit të “Koalicionit të Vullnetshmëve” në Paris dhe, sipas deklaratës së përbashkët, ka karakter “thjesht mbrojtës”, si përgjigje ndaj rritjes së kërcënimit nga raketat balistike.
Koalicioni përfshin Italinë, Francën, Gjermaninë, Danimarkën, Holandën, Norvegjinë, Spanjën, Suedinë, Britaninë e Madhe dhe Ukrainën.
Shtetet pjesëmarrëse theksuan se mbrojtja e Evropës kërkon një arkitekturë të integruar të mbrojtjes raketore, e aftë të pengojë dhe neutralizojë kërcënimet e ardhshme.
Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se krijimi i koalicionit është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e Ukrainës dhe forcimin e sigurisë kolektive evropiane.
Ai shtoi se mbështetja për Kievin, rritja e presionit ndaj Rusisë dhe ndërtimi i garancive të reja të sigurisë janë elementë kyç për të ardhmen e kontinentit.
Moska reagoi ashpër ndaj nismës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti “Koalicionin e të Vullnetshmëve” një grup “nxitësish të luftës”, duke pretenduar se vendet pjesëmarrëse nuk synojnë paqen, por vazhdimin e konfliktit dhe përpjekjen për t’i shkaktuar Rusisë një disfatë strategjike.
Ndërkohë, Franca njoftoi se do të thërrasë ambasadorin rus për të protestuar ndaj asaj që e cilëson një fushatë të gjerë ruse të spiunazhit dhe sabotimit kibernetik në Evropë.
Parisi bëri të ditur gjithashtu se do të vendosë sanksione ndaj nëntë individëve dhe katër entiteteve të lidhura me shërbimet ruse të sigurisë.
Edhe Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë paralajmëruar sanksione të koordinuara ndaj personave dhe organizatave të akuzuara për aktivitete kibernetike dashakeqe.
Sipas Brukselit, në shënjestër janë zyrtarë të inteligjencës ushtarake ruse, hakerë dhe kompani që dyshohet se mbështesin përpjekjet për destabilizimin e vendeve evropiane.

















