Bashkësia ndërkombëtare reagon me shqetësim pasi Irani e bëri realitet kërcënimin e tij dhe sulmoi Izraelin.

Sulmi që ndërmori Iranit kundër Izraelit, megjithë paralajmërimet ndërkombëtare, ka shkaktuar reagime dhe kritika mbarëbotërore.

Italia, e cila aktualisht ka presidencën e G7-s, ka thirrur për sot pasdite një takim urgjent të krerëve të shteteve dhe të qeverive të shtatë vendeve më të fuqishme të industrializuara për të diskutuar për këtë temë. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e dënoi sulmin e e Iranit ndaj Izraelit. “Ne jemi shumë të shqetësuar për destabilizimin e mëtejshëm në rajon dhe do të vazhdojmë të punojmë për ta parandaluar atë”, shkroi Meloni të dielën në mëngjes në platformën online X (ish-Twitter).

Qeveria gjermane mbledh shtabin e krizës

Për të analizuar gjendjen pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit në Berlin u mblodh shtabi i krizës i qeverisë gjermane. Kancelari gjerman Olaf Scholz, shprehu solidaritetin e tij me Izraelin dhe tha se “sulmi ajror i Iranit ndaj territorit të Izraelit është i papërgjegjshëm dhe i pajustifikueshëm. Irani rrezikon një krijimin e një vatre zjarri. Ne jemi përkrah Izraelit dhe tani do të diskutojmë gjithçka tjetër me aleatët tanë.

Franca pjesë e koalicionit që ndihmoi në zmbrapsjen e sulmit

Edhe Presidenti francez Emmanuel Macron e dënoi sulmin e Iranit kundër Izraelit. Sulmi i paprecedentë kërcënon destabilizimin e rajonin, shkroi ai në platformën X (ish-Twitter): “Franca po punon me partnerët e saj për qetësimin e gjendjes dhe bën thirrje për përmbajtje”. Macron shprehu solidaritetin e tij me popullin izraelit dhe theksoi rëndësinë e sigurisë së Izraelit për Francën. Sipas zëdhënësit të ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, Franca është pjesë e koalicionit që ndihmoi në zmbrapsjen e sulmit. Sipas Hagarit Franca se i ka vënë në dispozicion Izraelit teknologji për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak bëri fjalë për një “sulm të pamëshirshëm” kundër Izraelit. Ky sulm përmban “rrezikun e ashpërsimit të tensioneve dhe destabilizimit të rajonit”. Sunak theksoi, se “Britania e Madhe do të angazhohet më tej për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë partnerëve rajonalë, përfshirë edhe Jordaninë dhe Irakun.”

Netanjahu telefonon me Biden

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu telefonoi në orët e para të së dielës me presidentin amerikan, Joe Biden. Presidenti amerikan ka siguruar Izraelin për mbështetjen “e patundur” amerikane. Biden u shpreh, se e dënon sulmin në formën më të ashpër dhe se do të diskutojë në takimin e G7-s për një përgjigje diplomatike “të bashkuar” kundër Iranit.

Presidenti amerikan, Joe Biden tha se SHBA e ndihmoi Izraelin të rrëzojë “gati” të gjitha raketat dhe dronët e hedhura nga Irani.

Irani paralajmëron SHBA-në

Irani nga ana e tij e paralajmëroi SHBA-në të qëndrojë larg konfliktit. Sulmi iranian është një reagim ndaj “agresionit” të Izraelit kundër konsulatës në Damask, deklaroi përfaqësia iraniane në OKB përmes platformës X. Bëhet fjalë për një konflikt mes Iranit dhe Izraelit, “prej të cilit SHBA duhet të qëndrojë larg”.

Pas sulmit të Iranit kundër Izraelit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së planifikon një seancë të posaçmae. Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan bëri të ditur në platformën X, se ambasadorja e Maltës, Vanessa Frazier, vend që kryeson momentalisht Këshillin e Sigurimit, është njoftuar me shkrim që të mbahet një seancë e posaçme. Sipas qarqeve të sigurisë takimi pritet zhvillohet gjatë ditës së sotme.