Poezi nga Sami MULAJ – Amerikë

…sot, në Tiranë…me pak pak shi dhe pak si trishtim:

në kryeqytetin e vendit tim kam nevojë për interpreter të gjuhës, nuk mundem të bëj porosinë në restorante, pasi nuk më kuptojnë në shqip dhe as unë nuk i kuptoj në shqip ata….dhe kam frikë se gjuha shqipe po soset e shumë shpejt kaq e deformuar do tjetërsohet në jo gjuhë shqipe…(?!)

Edhe pak vargje:

….

Shtyhem

çdo dite me poezinë,

dal i humbur…

….

në vrella ulemi në gjunj,

lutja më e bukur,,

kuajt nuk pijne pas nesh ujë…

….

druvarë mbetëm gjithë jetën,

pa e ditur

se çfarë bëhet me lisa…

….

qytetarët në revoltë për gratë e qeveritareve,

pse ato nuk flejnë me burra…

….

dje

me gjuhë të huaj

përfundoje në burg,…

sot

me gjuhë të huaj

largohesh nga Shqipëria….

Janar 11, 2025

Tiranë, Albania

 

Vetëm pak vendlindje…në vargje dhe me disa shkrepjet fantastike nga fotografi ynë i madh Fadil Berisha tani që edhe urimet, çertifikatat e çmimet filluan pushimet….!

BJESHKA

 

Kujtimet e mia,

fluturojnë,

pa stacione…

SHKELZEN

Sa afër

e sa larg…

ëndrrat përkundin djepin tim.

GURRAT

 

Gurgullojnë,

zanat pijnë gji

u bënë nëna.

 

VALBONË

Qielli i dhimbjeve derdhet aty,

dashuritë bëhen të kaltra,

shpellë e zogjëve

zemra ime.

 

K’CIMI I TROPOJËS

 

…në shpatet e thepisura

gjuha e zotit u ndëgjue,

trupi filloj me folë…

kembët e puthin tokën,

krahët rrokin qiellin

e sytë e zbritën në tokë

diellin…

 

Janar 7, 2025

 

KOHE PA NJERIUN

Oxhaku
ka kohë që tym nuk nxjerr.

Veringtë e bukatorës
në hi kanë mbetë

Luga e gacave
e xhevzja e kafes,
në murë,
në gozhda vjerrë…

Dera e odës e burrave,
si sirenë alarmi,
në thinza pisket…

E në dhomën e gjumit,
nën jastek,
dy telefona vlojnë,
në dy cepat
me ciu, ciu prej miqësisë
në erë,
në mjedis të krevatit,
dy trupa shpinë për shpinë,
në mes kanë një det…

Janar 2, 2025
New Jersey, USA

 

TË RROKI… !

Sa e mirë kjo fjalë !

Për gjithë moshat.

Edhe për gjyshat e gjyshet është kryefjalë.

Të përqafoj, apo të puth tingëllon si një fjalim zyrtar. Është si me i thye në gu do krande të thata.

Të rroki është krejt shpirt, është fjalë e gjallë e drejtpërdrejtë pa ngjyra seksiste a feministe,

Kaq të bukur fjalë, që zoti na e ka falë vetëm ne po e harrojmë…

T’koftë i gzuem Moti…!

Moti, për senen e re (Vitin e Ri )më e bukur fjalë…!

Vetëm ne e kemi…!

Ajo eshte fjalë e gjallë…

Viti para fjalës Mot duket si diçka krejt e huaj, e ftoftë dhe jo shpirtnisht e embël dhe e pa plotë. Fjala Viti është si diçka përcaktuese, si një inventar magazine e Moti kurrsesi.

Ai i bashkon të gjitha shpirtnisht edhe kohën si vijë gjeometrike e pa kufizuar, por edhe brendinë jetësore -për njeriun e për klimën.

U gzofshi Mot mas Moti…!

 

DIMENSIONI i PESTË

Dua të mat

qiellin tim të vogël

të pamatë.

Me krahët e mi,

si zog fluturus

pushtoj hapësirën tredimensionale,

me krahët hap shpalos pash pash gjatësinë dritëplotë të yjeviteve të mia në radhë, midis gishtit të madh e të vogël,

trashësinë e hijebrengave

e me gishtin tregues lart, lartësinë e erës së gëzimkujtimeve,

pemë e ndriçuar që lidh tokën me diellin,

në natën e ndërrimit të vitit.

dimensioni i katërt,

koha kordinatë

si lodër përjetësimi,

shtyn akrepin e orës në ditën tjetër

rinis pa u ndal udhëtimin…

pemën plot errësirë e drita, katër dimensionet,

kordinata drejtkëndore e mbajnë

por nuk e rritin drejt qiellit.

Pa dashurinë,

dimensionin e pestë,

jeta do të ishte një hapësirë boshe,

një rrëmujë yjesh pa dritë,

pa fytyrë prej diellit.

Dhe pema e vitit të Ri

pa oborre gëzimi.

  

REVOLTA E BREDHAVE

Ah more njeri

sa i pashpirtë je,

rininë tonë e keputni

pa e kuptuar sepse.

Thoni të gezoni në vatra

e në oborre me ne…?!

Na ngarkoni me letra gjithë ngjyrash,

me foto e drita…

e midis pakosh bosh

në sheshe e sallone si të dënuar me vdekje,

na gozhdoni atje.

Pas disa ditësh

na hidhni të vdekur mbi dhe…

Na lini të qetë,

aty ku kemi le,

të na mbulojë bora

e jo pambuku juaj,

borë e pafytyrë,

zogjtë të kendojnë e dreret le të flejnë me ne.

Po të sillnim dashuri,

nuk kishte nevojë të vinim ne atje,

ju do të vinit,

e si ketra do kcenit,

ketu në pyllin e jetës me ne…

Dhjetor 30, 2024

New Jersey, USA

 

KOHA E SHËMTIMIT 

(kushtuar nenës të ish të dënuarit politik, Shpend Çela, që provoj tmerre prej diktaturës)

Oh, e mjera nanë

që linde një Shpend,

e bane të bukur për qellë,

ta shtinë një jetë në terr…

Oh, e mjera nanë

për fajin tend,

Pse e bane djalë të pashëm,

atij i falën tmerr…

Oh, e shkreta nanë

për djalin tënd…

ta dënuan se e bane t’bukur…

Koha e shëmtimit edhe bukurinë e bëri ferr…

Oh, e mira nanë,

shpirti yt,

ndrit, ndrit përherë…

Zoti të ka pranë,

ty që solle të bukurën në jetë…

Janar, 2025

 

Pak humor për ne të moshës së tretë…që e pranuam apo jo ka ardhë…

BURRAT E VAKTIT N’PASQYRA

Në banak,

aty në Bar Kabare,

porositën birra,

ishin tre.

erdhën të kullotin pak sytë,

tre burra t’vjetër,

burra vakti,

të njohur, me kollare

me mustaqe,

me parti

e me fe.

të mira mollzat

thotë njëri për kamarjerën,

ma të mira mollat ja pret tjetri e i treti, a ha si i paska shishet bre.

të tre njëherësh i thonë, kamarjerës gjysmë të xhveshur,

me gisht nga banaku,

shikoni, shikoni atje përballë,

paska edhe ma të vjetër se ne,

me birra përpara e me sytë si vjedhës në pré…

duke qesh me të madhe kamarjerja,

ju a kthen si rrufe,

të shkretët vetëm pijnë birra,

kanë turp,

nuk janë si ju,

sytë i mbajnë përdhe…

porositeni një rend për ata,

janë më të vjetër se ju,

për pesë dollarë

të shkretët plakushë nuk e shijojnë ketë dhuratë të zotit,

jua afron gjoksin e fryrë,

e prekeni, prekeni,

mos rrini si ata të mjerë.

të tre e prekin menjëherë,

i lëshuan 15 dollarët e prekjes,

edhe për pleqtë paguan

nga gëzimi pa i njeh.

kamarjerja puth pasqyrën mbrapa saj,

i thotë “sa e mirë më je!”

ju tund shalet prapa e

krekosën pleqtë përballë,

duke paguar dy herë,

pa e ditë se janë vetë ata në pasqyrë,

atje.

Dhjetor 26, 2024

New Jersey, USA

 

MOS E TRAZONI PARASHQEVINË !

Parashqevi,

Parashutë,

Paradhënje,

Parathënje,

Paradite,

Paradoks,

Paranojë,

Parazitë,

Paralele,

Paditës,

Padije,

Pafytyrë,

Pamatë,

Pamasë,

Paanë,

Pasheqer

Pakrypë,

Pakrye,

Pagojë,

Palidhje, fjalë shqipe e re

në Kosovë !

Lëreni të qetë Parashqevinë,

artistën tonë, zonjë.

Zonjë e bëri zëri,

Zonjë e bëri kënga, dhe kaq.

Pjesa tjetër është e Parashqevisë,

Nuk është pjesa jonë !

Mos e trazoni Parashqevinë !

Dhjetor 18, 2024

Tiranë, Shqipëri.